.

.

BallinaPremtimeQeveria në garë me kohën dhe premtimet e veta për vaksinimin e kategorive të rrezikuara nga Covid-19

Qeveria në garë me kohën dhe premtimet e veta për vaksinimin e kategorive të rrezikuara nga Covid-19

ELISA GJERANI

Plani kombëtar i vaksinimit të popullsisë së Shqipërisë, bie ndesh me premtimet dhe përllogaritjet e kryeministrit Edi Rama. Plani parashikon që kategoria e të moshuarve do të vaksionohet në muajin maj, ndërsa kreu i qeverisë premtoi se ky proces do të nisë brenda shkurtit. Por procesi i vaksinimit për mjekët e vijës së parë, është ende larg parashikimeve. Në vendin tonë rezulton se deri më tani, kanë humbur jetën 35 mjekë, 5 infermierë, 20 mësues, ndërsa në radhët e policisë rezultojnë rreth 1800 të infektuar dhe 24 jetë të humbura.


Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të tentojë t’i qëndrojë skenarit të parë të vaksinimit ndaj Covid-19, që parashikon shtrirjen e këtij procesi në 14 muaj. Ai është treguar ambicioz, kur deklaroi se brenda shkurtit do të fillojë edhe vaksinimi i të moshuarve.

Ne iu referuam planit kombëtar të vaksinimit për Covid-19, ku rezulton se procesi është ndarë në katër faza, sipas grupeve prioritare. Sipas skenarëve të përmendur nga kryeministri Rama, çdo fazë do të zgjasë nga 3.5 muaj sipas skenarit I, 4.5 muaj sipas skenarit II dhe 6 muaj sipas skenarit III.

*Strategjia e vaksinimit, burimi Ministria e Shëndetësisë

Grupi A1

Janë 17 mijë punonjësit shëndetësorë të vijës së parë, pra ata që shërbejnë në spitalet COVID, në urgjenca, në shërbimin e reanimacionit të spitaleve dhe kanë kontakt të ngushtë me pacientët (personeli i cili kryen marrjen e mostrës dhe testimin, që kryen hetimin dhe gjurmimin në terren). Rreth 75% e stafit spitalor, që në total ka 23 mijë punonjës.

Grupi B1

Janë të gjithë personat që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe institucione të kujdesit shëndetësor dhe social afatgjatë.

Kryeministri Rama deklaroi se brenda muajit shkurt do të fillojë vaksinimi i moshës së tretë.

Do vazhdojë me mjekët dhe infermierët. Kur të vijnë dozat e shkurtit do vijojnë me moshat e thyera”- tha Rama.

Por vaksinimi i këtij grupi, që deklarohet nga kryeministri Rama, në planin kombëtar parashikohet të kryhet në fazën e dytë.

Në fazën e dytë do të vaksinohen personat e moshuar, ku fillimisht do të vaksinohen Grupi B2.1. ata mbi 90 vjeç, më pas B2.2. mbi 80 vjeç, B2.3. mbi 70 vjeç dhe B2.4. mbi 65 vjeç, pavarësisht sëmundjeve bashkëshoqëruese”- thuhet në Planin Kombëtar të Vaksinimit. Në këtë fazë pritet të vaksinohet edhe pjesa tjetër e stafit shëndetësor që mbetet nga faza e parë. Kjo fazë pritet të fillojë minimalisht në fillim të muajit maj 2021.

Në radhët e bluzave të bardha ka pakënaqësi

Humbja e jetëve në radhët e bluzave të bardha për shkak të Covid-19, ka qenë e lartë. Në bazë të asaj që media ka raportuar në këto 11 muaj pandemi, 35 mjekë humbën jetën, ndërsa numri i të infektuarve nuk dihet zyrtarisht.

I gjithë procesi lë shumë për të dëshiruar. Mjekët dhe infermierët kanë qenë shumë të frikësuar, pasi nuk ka pasur asnjë transparencë në informacion për dozat e para. Ka pasur edhe nga ato raste që ka shkaktuar reaksion, por që nuk është bërë publik, pasi jo të gjithë organizmat reagojnë njësoj, ose raste infektimesh në pritje të dozës së dytë, e cila vonoi më shumë se periudha e përcaktuar”- tha për Faktojen Elson Jacaj, kryetar i sindikatës së infermierëve, i cili shton se kjo kategori mbetet ndër më të rrezikuarat.

Deri më tani, burime konfidenciale thanë për Faktoje se ka 1800 të infektuar nga rreth 15 000 infermierë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa 5 prej tyre kanë humbur jetën nga Covid-19.

Kemi qenë te vetmit që kemi kërkuar me ngulm vaksinimin, pasi nuk kemi as veshjet e duhura dhe jemi shumë të rrezikuar. Për të gjithë personelin infermieror do të duheshin 2 vite, me këtë ritëm që po ecën vaksinimi. Vetëm spitalet Covid 1 dhe 2 po vaksinohen aktualisht”- tha kreu i sindikatës së infermierëve Jacaj.

Të martën e 16 shkurtit, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, gjatë një vizite në Shkodër, njoftuan nisjen e vaksinimit edhe për të moshuarit në shtëpitë e kujdesit.

