Deklaratat e qeverisë në fund të muajit nëntor, për sigurimin me sukses të vaksinës kundrejt 3.9 mln dollarëve, përmes instrumentit Covax, u zëvendësuan nga zotimet se vaksina do sigurohej në rrugë të tjera. Në mungesë të sqarimit publik për këto alternativa, në 11 janar qeveria nisi një ‘aksion blitz’ vaksinimi me 975 doza, për të cilat nuk ka njoftim zyrtar se nga erdhën dhe në ç’kushte. Faktoje, në kërkim të transparencës mbi këtë proces iu drejtua dhe mori përgjigje nga Pfizer, Covax dhe disa ambasada, ndërsa Kryeministria dhe Ministria e Shëndetësisë po heshtin.
————–
“Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milion dollarë për të siguruar vaksinën antiCOVID për grupet e riskuara, për 20% të popullatës. “
Kjo është deklarata që ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri në datën 27/11/2020.
Pagesën e shumës 3.9 milionë dollarë, e kishte kofirmuar më herët edhe kryeministri Rama në seancën parlamentare të 16/11/2020.
“Sot, qeveria shqiptare, brenda afatit të përcaktuar që skadon mesnatën e ditës së sotme, ka paguar edhe kaparin për Covax. Pra, kemi hyrë në rrjetin e shteteve që kemi prenotuar aksesin në vaksinën që pritet të dalë në muajt që vijnë.”
Pa kaluar 2 muaj nga kjo deklaratë, kryeministri Rama komunikoi publikisht se është e papërcaktuar ende koha për të cilën duhet të presim vaksinën nga kompania COVAX. Në 11 janar, kryeministri Rama njoftoi mbërritjen e sasisë prej 975 dozash vaksine, në mungesë të plotë të transparencës.
Por çfarë ndodhi ndërkohë me marrëveshjen për sigurimin e vaksinave nga COVAX, që sipas qeverisë është paguar me 3.9 mln dollarë?
Faktoje iu drejtua me një e-mail kompanisë COVAX në datën 13 janar, ku kërkuam të mësojmë se çfarë po ndodh me procesin e sigurimit të vaksinave për shtetin shqiptar.
Nga përgjigjja që Covax i ktheu Faktoje, mësohet se sasia e parë e vaksinave, në rastin më të mirë nuk vjen më herët sesa muaji shkurt dhe mbulon jo më shumë se 3% të kërkesave të populsisë. Kontigjenti tjetër, sërish në skenarin më të mirë, bazuar në këtë përgjigje, vjen pas muajit qershor të këtij viti.
“Qëllimi i deklaruar i COVAX është t’i japë fund fazës akute të pandemisë në mbarë botën, duke shpërndarë 2 miliardë doza vaksinash të sigurta dhe efektive, deri në fund të vitit 2021. Shumica e tyre do të dorëzohen në gjysmën e dytë të vitit. Ne parashikojmë që të jenë në gjendje t’i sigurojnë secilës ekonomi pjesëmarrëse këstin e parë – mjaftueshëm për të mbrojtur afërsisht 3% të popullsisë – në gjysmën e parë të vitit 2021. Ky proces mund të fillojë që në shkurt në pritje të rezultateve të favorshme rregullatore dhe gatishmërisë së sistemeve shëndetësore dhe sistemeve rregullatore kombëtare në ekonomitë individuale pjesëmarrëse.”-thuhet në përgjigjen për Faktoje.
*Screenshot nga përgjigjja e kompanisë Covax
Qeveria e zhgënjyer nga Covax, proces jo transparent për të siguruar vaksinat në rrugë të tjera
Në datën 11/01/2021 nisi një proces “blitz” vaksinimi në mjediset e stadiumit Air Albania, i njoftuar papritur nga kryeministri Rama.
“Shifra që nisim sot është 975. Javën e tretë vijnë 10,750 doza nga Pfizer, ndërkohë mes sot dhe kësaj që thashë presim dhe 2000 doza nga vendi mik.”- tha Rama I cili refuzoi publikisht të tregonte se nga cili shtet erdhën këto vaksina dhe në çfarë kushtesh.
