Paga mesatare në shtet arriti 986 Euro pa u mbyllur viti 2024. Qeveria e cilësoi tejkalim objektivi por ekspertët argumentojnë se vlera aktuale e pagës mesatare në sektorin shtetëror i dedikohet zhvlerësimit të euros.
Esmeralda Topi
Kur shpalosi planin për rritjen e pagave pranverën e vitit të shkuar, kryeministri Edi Rama u zotua se paga mesatare në sektorin shtetëror do të arrinte 900 euro brenda 2024.
“Një rritje pagash, e cila… faktikisht synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh”, premtonte kryeministri në prag të zgjedhjeve vendore të 2023.
Në fund të vitit 2022 paga mesatare e një punonjësi në sektorin publik në Shqipëri rezultonte 70 mijë lekë (620 euro me kursin e atëhershëm). Kjo nënkuptonte se për të arritur objektivin prej 900 Euro brenda 2024, paga mestare në shtet duhet të rritej me 30 mijë lekë apo 270 Euro.
Propaganda
Instituti i Statistikave raportoi se paga mesatare mujore në sektorin shtetëror arriti 96,856 lekë në tremujorin e tretë të këtij viti. E thënë ndryshe, 987 Euro – me kursin aktual të këmbimit.
Pa u bërë 24 orë nga publikimi i INSTAT, ministri i Financave doli në konferencë për shtyp me gazetarët.
“Reforma që nisëm në vitin 2023, sot mund të konsiderohet fare mirë një objektiv i arritur dhe i përmbushur nga qeveria shqiptare.”, theksoi Malaj.
Më pas, Agjencia për Media dhe Informim ndau në rrjetin social facebook një infografik që shpjegonte se paga mesatare bruto në sektorin publik kishte tejkaluar ambicien e qeverisë.
Postimi që etiketonte kryeministrin dhe ministrin e Financave u shpërnda njëkohësisht nga dhjetë anëtarë të kabinetit qeveritar.
Deri më datë 12 dhjetor përjashtim bëjnë vetëm gjashtë ministra – Ogerta Manastirliu, Mirela Kumbaro, Igli Hasani, Bora Muzhaqit dhe Arbjan Maznikut. Mes tyre edhe ish ministrja e financave Delina Ibrahimaj që nisi reformën e pagave.
Fakt
Të dhënat zyrtare tregojnë se paga mesatare në shtet është 96,850 lekë. Me kursin aktual të këmbimit, ku euro është në vlerat më të ulta historike, paga mesatare në shtet përkthehet në 986 Euro.
Nëse këmbimi do të bëhej me kohën kur qeveria shpalli planin e pagave ku 1 euro = 113 lek, paga mesatare do te ishte 857 Euro.
Nënçmimi i monedhës europiane ka ndihmuar arritjen e objektivit- thonë ekspertët.
“Në fakt, është zhvlërsimi i metëjshem i euros e cila sot vlen 98 lek që 96, 850 lekë të konvertohen në 986 euro. Shumë “ambicje qeveritare” u arritën edhe u tjekaluan nga zhvlerësimi i Euros, zhvlerësim i cili ka rënduar gjendjen financiare të sektorit privat.”, thekson Irena Beqiraj.
Eduard Gjokutaj nga qendra ALTAX e sheh rritjen e pagave në shtet si një mënyrë për të zbutur rënien e fuqisë blerëse.
“Pagat e sektorit publik shpesh rregullohen për të adresuar inflacionin dhe për të ruajtur standardet e jetesës, veçanërisht për punëtorët thelbësorë. Kjo qasje shërben si një masë e stabilitetit social, duke siguruar që punonjësit e sektorit publik të përballojnë koston më të lartë të jetesës.”, argumenton ai.
Mbështetur në këto argumenta, Beqiraj thekson se rritja reale e pagës në shtet nuk është sa pretendohet.
“Paga mesatare në sektorin publik në vitin 2013 ishte 52,150 lekë. Nëse ajo do të indeksohej cdo vit me normat e inflacionit ajo sot pa rritjen do të duhet të ishte 68,400 lekë. Pra rritja reale e pagës mesatare në sektorin publik nuk është 230% sa pretendon qeveria por vetëm 41%.”, argumenton ajo.
Privati përballë shtetit
Aktualisht paga mesatare në shtet rezulton shumë herë më e lartë se ajo në privat.
Statistikisht, paga mesatare për një të punësuar në sektorin privat rezultoi 69,000 lekë në fund të tremujorit të tretë të vitit. Në raport me një vit më parë rritja është vetëm 5,4%. Ndërsa rritja e pagës mesatare në shtet për të njëjtën periudhë rezultoi gati 15%.
“Sektori privat tenton të mbetet prapa, pasi rregullimet e pagave varen nga përfitimi, kërkesa për punë dhe rritja e produktivitetit. Megjithatë, konkurrenca për talent mund t’i detyrojë kompanitë private të rrisin pagat, veçanërisht në industritë me kërkesë të lartë.”, argumenton eksperti Eduard Gjokutaj.
Qeveria thotë se rritja e pagave të administratës publike do të ushtrojë presion mbi privatin duke e detyruar të ndjek të njëjtën rrugë. Por ekspertët thonë se ritmi i privatit do të jetë i ndryshëm nga shteti.
“Kompanitë më të vogla ose ato në industri më pak fitimprurëse mund të luftojnë për të përballuar këto rritje. Industritë e lidhura me tregjet ndërkombëtare ose investimet e huaja kanë më shumë gjasa të ndjekin tendencat e rritjes për shkak të presioneve të tyre konkurruese dhe aftësisë për të paguar paga më të larta.”, pohon Gjokutaj nga qendra ALTAX.
Bazuar mbi disa llogari, Irena Beqiraj argumenton se edhe aktualisht sektori privat nuk është aq pas shtetit.
“Krahasuar me vitin 2013, qeveria ka bërë një rritje reale të pagës mesatare me 41% por edhe sektori privat nuk ka mbetur mbrapa. Që prej vitit 2013 sektori privat ka bërë një rritje reale të pagas mesatare me 38.6% edhe për më tepër ndryshe nga qeveria e ka berë atë me parë edhe gradualisht.”,thekson Beqiraj.
“Por ndryshe nga Kryeminsitri edhe ministrat e tij sektori privat nuk u bje daulleve të propagandës.”, përfundon ajo.
#paga#shtet#rama#propagande#faktoje