.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëRama: “Porti turistik i Durrësit fillon brenda qershorit”

Rama: “Porti turistik i Durrësit fillon brenda qershorit”

Punimet për portin turistik të Durrësit, një investim rreth 2 miliardë euro nga Emiratet e Bashkuara, duhet të fillonin brenda muajit qershor, sipas një deklarate të kryeministrit Rama, të bërë pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të prillit. Faktoje u interesua nëse kishin nisur punimet, por asnjë institucion nuk dha informacion për këtë. Ishte kryeministri, që me anë të një postimi në 21 korrik, publikoi maketin e projektit për Portin e Durrësit, duke konfirmuar se ndërtimi pritet të nisë së shpejti.


“Porti turistik i Durrësit fillon brenda qershorit, që të jemi të saktë”. – u shpreh kryeministri Rama në emisionin Opinion, në fund të muajit prill.

Në fillim të korrikut, kur kishte skaduar afati i vendosur nga kryeministri për nisjen e punimeve, Faktoje i dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë se në çfarë faze ishte projekti.

Kërkesa zyrtare për informacion dërguar  Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë 

Ministria e Infrastrukturës ia delegoi këtë kërkesë Autoritetit Portual të Durrësit me argumentimin se nuk e zotëron informacionin e kërkuar, edhe pse ministrja Balluku ka deklaruar gjatë prezantimit të projektit madhor për Portin e Durrësit në mesin e muajit prill, se po bashkëpunohet ngushtë me kompaninë realizuese Emaar Group.

Përgjigjja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Në përfundim të afatit ligjor për kthimin e përgjigjes, Autoriteti Portual i Durësit, nuk dha informacion për pyetjet e Faktojes mbi projektin në fjalë.

Por, në 21 korrik, tri javë pas afatit të vendosur për nisjen e punimeve, kryeministri Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin e social facebook publikoi një video me maketin e projektit nga studio urbanistike të Emaar Group në Dubai, për Portin e Durrësit.

Screenshot nga faqja e facebook-ut të kryeministrit Rama

Në këtë postim konfirmohet se punimet për ndërtimin e portit, të premtuara se do nisnin brenda qershorit, pritet të nisin së shpejti.

Vendosja e afateve dhe shkelja e tyre për projekte madhore, ku bëjnë pjesë edhe ato të rindërtimit, është kthyer në fenomen tashmë dhe Faktoje ka verifikuar disa deklarata dhe premtime që kanë rezultuar të pavërteta.

Bazuar në informacionin e grumbulluar, Faktoje e kategorizon deklaratën e datës 30 prill nga kryeministrit Rama për nisjen e punës për portin turistik të Durrësit brenda qershorit, TË PAVËRTETË.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img