Komisioni parlamentar për çështjet Europiane miratoi të premten në parim projektligjin për strategjinë kombëtare 2025–2030 për të luftuar ndërhyrjet e huaja dhe fushatat dezinformuese që cenojnë sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin në Shqipëri.

Drafti u prezantua nga Kryetari i Komisionit të Posacëm Parlamentar në luftën kundër Dezinformimit, Erion Braçe.

Qëllimi

Sipas Braçes, kjo strategji ka për qëllim forcimin e institucioneve për të parandaluar ndikimet e huaja që përpiqen të manipulojnë opinionin publik, të ndërhyjnë në zgjedhje, dhe të kontrollojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Deputeti i PS-se, Erion Brace, duke prezantuar projektligjin per strategjine kunder dezinformimit

“Shqipëria, si vend i NATO-s dhe kandidat për BE, është një objektiv i vazhdueshëm i sulmeve hibride, përfshirë dezinformimin dhe sulmet kibernetike”, tha Braçe, duke kujtuar edhe sulmet kibernetike ndaj  Shqipërisë që prej korrikut të vitit 2022, për të cilat janë fajësuar grupe të lidhura me Iranin.

Siguria kibernetike, sipas Braces, është shndërruar në një komponent kyç të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet gjithashtu me rritje të ndjeshme të incidenteve kibernetike. Vetëm në vitin 2023 pati një rritje me 40% të incidenteve të raportuara me mbi 1.2 milionë të dhëna personale që u ekspozuan nga shkeljet e sigurisë në vendet e rajonit gjatë vitit 2023 ndërsa sulmet u rritën me 200% brenda dy viteve. Këto  statistika nënvizojnë nevojën urgjente për masa gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sulmet

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është përballur me një seri sfidash komplekse që lidhen me dezinformimin, sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet e huaja, kryesisht nga Irani. Këto raste kanë testuar seriozisht kapacitetin institucional për të ruajtur sigurinë kombëtare, integritetin e informacionit por edhe besimin e publikut.

Faktoje.al ka përshkruar prej kohësh një tablo të cenueshmërisë së infrastrukturës së teknologjisë dhe të dhënave në Shqipëri, pas një serie sulmesh kibernetike të kryera kryesisht nga grupi iranian “Homeland Justice”. Faktoje ka raportuar edhe për sulme kibernetike në vendet e rajonit të inicuara edhe atje prej vitit 2022.    

Në rastin e Shqipërisë, sulmet kanë goditur institucione të rëndësishme si Kuvendi, INSTAT, AKSHI, Policia e Shtetit dhe operatorë privatë si kompania “One Albania”.

Ndërkohë, të premten paradite faqja e Bashkisë Tiranë ra. Grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice” pretendoi përmes disa postimeve në kanalin e tyre Telegram se janë ata që “kanë ndërprerë funksionimin e faqes zyrtare të Bashkisë, kanë nxjerrë të dhëna të ndjeshme dhe kanë fshirë të gjithë serverët”.

Fokusi

Strategjia e hartuar nga komisioni kundër dezinformimit fokusohet në katër shtylla kryesore:

Mbrojtja e zgjedhjeve dhe procesit demokratik

Rritja e sigurisë institucionale dhe kibernetike

Mbrojtja e ekonomisë, veçanërisht sektorëve strategjikë

Forcimi i medias së lirë dhe edukimi i qytetarëve kundër dezinformimit

Puna

Komisioni i posaçëm parlamentar kundër dezinformimit ka analizuar modele ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar (krahas aktorëve institucional) edhe me 19 ekspertë të jashtëm për të përgatitur një dokument që synon të pasqyrojë realitetin ku ndodhemi dhe masat që duhen marrë.

Por strategjia do të mbetet në letër nëse nuk do shoqërohet me një plan konkret veprimi që duhet të miratohet domosdoshmërisht nga qeveria brenda vitit 2025.

“Strategjia nuk është një dokument vetzbatues, ai kërkon një vullnet kombëtar dhe politik, buxhet, kapacitete njerëzore, bashkëpunim koordinim ndërinstitucional, madje edhe brenda Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe shkëmbim ndërkombëtar”, tha Brace

Ne foto: Nga mbledhja e Komisionit per Ceshtjet e Europes

Bojkoti

Duke mbetur tek vullneti politik, opozita ka bojkotuar punimet e komisionit të posacëm parlamentar qysh prej ngritjes së saj.

Të premten, deputeti i PD, Kreshnik Çollaku, e vlerësoi strategjinë në nivel teorik, por u shpreh skeptik për zbatueshmërinë e saj, duke theksuar se mungesa e opozitës në komision ka qenë një dobësi. Sipas tij, pa vullnet real për zgjedhje të lira dhe pa adresuar konfliktet politike të brendshme, Shqipëria mbetet e brishtë përballë ndërhyrjeve të huaja.

“Strategjia që ju paraqisni, nuk kam asnjë fjalë kundër, por nuk mendoj se ka gjetur përgjigjet e duhura për të krijuar imunitet të vendit ndaj goditjeve hibrite e destabilizuese…”, tha Çollaku në mbledhjen e komisionit parlamentar për cështjet evropiane.

Deputeti i PS në komision, Etjen Xhafaj, paralajmëroi për rreziqet që vijnë nga jashtë përmes propagandës masive në rrjete sociale dhe nevojën për struktura më të forta për t’i përballuar.

“Vetëm vjet në verë sipas Bloomberg më shumë se 84 mijë faqe sociale dhe ëebside kanë publikuar lajme kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipërisë, në hark kohor të disa javëve. Ne nuk duhet të lejojmë të krijohen vatra konflikti dhe teksa ne merremi me cic-mice, ka të tjerë që nuk duan zhvillimin e vendit, dhe teksa merremi me njëri-tjetrin duhet të shohim kush tenton t’i vërë flakën shtëpisë…”, tha ai

Komision i përhershëm?

Nga ana e tij, deputeti Braçe tha se, puna e komisionit është fokusuar vetëm në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe jo të hetojë.

Brace lajmëroi se synimi është që ky komision të shndërrohet në një strukturë të përhershme të Kuvendit që të garantojë zbatimin e strategjisë dhe bashkëpunimin e domosdoshëm mes institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, komisioni kundër dezinformimit nuk i merr kompetencat askujt.

Artikulli paraprakI manipuluar imazhi i Tel Avivit në flakë
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.