“Ne do të garantojmë më në fund, më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane të 61 bashkive të vendit dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë fushatash elektorale dhe përballjesh politike në fushatë”, premtoi kryeministri Edi Rama në mars 2021, i vetëm, përballë një kamere në stilin “One Men Show”.
Në fakt nuk është ashtu. Sërish ai, me të njëjtin stil, por me formë të ndryshuar në rubrikën “Sy me sy” me ndjekësit, Rama, në periudhë zgjedhjesh e ka përmendur (jo një) por tre herë këtë çështje gjatë muajt Shkurt.
Një herë duke deklaruar se kur erdhi PS-ja në pushtet nuk kishte asnjë zonë me 24 orë ujë të pijshëm, një herë tjetër duke përgënjeshtruar veten se gjetën vetëm katër zona me ujë të pijshëm dhe të tretën herë se si sot Tirana ka 67% të territorit me ujë të pijshëm.
Rama i vitit 2013
“Unë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm e dini pse nuk kam folur? Sepse më vjen turp. Më vjen turp me një histori 20 vjet sa herë ka fushatë do ju japim ujë 24 orë. Pas 20 vitesh prapë ujë nuk ka dhe tetë vjet në pushtet të isha në vendin e tij (Berishës) do kisha ikur, do kisha thënë me falni nuk arrita dot, bëra sa munda po meqë nuk ju solla dot ujë unë nuk e meritoj…”, tha Edi Rama kur kërkonte votat për tu zgjedhur kryeministër për herë të parë.
Në fakt Rama, ndryshe nga sa këshilloi paraardhësin, qëndroi mbi dhjetë vjet në pushtet me premtimin e njëjtë për ujë 24 orë.
Rama i vitit 2021
Katër vite më parë, kur kërkonte votat për një mandat të tretë Rama përshkruante se kishte gjetur një histori të gjatë të dokumenteve strategjike për sektorin e ujit, duke theksuar se, megjithëse ishin krijuar 23 strategji kombëtare dhe 78 dokumente strategjike (deri në vitin 2013), sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm kishte qenë në kolaps. Rama kritikonte korrupsionin dhe falimentimin e ndërmarrjeve ujësjellësi, duke përmendur gjithashtu se si sistemi i vjetër nuk mund të përballonte kërkesat e një popullsie të përqendruar në qendrat urbane. “Por gjatë kësaj periudhe janë realizuar 320 projekte teknike dhe mbi 200 kantiere për ujësjellës dhe kanalizime në nivel kombëtar, me qëllim sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë për komunitetet urbane që kanë vuajtur për dekada…”, tha Rama në 2021
Rama i vitit 2025
“Dëgjo tani, më hape një temë që më pëlqen shumë. Në vitin 2025 ne flasim për shumë gjëra dhe nëse ty nuk të pëlqen, që ne flasim për ujin, unë po të kujtoj që kjo nuk është e lidhur me ne, dakord. Sepse Shqipëria ujë 24 orë në 2013 ku kemi marrë detyrën ka pasur vetëm në 4 zona. Në 4 zona 24 orë ujë. Sot ka në 43 zona urbane dhe në 98 zona rurale 24 orë ujë. Natyrisht që ka akoma zona të tjera ku duhet shtuar furnizimi”, iu drejtua së fundmi Rama një ndjekësi në rrjetet sociale.
Dje?
“Mandatin e tretë qeverisës do të garantoj në disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë ku është edhe problemi më i madh pasi ka ndodhur edhe përqendrimi më i madh si rezultat i një lëvizje masive të popullsisë në vite që ka sjellë edhe nevojën masive për investime në furnizimin e sistemit me ujë dhe kur them në Tiranë 24 orë ujë brenda mandatit të tretë përfshi Kamzën dhe Vorën, por e njëjta gjë do të ndodhë me Vlorën me Shkodrën, me Durrësin kur s’ka pasur ujë 24 orë kurrë dhe kur sot ka një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë përfshi Elbasanin, Kukësin dhe vijën turistike të Shqipërisë”, deklaronte Rama në 2021
Sot?
“Tirana, i dashur, ka 24 orë ujë në 67% të territorit dhe 17 orë ujë mesatarisht në pjesën tjetër, ndërkohë që vazhdojnë investimet këtu në Tiranë dhe vazhdojnë në tërë Shqipërinë ku, të merremi vesh, nuk ka pasur 24 orë ujë kurrë, asnjëherë, as në kohën e komunizmit dhe ku sot shtohen në vijimësi zonat me 24 orë ujë…”, tha Rama në rubrikën ‘Sy me Sy’ më 23 shkurt.
Duke bërë një krahasim më të kaluarën, kryeministri Rama, me të njëjtën strategji si katër vite më parë, synon të sjellë përceptimin se si sfidat në këtë rast janë duke u adresuar edhe pse premtimi i përsëritshëm për 24 orë mbetet i paplotësuar.
Në tre herë brenda një muaji, kryeministri është përpjekur ta paraqesë këtë progres si sukses të madh (nga 4 zona me ujë në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale) pavarësisht se premtimi për furnizim 24 orë me ujë ende nuk është realizuar në gjithë territorin e vendit, edhe pse çmimi është rritur. Ndërkohë, Enti Rregullator i Ujit të fundit raport të publikuar në faqen zyrtare të saj ka bilancin vjetor për vitin 2023
Fushatë e re, propagandë e vjetër
Rama nuk është i vetmi. Ai i ka mëshuar fort Tiranës për ujë 24 orë aty ku është edhe hambari më i madh i votave. Faktoje.al ka nxjerrë disa deklarata të Erion Veliajt ndër vite se si prej vitit 2015 në kohë dhe vite të ndryshme edhe kryebashkiaku i Tiranës ka premtuar 24 orë ujë në Tiranë.
