Erjola Azizolli
Qarku Durrës mbylli procesin e votimit qetësisht. Në mbrëmje vonë filloi edhe zhvendosja e materialeve zgjedhore. Qarku i Durrësit ka 7 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Ecuria e ditës së zgjedhjeve
Nryshe nga mbyllja e kutive, procesi zgjedhor në Durrës nisi me probleme ku në disa qendra votimi janë hapur me vonesë dhe qytetarët kanë nisur të votojnë pas orës 07:00, ndërsa në disa prej qendrave të votimit vëzhguesit e Shoqërisë Civile raportuan se nuk ishin ndezur kamerat dhe pse ora kaloi nga 08:00.
Ndërsa prania e medias dhe filmimi i procesit nga operatorët është pritur me tensione nga disa komisionerë në Qendrën e Votimit të vendosur në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Në orën 09:00 në KZAZ numër 22 në qytetin e Durrësit janë raportuar disa probleme pas nisjes së procesit, e cila numëron 50 Qendra Votimi (QV).
Sipas kryetarit të saj, Krenar Hasanaj, vetëm në 1 Qendër Votimi procesi nisi 30 minuta me vonesë, sepse ishin 4 nga 7 komisonerë, duke nisur vetë pas plotësimit të numrit të tyre, ndërsa mugesa e operatorit të pajisjes së identifikimit elektronik të votuesve solli vonesa për disa minuta në një QV. Ndërsa në 2 QV po vijon procesi me 6 nga 7 komisionerë.

Pamje nga procesi i votimi në Durrës, 11 maj 2025
Në orën 9:30 Komisioni i Qendrës së Votimit me numër 1460 në Durrës po orienton zgjedhësit që fletën e votimit ta palosin vetëm një herë, duke lënë hapësira për ekspozimin e saj gjatë hedhjes në kuti, kjo ka bërë që të reagojnë vëzhduesit. Ndërsa në qendrat e votimit të vendosura në shkollën 9 vjeçare “Marie Kaçulini” në Durrës konstatohen persona të paautorizuar që hyjnë në Qendrat e Votimit për të pyetur për ecurinë e procesit.
Ndërsa vëzhguesit e QV-ve në këtë shkollë orientojnë nga afër qytetarët për mënyrën e votimit në fletë, kryesisht të moshuarit. Edhe në QV të tjera janë konstatuar aktivistë partiakë të angazhuar në orientimin dhe procedurat e verifikimit të zgjedhësve.
Në orën 10;00 në Qendrat e Votimit në periferi të Durrësit, përfshirë QV-të e vendosura në Shkollën 9 vjeçare “Neim Babameto” në Spitallë, ka prani të shumtë të personave të paautorizuar të cilët janë vendosur në të dy anët hyrëse të saj, duke vështirësuar hyrjen e zegjdhësve.
Sipas KQZ, përditësimit të orës 12:00 aktualisht pjesëmarrja në votime është 20,51%.
SHIFRAT
Në qarkun e Durrësit janë ngritur 7 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).
Qarku i Durrësit përfshin gjithsej 377,020 zgjedhës të regjistruar, mes tyre 25,014 emigrantë që gëzojnë të drejtën e votës, ku rreth 77% e zafarve kanë mbërritur në KZQ.
Pjesën më të madhe të zgjedhësve e ka Durrësi, me 272,888 votues, ndjekur nga Kruja me 66,140 votues dhe Shijaku me 37,992 votues gjithsej.
Qarku Durrës ka 493 qendra votimi, nga të cilat 346 janë në bashkinë Durrës, 54 QV në Shijak dhe 93 QV në bashkinë Krujë.