Pretendimi: Në fund të janarit 2025, ShBA ka ndaluar transferimin e armëve në Ukrainë me urdhër të presidentit Donald Trump
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————
Në fund të janarit 2025, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se ShBA kishte ndaluar dërgesat e armëve në Ukrainë, me urdhër të presidentit Donald Trump.
Ky pretendim, si zakonisht, nuk shoqërohet me ndonjë burim të besueshëm apo me ndonjë provë, si për shembull urdhëri i pretenduar i Trump për ndalesën e dërgimit të armëve në Ukrainë.
Këto pretendime duket se e kanë origjinën nga burime si Pravda Ukraine, Pravda EN, Pravda USA dhe Pravda ES, të cilat nuk janë të besueshme sepse i përkasin rrjetit rus të dezinformimit “Pravda“, i njohur gjithashtu si “Portal Combat”. Të gjitha këto burime citojnë postime në Telegram, si kanali UKR Leaks, i cili nga ana tjetër i referohet postimeve në X. Personi që menaxhon kanalin, Vasily Prozorov, është një ish-nënkolonel i Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës (SBU), i cili dezertoi në Rusi në vitin 2018 dhe ka përhapur më parë pretendime të rreme.
Sipas Washington Post, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i ShBA, Mike Waltz ka miratuar “shqyrtimin e plotë” të dhjetëra zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, përfshi ata që janë përgjegjës për çështjet që lidhen me ambiciet bërthamore të Iranit, Korenë e Veriut, spiunazhin kibernetik dhe luftën në Ukrainë. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë përmendje apo aludim për ndalimin e dërgesave të armëve në Ukrainë.
Më 20 janar 2025, Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit të ShBA lëshoi një deklaratë për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën kundër Rusisë. Ndër të tjera. thuhet:
“Ukraina është një partner kyç strategjik rajonal që ka ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme për të modernizuar ushtrinë e saj dhe për të rritur ndërveprueshmërinë e saj me NATO. Mbetet një prioritet urgjent për t’i siguruar Ukrainës pajisjet që i nevojiten për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të Rusisë.”
Më 25 janar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ShBA nuk e ka ndalur ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Më 3 shkurt, Reuters raportoi se dërgesat e armëve amerikane në Ukrainë u ndërprenë për pak kohë përpara se të rifillonin gjatë fundjavës, ndërsa administrata Trump debatonte politikën e saj ndaj Kievit, sipas katër personave të informuar për këtë çështje.
Dërgesat rifilluan pasi Shtëpia e Bardhë u tërhoq nga vlerësimi i saj fillestar për të ndaluar të gjithë ndihmën për Ukrainën, thanë dy nga burimet. Ka fraksione brenda administratës që janë në mosmarrëveshje mbi masën në të cilën ShBA duhet të vazhdojë të ndihmojë përpjekjet e luftës së Kievit me armë nga stoqet e ShBA, tha një nga burimet, një zyrtar amerikan.
ShBA është donatori më i madh i ndihmës civile dhe ushtarake për Ukrainën, megjithëse Europa e marrë së bashku jep më shumë.
Deri në botimin e këtij shkrimi, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë apo Departamenti amerikan i Shtetit se ShBA ka ndaluar apo do të ndalojë dërgesat e armëve në Ukrainë.