ANDI BORA
Financimi i arsimit me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), është një prej pikave të parashtruara nga studentët në kërkesën e tyre drejtuar Ministrisë së Arsimit, Kryeministrit dhe Kreut të Kuvendit të Shqipërisë.
Por të kthehemi pas në kohë, në vitin 2013, kur erdhi në pushtet qeveria Rama-Meta, ose e thënë ndryshe “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.
Kjo kërkesë e studentëve rezulton të jetë edhe nga pikat e programit elektoral të Ramës dhe Metës për qeverisjen 2013-2017. Mes kritikash për arsimin, ku vihen në dukje një sërë problemesh që në 2013 ishin trashëguar nga e kaluara, në program thuhet saktësisht:
“Synimi është që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% e PBB me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike”.
Por le të shohim se ç‘përqindje ka zënë financimi i arsimit për periudhën 2013-2017 në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas të dhënave publike të paraqitura në buxhetin e arsimit në faqen e Ministrisë së Financave, financimi rezulton të jetë i tillë:
Ajo që vihet re nga grafika është fakti që qeveria për ta mbajtur këtë premtim do të duhej të dyfishonte financimin për arsimin, por kjo duket ende larg.
Për vitin 2018, financimi i arsimit është në masën 38 miliardë lekë, por nuk mund të llogarisim se ç‘përqindje zë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), pasi viti ende nuk ka përfunduar dhe nuk ka të dhëna.
Ditën e hënë, kryeministri Rama, gjatë një komunikimi direkt nëpërmjet Facebook-ut, tha se financimi aktual i arsimit të lartë është në vlerën e mbi 8 miliardë lekëve, por kjo nuk është e vërtetë.
Bazuar në buxhetin e vitit 2018, financimi rezulton të jetën në vlerën e 7.3 miliardë lekëve. Ky nuk është buxheti faktik por edhe me ndryshimin e ligjit për buxhetin e këtij viti në korrik, financimi për arsimin nuk ka pësuar ndryshime.
Programi i qeverisjes 2013-2017, dhe rritja e financimit të arsimit në 5% të PBB-së nuk është realizuar. Ajo që është premtuar më herët nga qeveria, tashmë është kthyer në një prej kërkesave për të cilat studentët duket se nuk do të tërhiqen, deri në përmbushjen e tyre.