Pas më shumë se 10 ditësh debati bosh, PS e PD gjetën konsensusin për përbërjen e re të komisioneve të përhershme parlamentare.
Me 94 vota pro, 3 abstenim (Luçiano Boçi, Gent Strazimiri, Elda Hoti) dhe 1 kundër (Erald Kapri), Kuvendi miratoi të mërkurën anëtarët e 11 komisioneve.
Ndarja e re përfshin drejtimin e 7 komisioneve nga PS-ja dhe 4 nga PD-ja e paralajmëruar më herët nga fjala e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS më 11 shtator.
Debati
Fillimisht, në seancën e të mërkurës, deputetët e opozitës në bllok kërkuan përsëritjen e seancës së kaluar, duke kundërshtuar procedurën dhe nënvizuar faktin se nuk kishin penguar fjalën e kryeministrit Rama, por të ministres ‘Diella’, e dërguar tashmë në Gjykatën Kushtetuese.
“Kryeministri nuk u ndërpre në asnjë moment, por u ndërpre një ministër antikushtetues siç është ‘Diella”, tha deputetja Erisa Xhixho.
Por debati u mbyll shpejt me miratimin nga votat e shumicës të procesverbalit të seancës së kaluar dhe kalimin më pas të përbërjes së re të komisioneve.
Komisionet
Referuar vendimit të Kuvendit, socialistët do të mbajnë drejtimin e shumicës, konkretisht: Komisionin e Ekonomisë ku kryetare është Milva Ekonomi me nënkryetar Erion Braçe, Komisionin e Ligjeve drejtuar nga Ulsi Manja me nënkryetar Damian Gjiknuri, Komisionin e Jashtëm me kryetar Igli Hasani e nënkryetare Bora Muzhaqi, Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen me kryetar Bledar Çuçi dhe nenkryetare Olta Xhaçka, Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën Anila Denaj dhe Ceno Klosi nënkryetar, Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural Blendi Klosi dhe nënkryetar Fdil Nasufi si dhe Komisioni për Nismat Qytetare Fatmir Xhafaj dhe nënkryetar Ermal Elezi.
Ndarja
Nga ana tjetër, opozita mori drejtimin e katër komisioneve: Luçiano Boçi kryeson Komisionin e Edukimit, Shkencën dhe Sportet, Bardh Spahia atë të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Jorida Tabaku është në krye të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ndërsa Ina Zhupa drejton Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës.