.

.

BallinaNë lupën e FaktevePremtimi i ricikluar për “Korridorin Blu”, ekspertët në alarm për kostot jashtë kontrollit

Premtimi i ricikluar për “Korridorin Blu”, ekspertët në alarm për kostot jashtë kontrollit

Albina Hoxhaj

Prej 2013-s, partia në pushtet prej atij viti, qeveria aktuale ka qenë premtimi për ndërtimin e segmentit të Autostradës Adriatiko-Joniane, ku Shqipëria ka rreth 296 kilometra. Zotimi i ri i kryeministrit Rama është që projekti, në vlerën e 3.34 miliardë eurove, të përfundojë në 2026-n. Por afatet e përfundimit lidhen në mënyrë të pashmangshme me kostot e fryra, sipas vlerësimit të ekspertëve që paralajmërojnë se Shqipëria është larg kritereve të BE që të përfitojë fonde. Ndërtimi i korridorit, një pjesë e të cilit është ai Thumanë-Kashar, ka dëshmuar se kostoja e ndërtimit me PPP mund të rrënojë buxhetin e shtetit, i cili ende përballet me pasojat e krizave të njëpasnjëshme që nisëm me tërmetin e 2019-s, pandeminë dhe luftën në Ukrainë.

Kryeministri Edi Rama në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, gjatë një takimi në Lezhë përsëriti premtimin e bërë që në fushatën e vitit 2013, për projektin e “Korridorit Blu”.

Nëse flasim për lidhjen e Lezhës me infrastrukturën kombëtare është e vërtetë që mungon ky bosht, boshti i atij që ne e pagëzuam në atë kohë kur hymë në zgjedhjet e 2013-s si Korridori Blu. Nga një ide që u bë pjesë e programit, po me këtë term hyri dhe bëri pjesë të financimeve të Bashkimit Europian për rajonin. Është e vërtetë që në këtë pikë, ne kemi një borxh të pashlyer me të gjithë zonën, por është borxh që kemi të gjitha arsyet të mendojmë që do ta shlyejmë, sepse me hapjen e garës besojmë se do kemi kompanitë e duhura që do konkurrojnë dhe kompaninë e duhur që do bëjë realizimin e këtij projekti.”- tha kryeministri Rama në 7 mars 2021.

 

 

Screenshot nga fjalimi i zbardhur në faqen e kryeministrisë

Projekti për Korridorin Blu mbetet një premtim i pambajtur dhe i ripërsëritur, të cilin kryeministri Rama e klasifikoi si prioritet të mandatit të tretë qeverisës dhe realizimin e plotë të tij brenda 5 viteve të ardhshme.

Nisur nga ky zotim i ripërsëritur, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës në fillim të këtij viti, por nuk mori përgjigje zyrtare.

 

Screenshot i e-mailit të dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës

Kërkesa për informacion u ridërgua në datën 28 shkurt, por sërish nuk mori asnjë përgjigje nga institucioni.

Faktoje e ankimoi institucionin për mungesën e përgjigjes pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe vetëm në mesin e muajit prill mori përgjigje.

Faktoje kishte kërkuar informacion nga MIE për pyetjet e mëposhtme:

Screenshot me pyetjet drejtuar MIE

Sipas MIE, investimi total i vlerësuar është 3.26 miliardë euro me TVSH për segmentet rrugore Shqiptare dhe studimi i fizibilitetit ka përfunduar tashmë për të gjithë segmentet e Autostradës Adriatiko-Joniane. WBIF Grant: 2.5 mln Euro

Përshkrimi i projektit dhe objektivat e përcaktuara nga ministria për këtë projekt

Korridori Adriatiko-Jonian (AIC) është një projekt strategjik i Ballkanit dhe i gjithë Evropës Juglindore. Përfundimi i tij do të lidhë Evropën Qendrore dhe Italinë Veriore me Gadishullin Ballkanik me Detin Jon nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë. Korridori Adriatiko-Jonian shtrihet përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, nga Trieste në Itali deri në Kalamata në Greqi. Gjatësia totale e parashikuar e Autostradës është rreth 1550 km, nga të cilat 296 km janë në Shqipëri. Ndërtimi i AIC në territorin shqiptar është një projekt prioritar për Qeverinë Shqiptare, si pjesë e planeve të zhvillimit rajonal të Traktatit të Komunitetit të Transportit (TCT), të përfshira në Strategjinë  Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit 2016-2020, është pjesë e Planit Kombëtar të Transportit Rishikimi i Dytë (ANTP3) dhe është pjesë shumë e rëndësishme e projekteve prioritare kombëtare.

Korridori Jon-Adriatik në Shqipëri është i ndarë në 13 seksione, sipas projektit konceptual të financuar nga WBIF. Në territorin shqiptar fillon në Muriqan dhe kalon radhazi në Balldren, Milot, Thumanë, Kashar, Lekaj, Konjat, mbivendoset me bypass-in e Fierit, Levanit, Poçemit, Memaliajt, Subashit, mbivendoset me bypass-in e Gjirokastrës duke përfunduar në Kakavijë.

Sipas WBIF, kostoja totale e saj në Shqipëri vlerësohet në 2.7 miliardë euro punë ndërtimi (ose 3.26 miliardë euro nëse përfshihet TVSH). Duke përfshirë shpronësimet, në vlerën 76 milionë euro, Korridori Adriatiko-Jonian në Shqipëri ka një kosto totale prej 3.34 miliardë euro.

Aktualisht është në proces të hartimit, segmenti i parë Murriqan-Lezhë, i Autostradës Adriatiko Joniane, me mbështetje të asistencës teknike të përfituar me fonde te WBIF.

