Rama, ministri “de facto” i Diellës

Dekreti i Presidentit për ministren AI futi në një diskutim të panjohur edhe sistemin juridik

48

Sebi Alla- Në një situatë të pazakontë, ligjore, kushtetuese, por edhe befasi anormale institucionale, kreu i shtetit Bajram Begaj dekretoi: “Zoti Edi Rama emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë”, por në kushte të panjohura më parë shtoi: “Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale ‘Diella”.

Ky është dekreti i datës 12 shtator i cili futi në një diskutim të panjohur edhe sistemin juridik në interpretime ligjore dhe kushtetuese.

Reagimi i Presidencës

Pa mbushur një orë nga nxjerrja e dekretit, Presidenca reagoi duke iu përgjigjur interesit mediatik mbi “ministren Diella”, përgjegjësinë e së cilës e merr kryeministri.

“Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik. Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene”, thotë zyrtarisht Presidenca. Në nenin 103 në pikën 1 thuhet: “Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet”.

Po a i ka këto cilësi Diella virtuale?

Avokat Ermal Hamataj thotë për Faktoje.al se, “nëse krijohet si strukturë, dhe me ligj krijohet si ministre e re, duke iu referuar dekretit, Rama do të njihet si ministër i saj de facto, pavarësisht se de jure është Diella”.

Sot Presidenti njoftoi se ka dekretuar vetëm Kryeministrin. 

Ministrat do të dekretohen dhe betohen në një ditë të mëvonshme.

“Ka një problem që ministri betohet, nuk është çështja vetëm tek dekreti. Nuk e di kush do e bëjë betimin në vend të Diellës, ka diçka të paqartë, pasi ministri duhet të jetë shtetas shqiptar dhe jo person virtual”, thotë për Faktoje.al, avokat Ledio Braho.

Formula e betimit të anëtarëve të qeverisë duke vënë dorën mbi Kushtetutë është e qartë  dhe Kushtetuta në këtë rast nuk parashikon “dorë virtuale” për betimin mbi të.

Kush është “ministre Diella”?

Diella e e-Albania, e krijuar nëpërmjet AI (Inteligjencës Artificiale), ndihmon në marrjen e  shërbimit në platformën e-Albania. Ndihmësja virtuale shfaqet e veshur me një nga kostumet tradicionale të zonës së Zadrimës.

Megjithatë, për kryeministrin, “Diella e e-Albanias” do të marrë një “post kyç”, madje në procedura të posaçme.

“Diella, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por vizualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale e një qeverie do të ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e Inteligjencës Artificiale në proceset qeverisëse dhe mandat të posaçëm për të shembur barrierat e paragjykimeve, frikave dhe ngurtësisë së administratës për të ndikuar ritmet e procesit qeverisës”, tha Rama në Asamblenë e PS-së teksa propozonte emrat e ministrave të rinj.