“Sot jemi në Shtëpinë e të Moshuarve në kuadër të vaksinimit të kombinuar, siç e kemi prezantuar. Do të bëjnë vaksinat të gjithë të moshuarit që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, qofshin publike apo private ato, por edhe stafet që shërbejnë aty”- tha Manastirliu.

Pak ditë më parë, ne pyetëm pranë qendrës së të moshuarve në zonën e ‘Ali Demit’ në kryeqytet se kur do të nisë vaksinimi. Drejtoresha e këtij institucioni ku strehohen 40 të mohuar, Anila Peçi u përgjigj:

Kemi dërguar të dhënat e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë, tani presim se nuk ka një informacion zyrtar se kur do të nisë ky proces.

Por, stafet shëndetësore dhe të moshuarit nuk janë grupet e vetme të rrezikuara nga Covid 19, pasi ka edhe grupe të tjera, siç janë policët dhe mësuesit.

Ne kontaktuam me Kreun e Sindikatës së Arsimit Isa Halilaj, për të zbuluar të tjera hollësi mbi situatën.

Nuk po përmenden më mësuesit, nga institucionet përkatëse të kujdesit shëndetësor. Kemi thënë që në fillim të pandemisë se mësuesit me sëmundje bashkëshoqëruese dhe ata mbi 50 vjeç duhet të ishin të parët që duhet të vaksinoheshin, pasi janë në kontakt me nxënës. Ne e dimë që ky virus nuk manifeston simptoma tek fëmijët, por ata janë transmetues të këtij virusi. Nuk është marrë asnjë masë fare. Ndërsa mjekët kanë mburojë dhe veshje specifike, mësuesit janë krejt të pambrojtur!”- thotë i alarmuar Halilaj.

Në nivel kombëtar janë rreth 36 000 mësues dhe edukatorë, ndërsa 20 prej tyre kanë humbur jetën deri më tani nga ky virus. “Ndërsa kemi një numër shumë të madh mësuesish të infektuar”, shprehet kreu i sindikatës, duke shtuar se ka pasur mungesë transparence në shumë raste.

Ka pasur raste që mësuesit ka qenë me Covid dhe nuk është bërë publike kjo gjë, duke vijuar kështu mësimin. Ka shumë raste që s’janë deklaruar nga instancat përkatëse. 36 000 mësues kemi në total në vendin tonë, ku gjysma e tyre e ka kaluar Covid 19”- thotë Halilaj.

Ai gjithashtu deklaroi për Faktojen se ka kërkuar informacion në Ministrinë e Arsimit për faktin se kur do të vaksinohen mësuesit, por nuk ka marrë një përgjigje.

Edhe ne iu drejtuam për informacion zyrës së shtypit të MASR lidhur me planifikimin e vaksinimit të mësuesve.

Nuk kemi një datë se kur do të nisë vaksinimi i mësuesve. Jemi një hallkë që s’ka lidhje me këtë gjë, për këtë drejtojuni Ministrisë së Shëndetësisë”- tha në një bisedë telefonike zëdhënësi i këtij institucioni Eridon Kotrri.

Ndërkohë një tjetër target grup i ekspozuar ndaj infektimit me Covid, janë policët.

Sipas të dhënave nga burimet konfidenciale, deri më tani janë infektuar rreth 1800 policë nga 12 000 gjithsej, ndërsa 24 prej tyre nuk kanë mundur të fitojnë dot betejën në përballje me këtë virus.

Sadetin Fishta, drejtuesi i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, thotë për Faktoje:

Policët duhet të kishin qenë të dytët në radhë, fill pas mjekëve, për të nisur procesin e vaksinimit. Për shkak të prekshmërisë që ka, ata duhet të vaksinohen menjëherë pasi kanë kontakt direkt me qytetarët. Vetëm gjatë kësaj kohe, 10 prej tyre janë të intubuar.”

Ne kontaktuam nëpërmjet telefonit, me zëdhënësin e Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, të cilin e pyetëm nëse është në dijeni të ndonjë fati se kur pritet të nisë vaksinimi i kësaj kategorie.

Kur të mbarojnë mjekët do të nisë me policët, nuk dimë më shumë”-tha shkurtimisht ai.

Por, kur është planifikuar vaksinimi i mësuesve dhe policëve sipas planit kombëtar?! Ata janë kategorizuar në grupin B4, i cili parashikohet të vaksinohet në fazën e dytë.

Në varësi të sasisë së vaksinave, në këtë fazë do të vaksinohen edhe punonjës të shërbimeve kritike për shoqërinë si psh. mësues, edukatorë, forcat e rendit, punonjës të shërbimit elektrik, ujësjellësit dhe kanalizimeve, forcat zjarrfikëse, punonjës të telekomit apo transportit publik”- thuhet në Planin Kombëtar të Vaksinimit.

Ndërkohë, në rast të mungesës së vaksinave, ata do të vaksinohen në fazën e tretë, ku është përllogaritur që numri i njerëzve të vaksinuar, pra pas 11 muajsh, do të përbëjë 50% të popullsisë.

Ndërsa faza e fundit e vaksinimit, pra pas më shumë se një viti i takon pjesës tjetër të popullsisë. Duhet theksuar se ky është skenari më ambicioz i qeverisë për të realizuar vaksinimin, pasi skenari i fundit ka një afat 24 mujor, duke dyfishuar kohën e pritjes për secilën kategori.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img