Erion Veliaj u shkarkua këtë pasdite (23 shtator) nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës mes dyshimeve të përcjella nga PD për ligjshmërinë e procedurës. Çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, nëse Veliaj ankimon vendimin
Procesi nisi të martën paradite nga Komisioni i Çështjeve Ligjore në bashki dhe u finalizua me votimin e pasdites në Këshillin Bashkiak të Tiranës
Propozimi për shkarkim kërkonte të paktën 31 vota nga 61 këshilltarët. Më pas, përmes Prefektit të Tiranës, çështja i kalon Këshillitt ë Ministrave për vendimin përfundimtar.
Mbledhja
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, duke ndjekur të njëjtën linjë argumentimi si kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS, deklaroi në fillim të mbledhjes se vendimi për shkarkim nuk nënkuptonte pranimin e akuzave penale ndaj Veliajt, pasi “ato i takojnë gjykatës”. Sipas saj, “ky është një detyrim politik e moral për të çliruar Tiranën nga ngërçi i krijuar nga ndalimi pa gjyq i kryetarit”
PS
Në të njëjtën frymë ishin edhe disa këshilltarë të tjerë të PS-së. “Duhet konsideruar një mbledhje normale, rend dite, nuk duhet menduar se po bëhet një gjyq. Gjyqin Erion Veliajt do ia bëjnë institucionet gjyqësore…”, tha Luan Bregasi.
Kundër vendimit, nga PS, foli vetëm këshilltari, Aldo Merkoçi. Në fund, ai nuk mori pjesë në votim. Ndërkohë munguan në mbledhje kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, dhe dy këshilltaret e PS, Joleza Koka dhe Gazment Paja.
PD
PD-ja sqaroi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se, vota e saj për shkarkimin e Veliajt nuk kishte lidhje me votën e dhënë nga PS-ja.
Sipas këshilltarit të PD-së, Dorian Teliti, Erion Veliaj, duhet të shkarkohej për përmbajtjen e akuzave dhe jo për formën siç po e trajtonte PS-ja rastin e tij.
Gjatë mbledhjes (që zgjati më tepër së një orë) Megi Fino ndërhyri disa herë duke vënë në dukje se disa nga debatet e këshilltarëve të PD-së ishin jashtë rendit të ditës ose tejkalonin kohën e caktuar për fjalën e tyre.
Ngërçi
Vetëm vitin e kaluar, Partia Demokratike ndërmori 44 protesta me fokus kryesor shkarkimin e Erion Veliajt. Sot kur kërkesa është në tryezë, këshilltarët bashkiakë të PD-së kërkuan që procesi për shkarkim të jetë i ligjshëm, pa i dhënë mundësinë Veliajt që ta ankimojë
“…Sot erdhi dita dhe do ta miratojmë. Por duam që procedura të jetë e saktë, t’i mbyllim derën të kthehet me vendim këtu dhe të mos paguajmë me vendim të Strasburgut para nga taksat tona, për të paguar dëmshpërblim se nuk e dëgjuam 20 minuta siç e ka ai të drejtën”, tha këshilltari i PD-së Dorian Teliti pas mbledhjes së komisionit të Ligjeve në bashki
Një ditë më parë, Teliti vërejti se, “çdo shkelje/devijim nga rregullat ligjore do të rëndojë nesër mbi qytetarët e Tiranës me faturë dëmshpërblimi prej qindra mijëra eurosh si pasojë e shkeljeve proceduriale”.
Opozita
Këshilltari në opozitë i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endri Shabani, përcolli një tjetër qëndrim nga PD-ja. “Nuk ka për çfarë të dëgjohet. Veliaj është në kushtet kur duhej të kishte dhënë dorëheqjen për interesin publik. Këshilli i Ministrave duhet të marrë vendim për shkarkimin dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha më herët Shabani.
Ping-pongu PS -Veliaj

Kërkesës publike të Erion Veliajt për tu dëgjuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak iu përgjigj sekretari i Këshillit, dhe jo kryetarja e Këshillit që në thelb përfaqëson organin kolegjial
“Në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutemi që observacionet tuaja, t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në mbledhje”, thuhej në shkresën e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli
Veliaj, përmes ekipit ligjor, ktheu përgjigje dhe citoi se kompetencat e sekretarit të Këshillit janë të natyrës administrative.
“Kompetencat e tij kufizohen në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjeve; shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve; protokollimin dhe mbajtjen e proces-verbaleve. Ai nuk ka asnjë tagër ligjor të japë udhëzime mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për t’u dëgjuar apo për të interpretuar kërkesat e Kryetarit”.
Veliaj pretendon (përmes një shkrese zyrtare) se nuk është informuar zyrtarisht as për mbledhjen, arsyet e shkarkimit, dhe as për provat që e rëndojnë:
“Si rrjedhojë nuk më është krijuar mundësia për t’u mbrojtur, dhënë shpjegime e dëgjuar para këtij organi kolegjial, as fizikisht e as me shkrim, për më tepër kur, duke qenë se ndodhem në kushtet e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara”
Veliaj thekson se është Këshilli ai që duhet të vendosë me votë për kërkesën e tij për pjesëmarrje.
“Mbetem në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij”
Nga 10 shkurti i këtij viti, Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg i dyshuar për akuzat e korrupsionit, fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, në të paktën 13 episode.
Çfarë thotë ligji
Nuk ka një specifikë ligjore që e detyron Këshillin Bashkiak që të thërrasë kryetarin e Bashkisë për rastin konkret, por ka një parashikim kushtetues në rast se Erion Veliaj shkarkohet nga detyra.
Në nenin 115 të Kushtetutës thuhet ndër të tjera se, organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve
Nëse Veliaj e ushtron këtë të drejtë dhe Kushtetuesja pranon ta shqyrtojë, procesi pezullohet dhe zgjedhjet në Tiranë shtyhen deri në vendimin përfundimtar.
Në një situatë të zakonshme marrja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese zgjat jo më pak se katër muaj.