Në një deklaratë në fillim të muajit mars, zëvendësministrja e Shëndetësisë pohoi se Shqipëria është i pari vend në Ballkanin Perëndimor që nisi procesin e vaksinimit. Por nga verifikimi i Faktoje rezulton se Serbia, por edhe Veriu i Kosovës e kanë nisur këtë proces që në javën e tretë të dhjetorit të 2020, ndërkohë që Shqipëria e nisi në 11 janar, të këtij viti.
—————————————————————————————————————————————–
Zëvëndësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, më datë 2 mars, e ftuar në emisionin “Frontline” në News 24 u shpreh:
“Eshtë filluar vaksinimi me 11 janar në një kohë që Hollanda e ka filluar me 6 janar. Vetëm 5 ditë më pas e kemi filluar ne dhe e kemi filluar para gjithë Ballkanit Perëndimor.”
A është Shqipëria e para në Ballkanin Perëndimor që nisi vaksinimin?
Vendi i parë që mori vaksinën anticovid nga kompania Pfizer ishte Serbia. Në 22 dhjetor të vitit të kaluar, Serbia mori një sasi prej 4.875 dozash.
Këtë e ka deklaruar vetë Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë në Serbi Mirsad Djerlek.
“Një seancë e Ekipit Koordinues për Imunizim është duke u zhvilluar, dhe gjatë ditës ne do të dimë saktësisht se kush do t’i marrë vaksinat së pari, pasi që 4.875 doza kanë mbërritur tani. Ishte e rëndësishme që vaksina të mbërrijë në Serbi dhe që imunizimi të fillojë.”- është shprehur Djerlek.
Shqipëria e ka filluar vaksinimin më 11 janar, në të njëjtën ditë që në aeroportin ndërkombëtar Rinas mbërritën 975 vaksina anticovid, siç u raportua nga kryeministri Rama. Të parët që iu nënshtruan vaksinimit ishin disa mjekë që i përkasin frontit të parë të luftës nga spitalet covid në Tiranë.
“Vaksinimin do ta bëjnë ata që janë në vijën e parë. Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurtë, por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm dhe dokrrat me çipat e me manipulime të geneve e me transformime të ilirëve në vikingë apo aziatikë, janë qesharake.”- u shpreh kryeministri në 11 janar ose thuajse 3 javë pas Serbisë.
Edhe Kosova ka filluar vaksinimin në pjesën veriore të saj në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, me vaksinat e ofruara nga Serbia, siç konfirmoi edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
“Vaksinimi filloi në Leposaviq dhe do të vazhdojë kudo në Veri. Fillimisht do të vaksinohen të moshuarit mbi 65 vjeç, pastaj të tjerët”-ka thënë Vuçiq.
Ndërsa, qeveria në detyrë e Kosovës nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të kryeministrisë ka deklaruar që brenda muajit mars do të mbërrijnë 100 800 doza të vaksinës përmes programit COVAX.
Më datë 17 shkurt, Maqedonia e Veriut filloi vaksinimin pas një donacioni nga Serbia me 4.680 dozat e vaksinës nga kompania Pfizer/BioNtech. Të parët që morën injektimin e dozës së parë vaksinimit ishin mjekët e klinikës infektive në Shkup.
Nga verifikimet e kryera rezulton se Shqipëria nuk e ka nisur e para procesin e vaksinimit anticovid, ashtu sikurse deklaroi zëvendësministrja e Shëndetësisë Rakacolli, ndaj deklaratën e saj do ta kategorizojmë TË PAVËRTETË