Pse “Ballkani i hapur” mbeti te Labirinti i Minotaurit?!

Nisma e “Ballkanit të Hapur” u braktis e para nga njëra prej vendeve themeluese Shqipëria

206

Nga Ben Andoni

Në vetëm pak raste në rajon, ndodh që ngjarjet, fenomenet të mos kenë referime mitike ose identifikime nga personazhe të antikitetit. Madje, edhe ato më jetëshkurtrat si “Open Balkan” (“Ballkani i Hapur”, shqip; “Otvoreni Balkan”, serbisht), që u braktis e para nga njëra prej vendeve themeluese Shqipëria, vendi i cili avokoi më shumë se cilido shtet për mbarëvajtjen e saj. Tashmë ka mbetur larg, entuziazmi i Ramës dhe shpjegimet e njerëzve afër tij për këtë nismë, por jo interpretimet. “Doni apo s’do ju, ‘Ballkani i Hapur’ do të vazhdojë, pasi është në interes të shqiptarëve dhe ne shqiptarëve na e kanë besuar këtë, PS-së, dhe jo juve”, iu kthye pak vite më parë në parlament kryeministri shqiptar Edi Rama deputetëve opozitarë.

Politikat e vendeve ballkanike sa i përket bashkëpunimit kanë mbetur në një labirint, ku nuk mund t’i shpjegojnë dot nismat e tyre, por nga ana tjetër janë të paqarta edhe për shpjegimet e duhura, që u takojnë pyetjeve të qytetarëve. Prej gati një viti, për Edi Ramën ideja e “Open Balkan” ka marrë fund. Pothuaj edhe zyrtarisht. Këtë e plotësoi vetë kryeministri shqiptar, kur deklaroi më 1 korrik të vitit 2023 se nisma e “Ballkanit të Hapur” lindi nga nevoja për të përmirësuar proceset integruese dhe përmbushi misionin për të cilin lindi dhe shtoi se: “duhet të zhytemi me kokë” në procesin e Berlinit.

Më i shqetësuari nga e gjithë kjo histori do të ishte presidenti serb Vuçiq: “Nuk besoj që Rama e ka thënë këtë”, u shpreh Vuçiq, kurse për Ramën u shpreh: “shpresoj që ta takoj së shpejti”. Kuptohet se rastet sot nuk mungojnë, pasi liderët e shteteve ballkanikë, udhëtojnë gati për çdo javë jashtë vendeve të tyre. Anipse, kur i duhej ta qartësonte edhe njëherë deklaratën e tij, muaj më pas, Rama komentoi shkurt se: “’Ballkani i Hapur’ ka përmbushur misionin për t’i ndërgjegjësuar të gjithë në rajon, por edhe të gjithë ata jashtë rajonit, për rëndësinë strategjike dhe jetike të bashkëpunimit rajonal”.

Dhe, në fakt, i gjithë Ballkani është krejt sy e vesh se çfarë do ndodhë me logjikën e re të administratës Trump, pas 20 Janarit, kur me gjasë do rishikohen axhendat amerikane, e mes tyre është dhe ideja e dikurshme e “Open Balkan”, iniciativës që nisi me pathos dhe ku Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut bënin takime të rregullta të përbashkëta, deri në mesin e vitit 2024, koha kur Rama u kthjellua se misioni u përmbush dhe “Open Balkan” nuk mund t’i mbivendosej Procesit të Berlinit.

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq i mbetur në udhëkryq nga largimi, por edhe nga pesha mediatike e Ramës, arriti të mbajë partnerin e mbetur për “Open Ballkan”, pas daljes nga nisma të Shqipërisë dhe të promovonte “një tjetër”. Në panairin e dytë te verës në kuadër të “Open Balkan”, tashmë vendin e Ramës e mori presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kurse kryeministri i asokohshëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, vazhdoi angazhimin e vendit të tij, do raportonte Euronews Albania.

Po, ndërsa Mali i Zi, ishte kundra politikave të dikurshme të kryeministrit malazes, Dritan Abazoviq, qoftë edhe “Open Balkan” duket se politika e tyre mori një rrjedhë tjetër, kur Milatoviq, para ceremonisë së hapjes së panairit të vitit 2023, tha se e vlerësonte nismën dhe pastaj lavdëroi panairin, që kishte mundësuar pjesëmarrjen e rreth 40 ekspozuesve nga Mali i Zi, një numër i madh për një vend të përmasave të tilla.

