Rreth 1000 nxënës të shkollave “Naim Frashëri“ dhe “Jonuz Çarçiu“ në Elbasan, mësojnë në kushte të papërshtatshme dhe me turne, pasi objektet ende nuk janë rindërtuar. Kryebashkiaku Gledian Llatja propagandoi rindërtimin e këtyre dy shkollave gjatë fushatës për zgjedhjet vednore të majit. Por Faktoje verifikoi se përmbushja e premtimit varet nga financimi i qeverisë dhe jo i bashkisë, e cila llogarit se për ridërtimin dhe rikonstruksionin e dy objkteve arsimore duhen të paktën 382.5 milionë lekë.
Patris Pustina
Gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, i cili kandidonte për mandatin e tij të dytë, premtoi rindërtimin e shkollave “Naim Frashëri” në Elbasan, dhe “Jonuz Çarçiu” në Tregan.
Duke qenë se Llatja është në krye të Bashkisë Elbasan që në vitin 2019, Faktoje vendosi t’i drejtohej me një kërkesë për informacion Bashkisë për t’u interesuar për statusin e rindërtimit të këtyre shkollave, të premtuar në Maj nga Llatja.
Përgjigjia e Bashkisë Elbasan nuk ishte shpresëdhënëse.
Projektet për rindërtimin e shkollave “Jonuz Çarçiu” dhe “Naim Frashëri” parashikohet të kushtojnë 128 milionë lekë dhe 254.5 milionë lekë, respektivisht.
Për të tretin vit radhazi, Bashkia Elbasan mbetet në pritje të financimit nga buxheti i shtetit, duke qenë se, sipas përgjigjes së tyre, “për shkak të kostos së lartë të preventivit [këto projekte] janë të pamundura për tu financuar nga buxheti I Bashkisë Elbasan.”
Nga verifikimi në terren në fund të muajit tetor 2023 konstatuam se 720 nxënësit e shkollës “Naim Frashëri” që ndodhet në qytetin e Elbasanit, vijojnë të bëjnë mësimin me turne në ndërtesën ekzistuese.
Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan, 24 tetor 2023
Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan, 24 tetor 2023
Megjithatë, atyre u është kursyer fati i nxënësve të shkollës “Jonuz Çarçiu”, e vetmja shkollë e fshatit turistik të Treganit.
Që nga mbyllja e saj si pasojë e dëmtimeve nga tërmeti në 2019, 240 nxënësit që ndiqnin mësimin në këtë shkollë janë shpërndarë në shkollat e fshatit Kuqan, ku ndjekin mësimin me turne.
Për të shkuar në shkollë, ata transportohen 5 km me autobusë, diçka që L.P.-së, shtëpia e të cilit është fare pranë godinës së shkollës “Jonuz Çarçiu”, i duket absurde. Ai dhe e shoqja u shprehën të shqetësuar për faktin që duhet t’i dërgojnë fëmijët, sidomos ata që ndjekin arsimin fillor, në një fshat tjetër, në turnin e dytë.
Teksa pyesnim për godinën e shkollës, të tjerë banorë të Treganit, të cilin e gjetëm të mbushur me turistë, edhe pse fund-Tetori, i bënë jehonë këtyre shqetësimeve.
Pyetur në vitin 2020, kryebashkiaku Llatja kishte të njejtën përgjigje me Bashkinë Elbasan, pyetur nga Faktoje në 2023: Bashkia e ka projektin gati, por ai nuk është aprovuar për financim nga qeveria.
Gjatë verifikimit që Faktoje bëri në terren, më 24 tetor, vizituam shkollën “Jonuz Çarçiu”.
Ndonëse ujërat termike që burojnë nën Tregan kishin tërhequr turma vizitorësh që mbushnin rrugët e fshatit, godina e shkollës qëndronte e vetmuar në majën e një kodre. Pamja e saj jepte përshtypjen e një godine fantazmë.
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 24 tetor 2023
Megjithëse nga jashtë, ndërtesa nuk shfaqte ndonjë dëmtim strukturor, shkolla ishte vandalizuar. Brenda saj gjetëm dritare të thyera dhe mjete shkollore të shpërndara në tokë. Bankat, dërrasat e zeza dhe tabelat e nderit tani janë kthyer në mbeturina, në klasat që prej 4 vitesh nuk frekuentohen më nga nxënësit.
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 24 tetor 2023
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 24 tetor 2023
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 24 tetor 2023
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 24 tetor 2023
Në 8 nëntor 2023, banorët e Treganit protestuan kundër zvarritjes së rindërtimit të shkollës, gjatë një dëgjese publike për buxhetin e vitit 2024. Një nga zyrtarët e Bashkisë, i pranishëm në takim u tha banorëve se “shpreson fort” që qeveria t’i kthejë sytë nga Tregani pas përfundimit të procesit të rindërtimit në zonat e tjera.
Sipas raportimit të Faktoje në shtator 2021, shkolla e fshatit Tregan që i ka mbyllur dyert si e pafrekuentueshme nga dëmet e tërmetit, ishte në pritje të fondeve për rindërtim nga qeveria. Por dy vite pas këtij raportimi, Bashkia Elbasan thotë se ka projektin gati, por ai nuk është aprovuar ende për financim nga qeveria.
Në këto rrethana, premtimi i kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për rindërtimin e shkollës “Jonuz Çarçiu” mund të quhet i pambajtur dhe propagandë elektorale, për sa kohë bashkia nuk planifikon fonde për rindërtimin e tyre, por pret financimin nga qeveria.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.