Pretendimi: Lady Gaga iu përgjigj me një puthje në buzë gruas që e mallkoi
Verdikti: Mungon konteksti
Nga Barbara Halla
Në rrjetet sociale shqiptare po qarkullon një klip i këngëtares dhe aktores Lady Gaga duke puthur në buzë një grua tjetër. Ky klip është shpërndarë pa kontekst, duke pretenduar se bëhet fjalë për një skenë nga jeta personale e Lady Gaga. Por klipi në fjalë është një skenë nga filmi Joker: Folie à Deux, ku Gaga luan personazhin kryesor, Harley Quinn.

Në disa klipe në mediat sociale dallohet vetëm figura e Lady Gaga, duke ngjitur shkallët, kur një grua e ndalon duke i bërtitur në anglisht “do shkosh në ferr.” Gaga ndalon dhe e puth gruan në buzë duke e lënë atë të shtangur. Rezulton se ky klip është shkëputur nga një video më e gjatë, ku dallohet qartazi që bëhet fjalë për një shesh xhirimi. Në videon e plotë, mund të vihen re dhe kamerat që e ndjekin Lady Gaga në rol.


Në fund të videos, dallohet po ashtu Gaga që flet me regjizorin e filmit, Todd Phillips.


Ky klip qarkullon në rrjet që prej marsit të vitit 2023, kur një fans e kishte xhiruar skenën nga telefoni i tij. Në muajt në vazhdim, fansat spekuluan për filmin që ende nuk kishte dalë në kinema. Kjo skenë u rikthye në vemendjen e publikut me daljen e filmit Joker: Folie à Deux në kinematë amerikane. Diskutimi kësaj rradhe kishte të bënte më faktin se regjizori vendosi të mos e përfshinte në versionin përfundimtar të filmit.
Siç e shpjegon edhe Phillips, Gaga e kishte improvizuar momentin, por ai vendosi të mos e përdorte pasi nuk shkonte me vizionin e tij për atë moment të filmit.