Vlera e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor për Shqipërinë për vitin 2022 është 0.789, vlerë që e pozicionon vendin në kategorinë e Lartë të zhvillimit njerëzor, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 74-t nga 193 shtete dhe territore. Ky është rezultati i raportit të ri, i titulluar “Gjetja e rrugëdaljes nga bllokimi: Rikonceptimi i bashkëpunimit në një botë të polarizuar”, publikuar më 13 mars nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Zhvillimi i pabarabartë bën që më të varfrit të mbeten pas, të përkeqësohet pabarazia dhe të nxitet polarizimi politik në shkallë globale. Sipas një raporti të ri të publikuar më 13 mars nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), rezultati është një situatë e rrezikshme pa krye që duhet trajtuar në mënyrë urgjente përmes veprimeve kolektive.
Raporti i Zhvillimit Njerëzor (HDR) 2023/24, i titulluar “Gjetja e rrugëdaljes nga bllokimi: Rikonceptimi i bashkëpunimit në një botë të polarizuar”, shfaq një tendencë shqetësuese: Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI), i cili është një njësi matëse përmbledhëse që pasqyron të Ardhurat Kombëtare Bruto (AKB) për frymë, arsimin dhe jetëgjatësinë e pritshme të një shteti, ka njohur rritje të pjesshme, të paplotë dhe të pabarabartë.
Është parashikuar që HDI-ja do të arrijë nivele të larta rekord në vitin 2023 pas rënies së ndjeshme gjatë viteve 2020 dhe 2021. Por, kjo rritje është thellësisht e pabarabartë. Vendet e pasura po përjetojnë nivele të larta rekord të zhvillimit njerëzor ndërsa progresi në gjysmën e vendeve më të varfra të botës mbetet nën nivelin e përpara krizës.
Pabarazitë globale shoqërohen nga një përqendrim i konsiderueshëm i ekonomisë. Siç përmendet në raport, pothuajse 40% e tregtisë globale të mallrave është e përqendruar në tre ose më pak shtete. Gjithashtu, në vitin 2021, kapitalizimi i tregut i secilës prej tre kompanive më të mëdha teknologjike në botë tejkalonte Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) të më tepër se 90% të vendeve gjatë atij viti.
“Zgjerimi i hendekut të zhvillimit njerëzor që konstatohet nga raporti, tregon se tendenca e uljes së qëndrueshme të pabarazive ndërmjet kombeve të pasura dhe të varfra, e cila ekzistonte prej dy dekadash, tashmë ka ndryshuar drejtim. Pavarësisht faktit se shoqëritë tona janë thellësisht të ndërlidhura në nivel global, jemi duke dështuar në arritjen e objektivave. Duhet të shfrytëzojmë ndërvarësinë dhe kapacitetet tona për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe ekzistenciale, si dhe për të garantuar përmbushjen e aspiratave të njerëzve”, është shprehur Achim Steiner, Administratori i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. “Kjo rrugë pa krye mbart me vete kosto të mëdha njerëzore. Dështimi i veprimeve kolektive për të sjellë progres lidhur me masat për ndryshimet klimatike, dixhitalizimin, ose varfërinë dhe pabarazinë, jo vetëm që pengon zhvillimin njerëzor, por rrit gjithashtu polarizimin dhe ul më tej besimin e njerëzve dhe institucioneve në mbarë botën.”
Bazuar në të dhënat e analizuara në të, raporti argumenton se progresi i lidhur me masat kolektive ndërkombëtare pengohet nga një “paradoks i ri i demokracisë”: edhe pse 9 në 10 persona në mbarë botën e mbështesin demokracinë, më tepër se gjysma e të anketuarve të anketës globale shprehin mbështetje për udhëheqësit që mund ta minojnë demokracinë duke anashkaluar rregullat themelore të procesit demokratik. Gjysma e personave të anketuar në mbarë botën raportojnë se nuk kanë kontroll, ose kanë kontroll të kufizuar mbi jetët e tyre dhe më tepër se dy të tretat besojnë se kanë pak ndikim në vendimet e qeverisë së tyre.
Polarizimi politik është gjithashtu një shqetësim në rritje që ka pasoja globale. Autorët e raportit shprehen se, krahas ndjesisë së pafuqisë, ai nxit qasjet e politikave egocentrike, të cilat bien thellësisht në kundërshtim me bashkëpunim global që nevojitet për të trajtuar problematika urgjente, si dekarbonizimi i ekonomive tona, keqpërdorimi i teknologjive dixhitale dhe konfliktet. Kjo është veçanërisht alarmante nëse sjellim në vëmendje temperaturat e larta rekord në vitin 2023, të cilat theksojnë nevojën imediate për veprime të përbashkëta për të trajtuar krizën klimatike, ose shfaqjen e inteligjencës artificiale si një territor i ri teknologjik që evoluon me shpejtësi, për të cilin ekzistojnë pak ose aspak masa mbrojtëse rregullatore.