Analiza
“Në lidhje me deklaratat e Ramës, ai ka premtuar ujë 24 orë në tre mandatet deri tani, duke filluar nga 2013. Në 2017 dhe 2021 premtoi ujë 24 orë në ditë për të 61 bashkitë. Sot nxjerr shifra fiktive sikur 67% e Tiranës ka ujë të pijshëm dhe 24 orë, ku as njëra, as tjetra nuk është e vërtetë. E njëjta gjë për deklaratat e Veliajt në të dy mandatet. ‘Sy më sy’ duket si një formë e re propagande në vend të ballafaqimit me faktet dhe llogaridhënies për realizimin e premtimeve përgjatë 3 mandateve deri tani”, thotë për Faktoje.al politologu Ilir Kalemaj.
Kryeministri Edi Rama për ujin 2013-2015
Rama, 2013
“Unë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm e dini pse nuk kam folur sepse me vjen turp me vjen turp me një histori 20 vjet sa herë ka fushatë do ju japim ujë 24 orë. Pas 20 vjtesh prape ujë nuk ka dhe tetë vjet në pushtet të isha në vendin e tij (Berishes) do kisha ikur do kisha thënë me falni nuk arrita dot, bëra sa munda po meqë nuk ju solla dot ujë unë nuk e meritoj. Do të angazhohemi me mish e me shpirt që ditë- natë çdo shtëpi e këtij vendi të ketë ujë për të pirë dhe për tu larë se kjo e ndan qytetërimin tonë nga Mesjeta nga koha e para Luftes kur nuk kishte as shtet, asgjë, kjo e ndan qytetërimin me shtet nga popull pa shtet që oburra ku të kapim ndonjë curril që të lagim buzët…”
Rama, 2021
“Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% falë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe mbështetjes që kemi siguruar për këtë sektor jetik nga qeveria gjermane ajo franceze dhe ajo zviceriane ne do të garantojmë më në fund, më në fund 100 përqind ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane të 61 bashkive të vendit dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë fushatash elektorale dhe përballjesh politike në fushatë”
Rama, 2025
“Dëgjo tani, më hape një temë që më pëlqen shumë. Në vitin 2025 ne flasim për shumë gjëra dhe nëse ty nuk të pëlqen që ne flasim për ujin, unë po të kujtoj që kjo nuk është e lidhur me ne, dakord. Sepse Shqipëria ujë 24 orë në 2013 ku kemi marrë detyrën ka patur vetëm në 4 zona. Në 4 zona 24 orë ujë. Sot ka në 43 zona urbane dhe në 98 zona rurale 24 orë ujë. Natyrisht që ka akoma zona të tjera ku duhet shtuar furnizimi…”
Deklaratat e Erion Veliajt në vite
- Veliaj, 2015
Është viti 2015 dhe zona të Tiranës është pa ujë. Çfarë bëri kryetari i komunës kur iku përveçse volli për vete, pse nuk i solli ujë Komunës?!. Tirana pa ujë, Bërzhita pa ujë…
- Veliaj, 2017
Pas investimeve që nuk është bërë prej 20 e ca vitesh unë besoj se brenda 5 vitesh ne do të kemi ujë 24 orë në Tiranë
- Veliaj, 2017
Nëse sikush është i shqetësuar për atë 20 lekëshin mjafton vetëm 10 sekonda që të mbyllë çezmën, sikur 10 sekonda të kursejë ujë në dite as nuk e ndjen fare në faturë të gjithë diferencën e çmimit ama me çmimin sikur të ishim në Bathore do të kemi ujë sikur të ishim në Korcë
- Veliaj, 2018
Ambicia jonë është që për pesë vite nga fillimi i këtyre investimeve ne të kemi ujë 24 orë në Tiranë
- Veliaj, 2018
Brenda 5 viteve ne të kemi ujë 24 orë në Tiranë jo me fjalë, por me të gjitha këto investime.
- Veliaj, 2019
Kemi hyrë në vitin 2019 që është viti i parë i planit tonë 5 vjecar për ujë 24 orë në Tiranë kështu që në vitin 2024 duhet të kemi ujë 24 orë
- Veliaj, 2019
Nis kronometri për premtimin tonë Tirana ujë 24 orë
- Veliaj, 2019
Kemi një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat një peshë e jashtëzakonshme mbi tarraca… Ne nuk duhet te jemi ata që nuk mësojnë nga historia por ata që mësojnë nga historia
- Veliaj, 2021
Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh, që jo vetëm 70% e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100% e Tiranës të furnizohet me ujë
- Veliaj, 2023
Me afrimin e fushatës, rritet edhe niveli i populizmit. Të gjithë ishim duke pritur ide serioze, si mund të shkojnë punët e qytetit më mirë. E kuptoj që shumë prej tyre nuk ballafaqohen dot me Tiranën që kishte vetëm 10 % ujë, kur ishte vetëm 1/29 e territorit. Sigurisht, nuk krahasohesh dot me Tiranën që ka sot 65 % ujë 24 orë dhe është 29 herë më e madhe.