Ne foto” Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Serbise Aleksandar Vuciq

Kryeministri shqiptar do e ruante këtë qëndrim edhe në fillimin e këtij viti. Më 22 janar 2024 në Shkup, gjatë konferencës “Ballkani Perëndimor takon BE-në – Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, kur foli për “Ballkanin e Hapur”, iu referua si nismë në kohën e shkuar. “Ne u përpoqëm të shtynim një axhendë marrëveshjesh që është pjesë e këtij plani të rritjes dhe tregut të vetëm. Kjo është”, tha Rama. Kurse presidenti serb do të ishte më i plotë dhe më barok në referimet e tij: “Mendoj se lidhshmëria e rajoneve, siç e bëmë me iniciativën e Ballkanit të Hapur me lejet e lëvizjes së lirë, nëse do e nënshkruajmë këtë protokoll do jetë përfitim i madh për të gjithë qytetarët në të tre shtetet, është ajo që duhet dhe mund ta bëjmë”.

Pak muaj më parë, gjatë panairit të verës të vitit 2023, tashmë kthyer në traditë, presidenti serb do të thoshte se: “Përmes iniciativës ‘Open Balkan’, ne kemi rezultate të dukshme që mund të shihen përmes numrave. Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë është rritur me 25 për qind dhe ka kaluar një miliard eurot, që është shkëmbimi tregtar më i madh në 18 vitet e fundit midis vendeve tona”.

Panairi i verës u bë si një simbolikë e takimeve trepalëshe, pasi i mblodhi, qysh në fillim të takimeve të tyre zyrtarët më të lartë të Ballkanit. Në fillim, kryeministri Rama ishte prezent bashkë me Z. Vuçiq dhe aktiviteti kishte siglën e “Open Balkan”. Pak javë më parë, në Vjeshtën e vitit 2024, Rama ishte sërish prezent, por tashmë thjesht me një mesazh video në të njëjtin aktivitet, duke mos thënë më asnjë fjalë për “Ballkanin e Hapur”, por thjesht Ballkanin Perëndimor, ku në takim po e dëgjonin mikpritësi, Presidenti i Serbisë, Vuçiq; tashmë Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski; përpos një pjese të pandashme së të ashtuquajturës “Bota Serbe” anëtarja serbe e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviç dhe kryetarja e Republika Srpska, Milorad Dodik; Kryetari i Komunës së Lubjanës, Zoran Jankoviç dhe ministra të ndryshëm në Qeverinë e Serbisë.

Kryeministri Rama tejet diplomatik u shpreh në këtë takim përmes video mesazhit se: Ballkani Perëndimor po njihet gjithnjë e më shumë si një markë botërore e turizmit dhe Shqipëria është shumë krenare për kontributin e saj. Ai parashtroi se beson se së bashku në këtë rajon historik, vendet mund të bëjnë më shumë të bashkuara, sesa do të arrinim nëse do të punonim individualisht.

Po ndërsa “Open Ballkan” mbaroi në retorikën e Ramës, duhet thënë se kjo nuk ka mbaruar tek zyrtarët e tjerë Ballkanikë pas ardhjes në fuqi të z. Trump. Më i çuditshëm ka qenë pozicioni i Shkupit zyrtar, që me ardhjen e VMRO-DPME e shmangu fillimisht dhe e kritikoi si iniciativë, ndërsa tashmë duket se i është dorëzuar miklimit serb dhe asaj që mund të burojë ndryshe nga administrata e re Tramp. Me këtë mision, kryeministri Mickovski, ishte i ftuar nga presidenti serb sëfundmi edhe në panairin e verërave.

Nëse “Ballkani i Hapur” mbështetet nga administrata e re e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp, ish-ministri i financave i Maqedonisë së Veriut dhe konsulenti i Bankës Botërore Kiril Minoski pohon se: do të ketë një ndikim pozitiv në të gjitha vendet në rajon, sepse koncepti i përgjithshëm i Bashkimi Evropian është bashkëpunim brenda rajoneve individuale. “Maqedonia e Veriut mund të përfitojë vetëm nga kjo iniciativë. Çdo formë e integrimit ofron mundësi më të mëdha si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë”, sqaron ai.

