Pretendimi: Ligji mbi shtatëzaninë surrogative është projekt i shtyrë nga Serbia dhe Soros

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Projektligji për shëndetin seksual dhe riprodhues u prezantua nga Ministra e Shëndetit Publik për konsultim publik më 18 prill 2024. Që prej bërjes publike të këtij projektligji, synimi i të cilit është përcaktimi “i rregullave dhe procedurave për organizimin, funksionimin  dhe mbikqyrjen e veprimtarive që zhvillohen në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues,” ai ka shkaktuar debate dhe keqkuptime në hapsirën mediatike shqiptare. Së fundmi, neni që ka të bëj me shtatëzaninë surrogative, ka qenë shënjestra e shumë postimeve të pasakta në mediat sociale.

Ndër to, përfshihen dhe postime të cilat e përshkruajnë ligjin mbi shtatzaninë surrogative si një projekt serb apo Sorosian, duke pretenduar se ai po implementohet për të zhdukur popullsinë shqiptare. Këto pretendime janë të pavërteta dhe bazohen vetem në teori konspirative që nuk marrin parasysh faktet bazë mbi projektligjin apo shtatzaninë surrogative.


Ky postim përmban disa spekulime të pabaza dhe të pavërteta. Nuk ka asnjë provë se qeveria shqiptare është bazuar në ligje ose influence serbe, ose të jetë nje projekt i financuar nga shoqata Open Foundations, organizata filantropike e miliarderit amerikan George Soros. Në rastin e Serbisë, kushtetuta serbe e ka të ndaluar shtatzaninë surrogative, e cila konsiderohet krim.

Postimi i referohet po ashtu “turizmit të fertilitetit,” praktika sipas të cilave çifte nga jashtë mund të kërkojnë gratë shqiptare si nëna zëvendësuese përkundrejt pagesës. Kjo praktikë njihet ndryshe si “commercial surrogacy” apo surrogacisë komerciale.

Neni 22 i projektligjit mbi shëndetin seksual dhe riprodhues parashikon të rregullojë ligjërisht marrëveshjet midis familjeve dhë nënave surrogate, të quajtuar ndryshe nënave zëvndësuese. Për momentin, projektligji shqiptar nuk bën dallim midis surrogacisë komerciale dhe asaj që quhet altruiste: pra surrogacisë pa pagesë.

Por ky është një ndryshim i rëndësishëm. Në postimin e mësipërm, përmendet fakti që vetëm tre vende e kanë të lejuar shtatzaninë surrogate kundrejt pagesës, por edhe këto numra nuk janë të saktë. Sipas Reuters, këtu përfshihen Gjeorgjia, Rusia, Ukraina, dhe disa shtete brenda SHBA-së. Në rastin e Rusisë, pas vitit 2022, shtatzanitë surrogate për persona jorusë janë të ndaluara me ligj. Ndërkohë, Gjeorgjia ka ligjet më të buta dhe është nje destinacion shumë i kërkuar për këtë proçedurë. E tillë ka qënë dhe Tajlanda, ku shtatzanitë surrogate vazhdojnë të jenë të ligjshme, por vetëm për vendasit.

Në rastin e Bashkimit Europian, shtatzania surrogate është tërësisht e ndaluar në vende si Spanja, Franca, Gjermania, dhe Italia. Ndërkohë Danimarka dhe Britania lejojnë disa forma të surrogacisë.

Gjithsesi, projektligji për shëndetin seksual dhe riprodhues është ende në fazë rishikimi. Periudha e konsultimit publik u mbyll më 16 maj. Pas vlerësimit të komenteve, ai do t’i kalojë Këshillit të Ministrave dhe më pas Parlamentit për t’u implementuar. Ky proces do të dojë kohë dhe mund të ketë ndryshime të shumta si në këtë nen të projektligjit ashtu dhe në nenet e tjera që synojnë aspekte të shëndetit riprodhues.