Rezultatet/Përfitimet sipas parashikimeve të ministrisë janë:

– Standardet e larta TEN-T për sigurinë rrugore dhe uljen e numrit të aksidenteve dhe viktimave;

– Lehtësim i ndjeshëm i trafikut në Shqipëri dhe shmangie e bllokimeve.

– Përmirësimi i cilësisë së ajrit, me më pak zhurmë dhe ndotje akustike; reduktimi i gazeve serrë të GS; reduktimi i kohës dhe kostos së udhëtimit, përmirësimi i lidhjes dhe aksesit; rritja e vlerës së tokës.

-Përfitimet ekonomike për projektet e infrastrukturës rrugore përfshijnë kursimin e kohës së udhëtimit, kostot operative të automjeteve, kostot mjedisore dhe kostot e  aksidenteve, kursimet e kohës së udhëtimit dhe kostot e aksidenteve.

 

Të dhënat në tabelën e mësipërme janë marrë nga Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës

Gjurma e projektit “Korridori Blu”, të dhënat e konfirmuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës

Në kërkesën dërguar Ministrisë shtrohet pyetja se në cilën fazë është projekti aktualisht, pyetje kjo për të cilën nuk kemi marrë një përgjigje konkrete, kjo edhe për faktin se projekti është ndarë në disa segmente një pjesë e të cilave ende nuk ka filluar nga puna.

Korridori Blu realitet brenda 5 viteve?

Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit në datën 16/09/2021 premtoi se “Korridori Blu”, një autostradë me standarde të larta europiane, nga Murriqani në Fier, do të bëhet realitet brenda 5 viteve të ardhshme.

“Ky do të jetë edhe mandati i kantierit të madh të korridorit Blu më i madhi në historinë e deritanishme të zhvillimit të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë, ku në harkun e 5 viteve do të kemi një autostradë të realizuar me standarde europiane, nga Murriqani në Fier, duke kaluar përmes Milotit, Thumanës, Kasharit dhe Rrogozhinës. Kemi pritur më gjatë se ç’duhet të prisnim që ky projekt prioritar, i procesit të Berlinit të financohej nga BE, por nuk do të presim më, do fillojmë punën”, tha Rama.

Ekspertët: PPP-të shumëfishojnë koston, Shqipëria larg kritereve për të përfituar fonde nga BE

Ish zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj tha për Faktoje se ndarja në segmente rrugore dhe dhënia e tyre me koncension PPP shumëfishon kostot. Sa i takon fondeve të Bashkimit Europian kriteret janë të tilla që  Shqipëria nuk i plotëson dot për disa arsye sipas ekspertes.

Për fondet që jepen nga BE mund të them:

  1. Ato financojnë rreth 1/4 e projektit, 3/4 ose duhet të sigurohen nga buxheti i shtetit ose kredi të buta nga bankat e zhvillimit.
  2. Shqipëria duket se nuk ka kapacitete të hartojë projekte, studime fizibiliteti të detajuara të cilat plotësojnë kushtet për të përfituar nga fondet e BE, për këtë arsye ka qenë e fundit në rajon që ka përfituar nga këto fonde. Kushti pra, sigurimi i 3/4 të fondeve nga buxheti apo kreditë e buta do të çonte në rritjen direkte të borxhit. Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë në rajon. Ky faktor dekurajon përfshirjen në fondet e BE, pasi në mënyrë të menjëhershme do të përkeqësonte parametrat makro-fiskale. Përdorimi i PPP është një mekanizëm i cili nuk e reflekton rritjen e borxhit në mënyrë të menjëhershme, por e shtyn atë në kohë. Kostot e PPP janë disa herë më të shtrenjta sesa nëse këto projekte do të ishin bërë me fonde të qeverisë. Nga studimet botërore ato rezultojnë të paktën 5 herë më të shtrenjta për vende (si Anglia) të cilat kapacitetet e administrative i ka të larta. Pra nëse sot do të investonim lekët e buxhetit edhe rrisnim borxhin me 1 lek shtyrja e pagesave me anë të PPP në rastin më të mirw do t’i kushtojë vendit 5 lek, pa përfshirë kostot e interesit”, thotë Beqiraj.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë se rritja e kostove ndikohet edhe nga gara reale ose jo në procesin e dhënies me PPP të segmenetve rrugore.

“Kemi rastin e Bypass të Fierit që është pjesë e Korridorit, ku kostoja ka qenë afërsisht 2.5 mln Euro për kilometër, po ashtu kemi dhe segmentet e tjera si Milot-Rrogozhinë ku kostoja e propozuar ka shkuar deri në 17 mln Euro për kilometër. Kjo lidhet drejtpërdrejtë me autoritetin që organizon garën. Bypass-in e Fierit e administruan të huajt, segmentet e tjera i administron qeveria shqiptare. Në këtë pikë, cilido qoftë modeli ekonomik i ndjekur për t’u zbatuar, nëse s’ka garë reale, të patrukuar, kostot e fryra do të jenë një problem. PPP-të janë pjesë e skemës për shmangien e garës. Pra është një ndër veglat në funksion të makinerisë së shmangies së garës”, argumenton Soko.

Premtimi për Korridorin Blu, i cili deri më sot rezulton i pambajtur, tashmë ka ngritrt një tjetër alarm, atë të rritjes së kostove në mënyrë të pakontrolluar, ndërkohë që vendi përballet me krizat  e njëpasnjëshme që nisën me tërmetin e vitit 2019, pandeminë covid dhe pasojat e luftës në Ukrainë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img