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kushtëzoi me dy elementë mbështetjen ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, madje qysh në fillimet e veta. Atë e artikuloi zyrtarisht zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, kur shtroi argumentin se: Uashingtoni kërkonte që edhe Kosova dhe Bosnje-Hercegovina t’i bashkoheshin nismës në nivele të barabarta dhe së dyti të mbetej thellësisht ekonomike dhe aspak politike.

Veçse kjo dëshirë mbeti në letër, pasi BE-ja u angazhua më shumë në çështjen e penalizimit të Kosovës, siç ishte rasti me liberalizimin e vizave apo me masat ndëshkuese për veprimet e Qeverisë Kurti në veri.

 Kurse, sa i përket agresionit ushtarak të Serbisë në Banjskë, të mendosh ndodhi vetëm gjashtë muaj pas Marrëveshjes së Ohrit, pothuaj u harrua prej BE-së dhe Serbëve thjesht u është tërhequr veshi pakëz për të mos e përsëritur. Pak, kohë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në adresë të Kosovës, sidomos ajo pas njohjes së Prishtinës nga Izraeli, ku ndërmjetësoi Tramp (ku u mor dhe vendimi për hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem), tha: “Këto vendime e largojnë Kosovën nga qëndrimet e BE-së”.

Profesori amerikan dhe eksperti i çështjeve që ndërlidhen me politikën e jashtme, Edëard P. Joseph, në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Express” foli edhe për çështjen e “Ballkanit të Hapur”, duke i kthjelluar pastër zyrtarët. “Serbia është ekonomia më e madhe në Ballkanin Perëndimor dhe të gjitha përfitimet në ‘Open Balkan’, shumica e tyre do të shkojnë më shumë tek Serbia sesa tek të tjerët. Do të kenë më shumë investime të jashtme, do të kenë mundësi të eksportojnë mallra me vlerë më të madhe dhe kjo fuqi ekonomike përkthehet në fuqi politike. Ky është problemi kur e ke një shtet që ka tendenca të forta autoritare dhe ky është gabim dhe është e rrezikshme. Kjo është pse ‘Ballkani i Hapur’ është gabim. Kjo do të çojë në një Serbi më të fortë ekonomike dhe do ta ketë  më shumë e mundur që të minojë sovranitetin e fqinjëve, në mënyrë të veçantë  të Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës. Prandaj, është gabim”.

Kosova është vendi që e kundërshtoi më së shumti “Open Balkan”. E para, për stadin ku gjendet në dialogun me Serbinë dhe së dyti për shkak të supremacisë së ekonomisë serbe mbi të gjitha vendet e tjera. Jo vetëm, kryeministri i vendit z, Kurti, por edhe presidentja Osmani, por edhe ekspertë të ndryshëm, që do të theksonin se: …ka së paku katër dallime thelbësore në mes iniciativës së BE-së për “Tregun e Përbashkët Rajonal”, në kuadër të procesit të Berlinit, dhe idesë së Rama-Vuçiç-Zaev për “Mini-Shengenin/Open Balkans”. E para vendos në lidership Gjermaninë, e dyta vendos Serbinë. E para përfshin të gjitha shtetet mike të Kosovës dhe zvogëlon rolin e Serbisë, e dyta i përjashton të gjitha shtetet mike të Kosovës dhe rrit rolin e Serbisë. E para ka synim integrimin në BE, e dyta ka synim konsolidimin e ndikimit të Serbisë në Ballkan. E para ka në dispozicion 9 miliardë EURO grante, me gjenerim e 20 miliardë EURO shtesë hua, e dyta ka 0 EURO ne dispozicion, do shprehej për DË, eksperti Demush Shasha.

Ideja e integrimit rajonal ka qenë gjithnjë në tavolinat e drejtuesve ballkanikë, madje ekspertët e çojnë këtë histori qysh në fillimet e viteve ’90, kur kryeministri i atëhershëm shqiptar, Fatos Nano propozoi një zonë “Mini-Shengen” apo zonë të përbashkët ekonomike rajonale, por që nënkuptonte që pak e nga pak të hiqej kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës. Qëllimi ishte i madh, sipas Ramës, por zyrtarët e Kosovës nuk e kuptuan.

