.

.

BallinaFaktometerPa kategoriRasti i gjyqtares Gjoka, Prokuroria: Po verifikojmë pikat e tjera

Rasti i gjyqtares Gjoka, Prokuroria: Po verifikojmë pikat e tjera

Sebi Alla

Teksa Prokuroria e Përgjithshme është në fazën e verifikimit administrativ dhe SPAK mban të hapur çështje penale për gjyqtaren e GJKKO-së Irena Gjoka, Partia Demokratike ka dërguar në Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, kërkesë për “mbarim mandati” të saj, duke i nisur nga një vendim gjyqësor të Gjykatës së Janinës, që sipas saj e kanë shpallur fajtore për falsifikim pasaporte. Prokuroria e Përgjithshme në një qëndrim zyrtar për Faktoje.al tha se çështja është në hetim dhe se pas konfirmimit për dënimin e saj po verifikohen pika të tjera të paraqitura në formularin e vetëdeklarimit nga gjyqtarja Gjoka.

“Pas kostatimit të vendimit gjyqësor të ardhur nga autoritet e drejtësisë greke, verifikimi ka vazhduar për deklarimet e tjera të bëra në formularin e vetëdeklarimit. Procesi është ende në fazë verifikimi”-thotë Prokuroria e Përgjithshme. 

Gjyqtarja e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjithashtu shorti i përcaktoi edhe çështjen e ish-presidentit Ilir Meta, ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg pa afat”. Opozita ka akuzuar Gjokën se ka qenë e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesha dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit.

Gjoka në fokusin e opozitës

Partia Demokratike dhe veçanërisht lideri i saj Sali Berisha këmbëngulin se mjafton qoftë edhe një dokument i vetëm i rëndësishëm, siç është dënimi në shtetin grek, që gjyqtarja Irena Gjoka të shkarkohet nga detyra, pasi ka mashtruar në plotësimin e formularit të vetëdeklarimit. “Kushtetuta në nenin 6/1, parashikon se një person, integriteti publik i të cilit është cenuar, nuk mund të vijojë funksionet në organet kushtetuese. Ndalohet, -thotë neni, zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozita të tjera”-tha Berisha të mërkurën (22 tetor), pas daljes nga SPAK ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Duke e shtjelluar më tej, Berisha tha se: “ligji 96 i vitit 2016, parashikon në nenin 28/D për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikon se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetase që është dënuar me vendim penal të formës së prerë, në rastin konkret pra, Irena Gjoka”. Ndërsa PD kërkon “përshpejtim të masave administrative” ndaj Gjokës, në përgjigjen për Faktoje, Prokuroria e Përgjithshme thotë se me plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe marrjes së përgjigjeve të tjera nga autoritetet greke, konkluzionet e hetimit do i dërgohen KLGJ-së, më pas është ky i fundit që merr vendimin.

“Bazuar në kërkesat e ligjir 138/2015 dhe Vendimit Nr.17 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme është autoriteti që kryhen verifikimin e thelluar dhe në fund të procesit del me një vendim “Për miratimin e rezultateve të verifikimit”. Ky vendim i përcillet autoritetit përgjegjës në rastin konkret Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe është ky institucion që do të vlerësojë nëse subjekti është ose jo në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionet”-thotë prokuroria. Duke iu referuar ligjit, Prokuroria e Përgjithshme në qëndrimin e saj shprehet se ky institucion: “nuk ka asnjë detyrim ligjor për të kërkuar masë administrative ndaj subjekteve në verifikim”, ndërsa sqaron se: “Detyrimi ligjor i Prokurorisë së Përgjithshme është kryerja e verifikimit të plotë dhe të thelluar. Autoriteti përgjegjës, bazuar në vendimin “Për miratimin e rezultateve të verifikimit”, vlerëson nëse subjekti është ose jo në kushtet e ndalimit dhe merr, sipas rastit, masat administrative”.

Altin Dumani gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve në Parlament

SPAK-u hetim për Gjokën

“Dosja është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të japim informacione. Konfirmojmë se kemi një procedim penal të regjistruar në muajin qershor të vitit 2025. Po kryejmë veprimet e nevojshme në funksion të ketij hetimi”, tha kreu i SPAK Altin Dumani gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve në Parlament. I hapur si procedim penal në qershor, dosja penale ndaj gjyqtares Gjoka konsiderohet ende në fazat e para të hetimit. Nga ana tjetër Prokuroria e Përgjithshme, e informuar për nisjen e procedimit penal, ka nisur çdo material që konsiderohet i vlefshëm. “Verifikimi është në proces. Në SPAK janë dërguar kopje të akteve, sipas kërkesës. Referuar Ligjit 138/2015 dhe Vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë detyrim ligjor për të kërkuar masë administrative ndaj subjekteve në verifikim. Detyrimi ligjor i Prokurorisë së Përgjithshme është kryerja e verifikimit të plotë dhe të thelluar. Autoriteti përgjegjës, bazuar në vendimin “Për miratimin e rezultateve të verifikimit”, vlerëson nëse subjekti është ose jo në kushtet e ndalimit dhe merr, sipas rastit, masat administrative”-thotë për Faktoje institucioni qëndror i akuzës. Ndërsa hetimet janë në fazën paraprake, opozita këmbëngul që gjyqtarja Gjoka është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, që në momentin e parë kur zyrtarisht nga Greqia mbërriti vendimit për dënimin e saj në shtetin fqinj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img