Ina Allkanjari
Punonjësit e policisë së burgjeve morën shpërblimin e fundvitit sa një pagë neto mujore, pas më shumë se një dekade kërkesash. Pas Vendimit të Këshilllit të Ministrave, datë 31 dhjetor 2021, Sindikata e policisë së Burgjeve konfirmoi më 10 janar se shpërblimi ka kaluar në llogaritë bankare të përfituesve. Më herët, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, deklaroi se në 3 vite, 3588 punonjës të policisë së burgjeve kanë përfituar rritje page dhe se gjatë 2022 do të llogaritet edhe shtesa për kushte pune, efekte që pritet të ndihen në pagën e muajit janar të këtij viti.
————————————
Në 31 dhjetor 2021 Këshilli i Ministrave publikoi vendimin ku përcaktohej shpërblim rreth 50.000 lekë për fundvitin për punonjësit e policisë së burgjeve.
Vendimi i Këshillit të Ministrave datë 31.12.2021 mbi shpërblimin e fundvitit për punonjësit e Policisë së Burgjeve
Pas këtij vendimi, mbërriti edhe reagimi i kreut të Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj në faqen zyrtare në Facebook.
“Pas shumë e shumë kërkesash që Sindikata ka bërë për publikun dhe Qeverinë, më në fund, pas 11 vitesh Policia e Burgjeve merr shpërblim në fundvit, sa një pagë neto mujore! Tani po trajtohemi njësoj me kolegët e policisë së shtetit”.
Screenshot, postimi i Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë për shpërblimet e fundvitit datë 31.12.2021
Faktoje kontaktoi kreun e sindikatës në datë 11 janar për të mësuar nëse punonjësve u ka kaluar shpërblimi i premtuar.
“Të gjithë punonjësve u kaloi në llogaritë bankare shpërblimi i fundvitit, ditën e hënë më 10 janar, të gjithë morën shpërblimin që u takonte, rreth 50.000 lekë. Ata kanë mundësinë ta tërheqin së bashku me pagën e muajit dhjetor.”-konfirmoi Macaj.
“Deri në momentin kur doli VKM nuk ka pasur asnjë premtim apo deklaratë nga zyrtarë lidhur me shpërblimin e punonjësve të policisë së burgjeve për fundvit. Vendimi i publikuar nga Këshilli i Ministrave u zbatua, jemi shumë të kënaqur për këtë arritje dhe e vlerësojmë. Madje edhe në muajin shkurt na është premtuar që do të fillojë të kalojë shtesa e pagës për të gjitha kategoritë”- shton Macaj për Faktoje.
Më datë 21 dhjetor 2021 Faktoje i ishte drejtuar me një kërkesë për informacion Ministrisë së Drejtësisë për të mësuar ndër të tjera nëse punonjësit e policisë së burgjeve do të përfitonin shpërblim për fundvit.
Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministria e Drejtësisë datë 21.12.2021
Në përgjigjen e ardhur në datë 7 janar 2022, Ministria e Drejtësisë shkruan:
“Punonjësit e Policisë së Burgjeve kanë përfituar shpërblimin në fund të vitit sipas Vendimit nr. 871, datë 31.12.2021 “Për disa shtesa në vendimin nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar. Shuma e përfituar për çdo punonjës policie ka qenë në masën nga 50.000-51.000 lekë bruto për punonjës, kjo në varësi të fondit të miratuar dhe numrit faktik të punësuar të çdo njësie shpenzuese (IEVP-ve) Kjo shtesë e përfituar sipas VKM-së 871/2021 është shpërblim për punonjësit”.
Ndryshimet e pagave të punonjësve të policisë së burgjeve në 3 vite
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2022 deklaroi se 3588 punonjës të policisë së burgjeve kanë përfituar shtesë në page vitet e fundit. Kjo deklaratë më herët është parë me rezerva nga kreu i sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë, i cili argumenton se rritja e pagave që propagandohet, është në mes të indeksimit dhe lëmoshës, pasi 90% e punonjësve paguhen 50 mijë lekë në muaj. Në kërkesën për informacion drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, në 21 dhjetor kërkuam të dhëna se sa variojnë pagat aktuale të punonjësve të policisë së burgjeve, sa ka qenë shtesa përgjatë dy viteve të fundit dhe cilat janë kriteret mbi të cilat do të përllogaritet shtesa për kushte pune për vitin 2022.
Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministria e Drejtësisë datë 21.12.2021
Në përgjigjen e datës 7 janar 2022, Ministria e Drejtësisë shkruan se për vitin 2021 pagat sipas gradave dhe funksionit bazuar në VKM-në Nr.920 datë 25.10.2020 “Për pagat e Policisë së Burgjeve” janë si më poshtë:
Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë, pagat aktuale të punonjësve të policisë së buegjeve sipas gradës
Përsa i përket shtesës për gradë në rradhët e punonjësve të policisë së burgjeve Ministria e Drejtësisë sqaron se paga mujore për gradë është niveli i pagës që përfiton punonjësi në përputhje me gradën që ka përfituar për rolin përkatës. Efekti financiar është sipas VKM-së nr.920, datë 25.10.2020.
Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë, pagat për gradë në sistemin e burgjeve me efekte finaciare
Më tej në përgjigjen e saj Ministria e Drejtësisë na vendos në dispozicion një tabelë ku tregohen se sa është përqindja që përfitojnë punonjësit e policisë së burgjeve në shtesën për secilën grade.
“Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i shtesës për gradë gjatë qëndrimit në punë të punonjësit të policisë së burgjeve, kanë filluar të zbatohen nga data 07 Gusht 2020 sipas VKM nr. 920 datë 25.11.2020. Rritja e pagës për gradë për vitin 2020 varion nga 1500 lekë deri në 3100 lekë, kjo në varësi të rolit dhe gradave ose e shprehur në % nga 2% – 6 %, ku vlera me e lartë e përfitimit të shtesës është reflektuar tek punonjësit e rolit bazë”, shkruan Ministria e Drejtësisë.
Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë, pagat për punonjësit e policisë së burgjeve shtesa për gradë me efekte finaciare
Lidhur me shtesën në pagë për vjetërsi pune, Ministria e Drejtësisë na tregon se si përllogaritet dhe sa përfitojnë konkretisht punonjësit e policisë së burgjeve.
“Shtesa për vjetërsi llogaritet për vjetërsinë në shërbim për kohën e qëndrimit në gradë në masën 1 përqind pas çdo viti pune. Llogaritja e shtesës për vjetërsi shërbimi bëhet mbi pagën e gradës Nën/inspektor të rolit bazë që është 1% e vlerës 45.500 leke per cdo vit pune. Shtesa për vjetërsi varion nga 1875 lekë – 4410 lekë, ose e shprehur në % është nga 2% – 8 % ku efektet financiare të shtesës për çdo vit vjetërsie shërbimi janë zbatuar nga data 1 Janar 2021”- sqaron Ministria e Drejtësisë.
Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë, shtesa për vjetërsi
“Për vitin 2022 punonjësit e policisë së burgjeve do përfitojnë shtesë për kushte pune sipas VKM-së nr. 902, datë 25.10.2020”- shkruan Ministria e drejtësisë në përgjigjen e saj për Faktoje.
Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë, shtesa për kushte pune
Ministria e Drejtësisë sqaron se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i shtesës për natyrë të veçantë pune do të fillojnë të zbatohen nga data 1 Janar 2022. Ndërsa thekson se rritja për shtesën e funksionit varion nga 2000 lekë – 10000 lekë, e shprehur në % shtesa është nga 2 – 11 %”.