Shengenin e parë rajonal e ka artikuluar Fatos Nano në një kohë që dukej çmenduri. Unë e kam rifutur sepse u krijuan kushtet. Shengeni rajonal nënkupton heqje kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, por sa ta marrin vesh ata të Kosovës do të kenë kaluar vite dhe do të ketë humbur kohë Kosova”, u pranua kohë më parë nga Rama, ndërsa shtoi se ndër liderët e shteteve pjesëtarë ka qenë pikërisht ai që e ka shtyrë si ide “Minishengenin”.

Ajo humbi për shkak të luftrave në ish-Jugosllavi.  Shenjat e para të Ballkanit të Hapur u shfaqën në vitin 2018 si një mënyrë për të përmirësuar marrëdhëniet politike.   Idenë e zonës e solli Edi Rama në Berlin kur e diskutoi me vendet e interesuara duke shpalosur idenë e ish-kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano.

Planet për zonën u deklaruan më 10 tetor 2019 në Novi Sad. U zhvilluan dy takime, njëra në Ohër më 11 nëntor 2019 dhe tjetra më 12 dhjetor 2019 në Durrës, ku vendet deklaruan se do të formonin një treg të unifikuar prej 12 milionë banorësh deri në fundin e vitit 2020. Më 11 nëntor 2019, në samitin “Ohri 2019”, Presidenti i Serbisë, kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ranë dakord për krijimin e një zone ekonomike, e cila do të përmirësonte më tej marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe do të forconte lidhjet kulturore midis kombeve.

Në vitin 2021, nisma u riemërtua “Ballkani i Hapur” dhe premtoi rritjen e bashkëpunimit ekonomik, duke hapur kufijtë dhe tregtinë mes vendeve pjesëmarrëse. Të gjithë anëtarët e asaj që BE e quan Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor (Western Balkan Six – WB6) u ftuan të bashkohen. Maqedonia e Veriut iu bashkua Serbisë dhe Shqipërisë qysh në fillim, por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina ose kundërshtuan ftesën ose e refuzuan shprehimisht.

Pak ditë më parë, si epilog, ekspozuesit në panair e Beogradit, ku sërish Shqipëria me Ramën virtualisht dhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut, respektivisht fizikisht me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Mickovski dëshmuan se nisma “Open Balkan” është e dobishme për ta sepse, pasi siç thonë liderat e mbetur në të (serbo-maqedonas), lehtëson biznesin dhe bashkëpunimin e tyre, prandaj shpresojnë se do të zgjerohet dhe do të zgjasë dhe me administratën e re amerikane.

Një nga argumentet që Edi Rama jepte dikur për të vazhduar nismën e tij me Vuçiçin për të shpënë përpara “Open Balkan” ishte edhe ajo se këtë nismë e mbështesnin 59% e shqiptarëve. Në prilli të 2022 kryeministri zhvilloi të ashtuquajturin Këshillim Kombëtar, ku nga mbi 500 mijë të pyetur rezultonte se shumica ishin pro një rajoni me lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve. Madje disa ditë pasi i shpalli këto rezultate publikisht Rama shkoi gjatë një vizite zyrtare në Berlin dhe u shpreh në krah të kalcelarit Sholtz se pavarësisht se Gjermania i kërkonte fokusim tek procesi i Berlinit, ai kishte mandatin e Shqiptarëve për të shpënë përpara idenë Serbo-maqedono- shqiptare

Nisma e Ramës humbi si shumë syresh, ashtu si në rastin e “Open Bakan” Evropa humbi në shkretëtirën ballkanase, kurse vetë ballkanasit mbetën si Minotauri, në labirintin që e kanë ndërtuar vetë me Bashkimin Evropian dhe nga i cili nuk po dalin më dot prej dekadash. Mbreti Minos, që e ndërtoi këtë labirinth, po vuan edhe vetë pasojat e një përpjekje, ku harxhohen energji dhe ku tregoi se vendet tona ende ruajnë shumë problematika mes tyre, që nuk mund të kalohen dot.