.

.

BallinaFaktometerE vërtetëQeveria hap thesin për pensionistët prag zgjedhjesh

Qeveria hap thesin për pensionistët prag zgjedhjesh

Qeveria trefishoi shpërblimin e fundvitit për pensionet minimale dhe dyfishoi bonusin për ato mbi 20 mijë lekë. Një tjetër shpërblim iu premtua 791 mijë pensionistëve edhe në pranverë. Vëmendja ndaj tyre sipas ekspertëve fsheh qëllime përfituese për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Esmeralda Topi 

Kryeministri ka nisur një fushatë informimi me pensionistë nga veriu në jug duke u premtuar të moshuarve rritje pensionesh mandatin e ardhshëm. Paralelisht me këtë premtim të ricikluar të një dekade më parë, gjatë takimeve Rama lajmëroi se qeveria po planifikonte si masë të menjëhershme rritjen e bonusit të fundvitit duke nisur nga ky dhjetor. 

“Tani ne po përgatitemi që të bëjmë një bonus tjetër të ri që të jetë një bonus i përvitshëm dhe të jetë natyrisht më i lartë se ky që është se ndryshe për çfarë e diskutojmë?”, deklaronte Rama nga Fieri. 

Sipas kryeministrit, ky do të jetë një hap i përhershëm. 

“Pra nuk është bonus “hajde po e bëjmë këtë vit, pastaj shikojmë vitin tjetër. Është një fond që ne do ta lëmë mënjanë në çdo buxhet për pensionistët”- angazhohej ai. 

Fakt

Pas disa vitesh shpërblim në masën 5 mijë lekë në fundvit, mbi 791 mijë pensionistë në të gjithë vendin këtë dhjetor do të marrin nga 100 deri në 150 Euro bonus. 

“Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 Eurosh. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme, përmes një bonusi në masën 100 euro.”,deklaroi kryeministri në fjalën hapëse të diskutimeve për buxhetin e vitit 2025.   

Po ashtu, kryeministri lajmëroi se po përgatitet një tjetër shpërblim për pensionistët vitin tjetër, të cilin e pagëzoi si ‘bonusin e pranverës’.

“Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere.”, argumentoi Rama, teksa theksonte se vitin e ardhshëm do të jetë gati edhe plani i rritjes së pensioneve. 

Bonus zgjedhor 

Në prag të një viti zgjedhor, qeveria zgjidhi qesen për pensionistët, një nga shtresat më vulnerabël të shoqërisë- teksa u premton rritje pensionesh mandatin e ardhshëm. 

Këto premtime, studiuesi Afrim Krasniqi i vlerëson si akte që bien në kushndërshtim me standardet e integritetit- shkelje të etikës dhe praktikës së mirë zgjedhore dhe një ndërhyrje me qëllime përfituese në fushatën e ardhshme elektorale. 

Përshembull KQZ të mbajë shënim të reagojë në mënyrë publike për standardet zgjedhore dhe ta konsiderojë këtë si një akt që duhet hetuar dhe nga ana administrative. KLSH po ashtu, organet e prokurorisë po ashtu për të parë nëse kemi të bëjmë me një abuzim me fonde shtetërore dhe publike në funksion të një kalkulimi elektoral.”, argumenton Krasniqi. 

Sipas tij, një shtet i cili do të hyjë në BE nuk ndërmerr akte të tilla dhe duhet të ketë mekanizma reagimi. 

“Është zhgënjyese që PS dhe vetë zoti Rama mbyll mandatin e tretë dhe pretendon mandatin e katërt duke paraqitur si ofertë sjellje dhe menatalitet që Shqipëria duhet t’i ketë lënë pas të paktën dy dekada më pare – për të cilat ai kur ka qënë në opozitë ka folur me zë të lartë kundër.”, përfundon Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.

Pension i 13-të

Aktualisht në Shqipëri jetojnë 791,257 pensionistë. Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, thotë se vëmendja e shtuar e qeverisë ndaj tyre lidhet me faktin se ata janë votuesit më aktivë. 

“Unë gjykoj se përtej ndihmës ekonomike që ju jep qeveria përmes bonusit, pensionistët shihen edhe si votues dhe kjo për faktin se ata janë votues aktivë.”- thekson ajo.

Teksa e vlerëson trefishimin dhe dyfishimin e bonusit, Nunaj e sheh si më të dobishëm pensionin e 13-të.  

“Përveç aspektit ekonomik që kthehet në një detyrim ligjor i përvitshëm për të gjitha qeveritë, pensioni i 13-të është më dinjitoz se bonusi, pasi nuk i lë pensionistët me ankthin e pritjes sesa do jetë bonusi i fundvitit, në këtë mënyrë ju mbron atyre dinjitetin.”- gjykon më tej Nunaj.

Një në pesë shqiptarë sot është i moshuar. Prej gati tre muajsh kjo shtresë e ka gjetur veten në qendër të diskursit politik. Socialistët që erdhën në pushtet në 2013 me premtimin për pensione dinjitoze, sot riciklojnë të njëjtin premtim duke kërkuar mandatin e katërt. 

Nga ana tjetër Partia Demokratike, forca më e madhe opozitare, premton rritje të pensioneve me 20 për qind. 

Ndërsa Lëvizja Bashkë, një lëvizje e re politike, organizoi disa protesta para kryeministrisë me qindra pensionistë që ju bashkuan thirrjes për pensione dinjitoze. 

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit se ‘bonus i përvitshëm të jetë natyrisht më i lartë se ky’ do ta kategorizojmë të vërtetë. 

#bonus#pensione#qeveri#zgjedhje#rama

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img