Pretendimi: Kjo video tregon ritualin e një kulti satanik

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Video e çfarë duket si një procesioni ritual po shpërndahet në rrjetet konspiracioniste me panik satanik, shoqëruar me përshkrimin: “a jeni zgjuar akoma? Ky është një kult!”

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është filmuar në kishën e Santa Maria de Gracia në Kartagjenë, Spanjë. 

Video që qarkullon në rrjete sociale (majtas) dhe pamje të brendshme të kishës Santa María de Gracia në Kartagjenë, Spanjë

Veshja që shihet në video përputhet me rrobat e veshura nga një seksion vetëm me gra i adhuruesve të quajtur Tercio del Arrepentimiento de San Pedro, pjesë e një grupi më të gjerë të penduesve të Kartagjenës kushtuar Shën Pjetrit.

Procesion i grupit Tercio del Arrepentimiento de San Pedro

Grupi që shihet në video zakonisht merr pjesë në një procesion të Mërkurën e Madhe, gjatë javës që i paraprin Pashkëve. Në Spanjë, Java e Shenjtë, ose Semana Santa, është periudha më e rëndësishme fetare e vitit. Qytezat dhe fshatrat në të gjithë vendin mbajnë procesione solemne në të cilat skulptura fetare mbahen nëpër rrugë, të shoqëruara nga banda marshuese dhe figura me kapuç.

Kostumet e Tercio del Arrepentimiento de San Pedro përbëhen nga një tunikë leshi e bardhë dhe një pelerinë sateni e zezë e qëndisur me ar me një emblemë të kuqe të një kryqi të përmbysur që ka një gjel në qendër.

Ato gjithashtu veshin një kapuç të lartë sateni të zi me një kordon pambuku të bardhë, brez kadifeje të kuqe të qëndisur me ar, sandale të zeza me rrip kryqi, çorape të bardha dhe doreza të bardha me zbukurime të zeza.

Rrobat përdoreshin gjerësisht në periudhën mesjetare për të penduarit, të cilët mund të shfaqnin pendesën duke maskuar identitetin e tyre.

Një zëdhënës i shoqatës së penduesve tha për Reuters se video tregon anëtaret e grupit të grave që largohen nga kisha në Kartagjenë, gjatë paradave procesionale të Javës së Shenjtë. 

Kryqi i Shën Pjetrit është tradicionalisht i përmbysur dhe është një simbol që lidhet me martirizimin e tij pasi u dënua me vdekje.