Raporti thekson faktin se deglobalizimi nuk është diçka e mundshme ose realiste në botën e sotme dhe se ndërvarësia ekonomike vazhdon të mbetet e lartë. Ai nënvizon se asnjë rajon nuk është pranë arritjes së vetëplotësimit të nevojave, pasi çdo rajon varet nga importet nga rajone të tjera për të siguruar 25% ose më tepër të të paktën një lloji malli ose shërbimi kryesor.
“Në një botë që karakterizohet nga rritja e polarizimit dhe ndarjes, të mos investuarit te njëri-tjetri përbën një kërcënim serioz ndaj mirëqenies dhe sigurisë sonë. Qasjet proteksioniste nuk mund të trajtojnë sfidat komplekse dhe të ndërlidhura me të cilat përballemi, ku përfshihen parandalimi i pandemisë, ndryshimet klimatike dhe rregullimi i fushës dixhitale”, shtoi Steiner. “Problemet tona janë të ndërlidhura dhe rrjedhimisht, kërkojnë zgjidhje që janë po aq të ndërlidhura. Duke miratuar një axhendë të orientuar nga mundësitë, e cila e vë theksin te përfitimet që sjell tranzicioni energjetik dhe inteligjenca artificiale te zhvillimi njerëzor, atëherë kemi një mundësi për të gjetur rrugëzgjidhje në këtë situatë aktuale dhe për të rindezur angazhimin për një të ardhme të përbashkët.”
Raporti nënvizon mënyrën se si po rikonfigurohen ndërvarësitë globale dhe bën thirrje për një prodhim të ri të të mirave publike globale. Raporti propozon katër fusha ku nevojitet veprim i menjëhershëm:
– të mira publike për zhvillimin e planetit, për të arritur qëndrueshmëri klimatike, në një kohë kur përballemi me sfidat e paprecedente të epokës së Antropocenit;
– të mira publike globale dixhitale, për të arritur barazi më të lartë në shfrytëzimin e teknologjive të reja me qëllim zhvillimin njerëzor të barabartë;
– mekanizma financimi të rinj dhe të zgjeruar, duke përfshirë një drejtim të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar që plotëson asistencën humanitare dhe ndihmën tradicionale për zhvillim për vendet me të ardhura të ulëta; dhe
– zbutja e polarizimit politik përmes qasjeve të reja të qeverisjes, fokusi i të cilave është t’u japin njerëzve më tepër zë gjatë konsultimeve formale, si dhe përmes parandalimit të keqinformimit.
Në këtë kontekst, raporti argumenton se multilateralizmi luan një rol thelbësor, pasi angazhimet dypalëshe nuk janë në gjendje të trajtojnë natyrën e pashmangshme globale të ofrimit të të mirave publike globale.
Të dhëna të tjera kryesore nga raporti
• Në vitin 2023, të 38 vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) arritën rezultate më të larta të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) krahasuar me nivelet e vitit 2019.
• Ndër 35 vendet më pak të zhvilluara (LDC) që përjetuan një rënie të HDI-së së tyre në vitin 2020 dhe/ose 2021, më tepër se gjysma (18 vende) nuk janë rikthyer ende në nivelet e zhvillimit ekonomik të vitit 2019.
• Asnjë prej rajoneve në zhvillim nuk i ka përmbushur nivelet e HDI-së të parashikuara bazuar në tendencat përpara vitit 2019. Duket se trajektorja e HDI-së është ulur, çka tregon se vendet mund të përballen me pengesa të vazhdueshme për sa i përket rritjes së zhvillimit njerëzor në të ardhmen.
• Ndikimi i humbjeve të zhvillimit njerëzor është veçanërisht i dukshëm në Afganistan dhe Ukrainë. HDI-ja e Afganistanit ka pësuar rënie të ndjeshme duke u kthyer në nivelet e para dhjetë viteve, ndërsa HDI-ja e Ukrainës ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2004.
• Raporti citon studimet që tregojnë se vendet me qeveri populiste kanë norma më të ulëta të rritjes së PBB-së. Është konstatuar se pesëmbëdhjetë vite pas marrjes së pushtetit nga një qeveri populiste, PBB-ja për frymë është 10 përqind më e ulët krahasuar me PBB-në që mund të ishte arritur në rastin e një qeverie jo populiste.
Për të parë raportin e plotë, vizitoni: United Nations Development Programme (undp.org)