.

.

Qendër e re për të moshuarit në Lezhë

Ngritja e një qendre rezidenciale për moshat e treta në Lezhë ishte një ndër premtimet kryesore të Pjerin Ndreut gjatë fushatës elektorale të majit 2023. Nga verifikimet rezulton se Bashkia e Lezhës ka planifikuar 23 milionë lekë për ngritjen e qendrës në vitin 2026.

Esmeralda Topi

Gjatë takimeve elektorale të majit 2023, kandidati socialist për Bashkinë e Lezhës Pjerin Ndreu, premtoi ndërtimin e një qendre të re për moshën e tretë.

“Ndër të tjera shpalosëm projektet konkrete që i përfshijnë në vetë të parë, siç është projekti për qendrën e moshës së tretë…”, premtonte Ndreu pas një takimi me ish ushtarakë dhe veteran.

Pjerin Ndreu fitoi mandatin e dytë në krye të Bashkisë Lezhë me 18,299 vota. 

Fakt

Nga verifikimet e Faktoje rezulton se premtimi i kryebashkiakut Ndreu është pjesë e projekteve prioritare të Bashkisë Lezhë në buxhetin afatmesëm 2025-2027.

Investimi parashikohet të arrijë vlerën e 23 milionë lekëve dhe do të mbulohet me fonde të Bashkisë. Financimi planifikohet pas dy vitesh. Të njëjtin afat e konfirmon zyrtarisht edhe Bashkia në një përgjigje për Faktoje.al.

“Për qendrën e moshës së tretë Bashkia ka buxhetuar një shumë të caktuar e cila do të investohet në 2026.”, shprehet Bashkia.

Të vetmen pikëpyetje lidhur me qendrën e re rezidenciale për të moshuarit, Bashkia e Lezhës e ka me vendndodhjen.

“…jemi akoma në fazën e eksplorimit të aseteve që bashkia disponon për vendndodhjen e saj.”, përfundon përgjigjen zyrtare Bashkia Lezhë.

Qendra aktuale me kyç

Qendra e parë për Moshën së Tretë në qytetin e Lezhës u hap 16 vite më parë falë një bashkëpunimi mes Bashkisë dhe Kryqit të Kuq Shqiptar.

Bashkia rindërtoi një garazh të amortizuar në lagjen Besëlidhja duke e shndërruar në një qendër ditore të frekuentuar nga të moshuarit lezhjanë. Sipas Bashkisë, qendra vizitohej çdo ditë nga 80 të moshuar, kryesisht burra.

Qendra ishte e hapur çdo ditë nga ora tetë e mëngjesit deri në orën dy pasdite.

Në të, ofrohej kafe dhe çaj falas, përditësim i shtypit të ditës, lojra si domino, tavëll apo shah, si vizita mjekësore falas herë pas here.

Dhjetë vite më vonë, pranë shkollës “Gjergj Kastrioti” Bashkia e Lezhës përuroi mjediset e reja të qendrës ditore për të moshuarit.

Sipas orareve të vëna në dyert e qendrës, kjo hapësirë duhet të ishte e hapur nga ora tetë e mengjesit deri në mesditë. Pasditeve orari i parashikuar është tre me shtatë.

Por paraditen e 15 tetorit, qendra ishte e mbyllur.

Dy të moshuar u kthyen nga rruga pasi gjetën derën me kyç, ndonëse ora ishte 11.00 e paradites.

“Zakonisht është e hapur, por sot jo.”, pohoi shkurt njëri prej tyre.  

Përfundim

Bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për qendrën e moshës së tretë, e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img