Kjo deklaratë nxiti një debat të madh në opinionin publik dhe veçanërisht mes ekspertëve, të cilët hodhën dyshime për mënyrën sesi u sollën këto vaksina.
Në një intervistë për News 24,mjeku Artan Koni tha:
“Nëse vendi që i solli nuk do të bëhet publik, të paktën të bënim një transport më transparent, pa pikëpyetje. Për ne mjekët nuk ekziston termi ‘dorazi’. Dorazi ne çojmë kaçkavall në Itali te kushërinjtë tanë, një rrobë te të njohurit tanë, që ia japim shoferit ta dërgojë.”
Sipas Konit, Shqipëria mund të marrë sasi të vogla vaksinash nga donacione, marrëveshje dypalëshe, por sasinë kryesore duhet ta sigurojë Covax me të cilën është bërë marrëveshja.
“Dje kryeministri tha se po të presim Covax, nuk dihet kur do të vijnë vaksinat. Pra, ishte hera e parë që dëgjova një zyrtar të shprehë dyshime për Covax. Atij duhet t’ia ketë sqaruar dikush nga Komiteti Teknik që skema e Covax nuk funksionon.”-tha Koni.
Misteri mbi 975 vaksinat dhe kontratën e qeverisë me Pfizer
Disa ditë para se të mbërrinte sasia prej 975 vaksinash, çka ngjalli debat në opinion publik për mungsën e transparencës, Faktoje kishte komunikuar me kompaninë Pfizer të cilës I drejtuam këto pyetje.
1-Sa është numri i vaksinave të porositura nga qeveria shqiptare dhe sa është paguar?
2-Cila është sasia e parë që pritet të arrijë në Shqipëri?
3- Kur do të sillet kjo sasi në Shqipëri?
Në përgjigjen e saj, komania Pfizer na informon se diskutimet që bëhen me qeverinë shqiptare janë konfidenciale dhe se nuk mund të japë asnjë informacion mbi pyetjet e ngritura nga Faktoje.
Përtej kontratës së mistershme me Pfizer, kryeministri Rama, sërish në mungesë të transparencës njoftoi:
“Jemi angazhuar dhe me kanale te tjera, kontaktuam ne New York drejtpërdrejt dhe njëkohësisht kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale, ne 4 vende dhe vaksinimi sot është një marrëveshje me një nga këto vende, që nuk jam i autorizuar ta them, sepse ashtu e kërkojnë.”
Në përpjekje për të hedhur dritë mbi këtë proces me shumë pikëpyetje, në 12 janar, Faktoje u dërgoi kërkesa për informacion 20 ambasadave dhe konsullatave të Bashkimit Europian në Tiranë, për të mësuar nëse kanë dhuruar vaksina anti-Covid shtetit shqiptar.
Ambasada gjermane u përgjigj se nuk disponon ndonjë informacion në lidhje me vaksinën e dërguar më 11 janar, përgjigje që nuk përjashtonte mundësinë se 975 vaksinat mund të ishin dërguar nga Gjermania.
*Përgjigje nga Ambasada Gjermane
Pas ambasadës së Gjermanisë, pyetjes së Faktoje iu përgjigjën edhe ambasada e Austrisë, Hungarisë dhe Çekisë, të cilat mohuan të kenë dërguar në formë donacioni vaksina anti-Covid19. Ndërkohë ambasada e Kroacisë dhe ajo e Hollandës janë duke parë mundësinë e dërgimit të vaksinave, por në periudhë të mëvonshme.
*Përgjigjja nga ambasada e Hollandës
*Përgjigjja nga ambasada e Kroacisë
*Përgjigja nga ambasada e Çekisë
Në të njëjtën ditë që pyetëm përfaqësitë e vendeve të BE, kërkuam informacion edhe nga Kryeministria dhe Ministria e Shëndetësisë për të njëjtën çështje.
*Kërkesë për informacion dërguar kryeministrisë në 11.01.2021
*Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë në 11.01.2021
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjë nga dy institucionet nuk ka kthyer përgjigje, siç ndodh rëndom.