Lajmi për “nxjerrjen jashtë loje” të “Ballkanit të hapur” pas riaktivizimit të Procesit të Berlinit është jo i saktë. “Faktoje” shpjegon më në detaje se përse të dyja proceset janë plotësuese dhe nuk ka një zhvillim të tillë të njoftuar në titull.
Nevila Gjata
Më 3 nëntor në Berlin, kancelari gjerman Olaf Scholz organizon Samitin e Procesit të Berlinit me liderët e Ballkanit Perëndimor, një nismë e nisur nga paraardhësja e tij, Angela Merkel, qysh në vitin 2014. Scholz dëshiron që t’i japë një impuls të ri nismës së ish-kancelares Merkel, ndaj në Berlin, këtij Samiti po i paraprijnë takimet në nivel ministrash të Brendshëm, të Jashtëm dhe atyre të Energjisë.
Referuar kësaj ngjarje të pritshme dhe me rëndësi për rajonin, titulli i shkrimit të botuar më 21 tetor në versionin online të gazetës Sot tërheq vëmendjen me fraza të prera e bombastike të tipit se “Del përfundimisht “jashtë loje” Ballkani i Hapur”.
(screenshot i lajmit te publikuar nga gazeta “Sot”)
Nëse do t’i referohemi brendisë së shkrimit, vërejmë se përmbajtja nuk bazohet tek titulli. Shkrimi fillon me një fjali të supozuar e pa verifikuar, më pas me takimin e mbajtur në Berlin me ministrat e Brendshëm të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, dhe më tej se çfarë është ky Proces. Titulli i lajmit nuk është i verifikuar dhe i bazuar në informacione apo deklarata zyrtare, për pasojë jo i saktë.
“Faktoje” vendosi të shpjegojë më në detaje se përse Procesi i Berlinit dhe “Ballkani i Hapur” janë dy nisma që kanë ecur paralelisht, në disa raste duke plotësuar njëra tjetrën.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e propozuar dhe udhëhequr nga Gjermania me mandat për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Dikur si Shengeni i vogël Ballkanik, tani “Ballkani i Hapur” është një iniciativë e krijuar para tre vitesh e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbështetur që në fillim nga Maqedonia e Veriut, së fundmi edhe Mali i Zi (konkretisht nga kryeministri në detyrë Abazoviç, por jo Presidenti Gjukanoviç) dhe Bosnja. Kosova nuk ka pranuar të bëhet pjesë e saj. “Ballkani i Hapur” synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon.
Samiti i 3 Nëntorit është vijim i një tjetër Samiti mbajtur në Sofje në nëntor të vitit 2020 në kuadër të Procesit të Berlinit.
Sipas DW seksioni shqip, në Samitin e Berlinit pritet të arrihet progres për së paku tre prej katër marrëveshjeve të dakordësuara që në Samitin e Sofjes: Lëvizja e lirë me karta identiteti e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave të shkollave të larta, si edhe njohja e kualifikimeve për tri profesione, mjekët, stomatologët dhe arkitektët
Paralelisht me Procesin Berlinit, SHBA dhe BE e kanë mbështetur ‘Ballkanin e Hapur’ si një mundësi për përshpejtimin e rrugës drejt BE-së. Nismëtarja e Procesit të Berlinit, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel e ka mbështetur gjithashtu. Samiti i fundit i “Ballkanit të Hapur” u mbajt në fillim të shtatorit në Beograd ku u firmosën katër marrëveshje.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin