Pretendimi: Këto pamje tregojnë protestuesit në Stamboll duke i vënë flakën ambasadës izraelite në Maj 2024

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————–

Një artikull i botuar më 28 maj në portalin Priza.al pretendon se pamjet e një turme duke ndezur zjarre tregojnë protestues në Stamboll që i vënë flakën ambasadës izraelite në shenjë proteste ndaj sulmeve të ushtrisë hebreje në kampin Rafah.

26 maj 2024 një sulm ajror izraelit vrau 45 civilë në kampin Rafah në Palestinë. Ky veprim ndezi protesta në gjithë botën, përfshi edhe një protestë pro-Palestinës përpara konsullatës izraelite në Stamboll, më 27 maj. Duhet nënvizuar se në këtë protestë, të zhvilluar gjatë orëve të ditës, nuk pati sulme me zjarr apo momente të tjera të dhundshme. 

Megjithatë, pamjet që shoqërojnë artikullin nuk tregojnë këtë protestë.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se pamjet janë të një viti më parë.

Postuar në Twitter në 17 tetor 2023, video tregon protestat që u mbajtën në Stamboll në atë datë, pasi qindra palestinezë u vranë nga një shpërthim në spitalin Al-Ahli në Gaza.

Media izraelite Hareetz raportoi mbi protestën e 17 tetorit 2023, duke thënë se “godina e konsullatës u sulmua me gurë, shkopa dhe fishekzjarre gjatë natës.”