Gisela Troplini
Gjatë prezantimit të programit qeverisës nga Kuvendi në shtator 2021, zv.Kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj deklaroi se “mbështetja e dedikuar e qeverisë për menaxhimin e efekteve të pandemisë është sot e barabartë me rreth 5% të PBB-së.”
Ky konstatim gjendet i shprehur edhe në programin zyrtar të qeverisjes për mandatin e tretë, të publikuar po në të njëjtën ditë në portalin zyrtar shtetiweb.org.
Tani që të dhënat zyrtare mbi buxhetin e vitit 2021 janë të konsoliduara, është koha për të verifikuar nëse mbështetja financiare ka qenë në kuotën e deklaruar nga qeveria.
Sipas të dhënave të opendata.al rezulton se buxheti dedikuar shëndetit publik gjatë vitit 2020, në total ishte 39.625 mld lekë dhe një vit më vonë, në 2021-ishin ishte, 57.356 mld lekë. Përkatësisht sa 3.1 dhe 3% ndaj PBB-së sipas viteve.
Në korrik të vitit 2021, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vlerësoi se suporti i qeverisë për kujdesin shëndetësor gjatë vitit 2020, ishte në total sa 2.8% e PBB-së së vendit. 1.4% në paketën e parë, 0.4% në paketën e dytë dhe pjesa tjetër nga rialokimi i fondeve të mbrojtjes.
Për vitin 2021, në përditësim të raportit në muajin nëntor, FMN e vlerësoi buxhetin dedikuar kujdesit shëndetësor lidhur me Covid-19, sa vetëm 1 % e PBB-së së vendit.
Në të njëjtën shifër, u raportua dhe suporti fiskal i qeverisë gjatë vitit 2020, përfshirë shtyrjen e pagesave apo taksave.
Në nëntor të 2021-shit, edhe Fondacioni Westminster për Demokraci, WDF, raportoi se fondi i dedikuar kujdesit anti-Covid gjatë 2020-s, është sa 3.1% e buxhetit total dedikuar shëndetësisë.
Sipas WDF-së, Shqipëria është vendi i parafundit në Europë, për më pak shpenzime mbi shëndetin me 297 euro për frymë duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut me 255 euro.
Të treja këto burime konfirmojnë se mbështetja buxhetore e qeverisë për të mbrojtur shqiptarët nga pandemia e nuk arritën asnjë herë tek 5 për qind e PBB-së ashtu siç deklaroi zv.Kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, dhe është shprehur qeveria në programin e saj.
Madje edhe në 2020 kur ishte viti i parë i pandemisë dhe paratë buxhetore nuk u kursyen dhe pati mjaft investime kapitale shpenzimet dedikuar shëndetësisë sipas Bankës Botërore arritën në vetëm 4.6% të PBB-së, përfshirë financimet e jashtme.
*Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.