Pretendimi: Kjo video tregon Brigitte Macron duke shtyrë nga shkallët të shoqin, presidentin Macron

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon çiftin presidencial francez Brigitte dhe Emmanuel Macron duke mbërritur në Hanoi, Vietnam. Ndërsa zbresin shkallët e avionit, Brigitte duket të shtyjë dhunshëm të shoqin.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon e plotë që tregon çiftin Macron duke zbritur nga shkallët e avionit me të mbërritur në Hanoi. Në këtë video, çifti zbret shkallët pa ndonjë konflikt.

Kjo sepse video e mësipërme është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), me anë të të cilave mund të krijohet një video e animuar nga një imazh.

Kjo dallohet qartë në krahasimin e pamjeve nga dy videot më poshtë:

Faktoje ka verifikuar edhe më parë video të gjeneruara në këtë mënyrë, të cilat ndahen nga portale apo përdorues të ndryshëm në rrjet pa shënuar origjinën e tyre nga programet kompjuterike duke rrezikuar të dezinformojnë publikun.