Sebi Alla– Në konferencën për shtyp të fundit të vitit, kryeministri Edi Rama përmendi shumë herë fjalën SPAK, por që në nisje të përgjigjeve për mediat kreu i qeverisë la të nënkuptohej se nuk do të ishte aq i lehtë miratimi i kërkesës së Prokurorisë Speciale për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëses së tij Belinda Balluku. Gjithashtu edhe për dosjen tjetër të skandalit të aferave të AKSHI-t, Rama doli në mbrojtje të ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, aktualisht në masën “arrest shtëpie”. Teksa i trajtoi gjatë të dyja çështjet, kryeministri paralajmëroi edhe ndryshime ligjore, veçanërisht përsa i përket akuzës së “shpërdorimit të detyrës”, gjithashtu sipas tij, masat ekstreme të “arrestit me burg” janë shqetësim edhe nga Komisioni Europian.
Reagimi për SPAK
Ndërsa kreu i qeverisë ende nuk kishte përfunduar konferencën e gjatë, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë nëpërmjet një mesazhi të shkurtër doli në mbrojtje të SPAK, duke shprehur vlerësime për Prokurorinë Speciale. “Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, thekson njoftimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë, duke iu referuar trajnimit në SHBA të një agjenti të BKH-së.
Drejtësia dhe Parlamenti
“Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie është gati gjykatë. Nuk do të doja ta kisha përmendur 16 mijë faqe dhe prova sepse ajo më provon, më ka provokuar që ditën e parë, po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do t’i thoja çohuni ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin”, tha Rama duke kritikuar formën që është qasur prokuroria në këtë rast.
Sipas tij, 16 mijë faqe nuk janë hetime, por janë futur brenda kontrata dhe studime të marra nga arkivi i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Duke u ndalur në dosjen e AKSHI-t, kryeministri doli në mbrojtje hapur ish-drejtoreshës Mirlinda Karçajan, për të cilën SPAK ka caktuar masën ‘arrest shtëpie’ për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe grup të strukturuar kriminal. “E njoh prej 20 vitesh dhe ka respektin tim. E njohur ndërkombëtarisht dhe ka respektin tim maksimal. Çfarë thoni ju sot, bazuar në copëza të nxjerra rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin hetimor, nuk është e mjaftueshme për të dalë në përfundime për të fajësuar njerëzit”, tha Rama.
83 mandate
Në aspektin politik kryeministri përmendi disa herë faktin se ka 83 mandate duke shuar çdo dyshim mbi një tërheqje të mundshme për shkak të shpërthimit të disa skandaleve të dala nga dosjet hetimore të SPAK. Në lidhje me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij Rama ironizoi se është një parti pa ide dhe qëndrime. “Duan të hyjnë nga dera e hapur dhe të ulen në tryezë bujrum. Por ne peng nuk na mbajnë dot. Edhe këto reforma mirë është t’i bëjmë bashkë, nëse s’duam do t’i bëjmë vetë. Duan qeveri kështu apo ashtu, të fitojnë zgjedhjet. S’i fitojnë dot”, tha Rama.






