BallinaTë pambajturaPremtimi i pambajtur për rikthimin e Komisariatit Digjital

Premtimi i pambajtur për rikthimin e Komisariatit Digjital

Në 17 korrik 2023, ministri i brendshëm,  Taulant Balla premtoi rikthimin në fuksion të Komisariatit Digjital. Aplikacioni i lançuar në kohën e Saimir Tahirit në 2015, u ndërpre pas sulmit kiberntik mbi platformat digjitale shtetërore në verën e viti 2022. Prej asaj kohe Komisariati Digjital mbetet jashtë funksionit, një mangësi që raportohet edhe në auditin e KLSH se mosfunksionimi i aplikacionit privoi qyetarët nga një mënyrë shumë efikase komunikimi me policinë.

Xhevahir Zhabina

“Komisariati Digjital do duhet të marrë një peshë me rëndësi të dorës së parë. Ai aplikacion duhet të jetë portë e hapur 24 orë në 7 të javës që çdo qytetarë  jo vetëm do mund të hyjë nga çdo smartphone apo kompjuter, por të marrë përgjigje të shpejtë jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë. ”- Taulant Balla, Ministër i Brendshëm.

Verifikimi

10 muaj pas kësaj deklarate aplikacioni është ende jashtë funlsionit. Ky aplikacion nuk gjendet në play store apo app store për ta shkarkuar.

Ne kërkuam informacion nga Ministria e Brendshme se kur do jetë aktiv ky aplikacion, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimin nuk morëm përgjigje.

Mosfunksionimi i Komisariatit Digjital raportohet edhe në auditin e kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Policinë e Shtetit, që kishte në fokus “Shërbimin e Policisë në Përgjigje të Qytetarëve”. KLSH raporton gjetje domethënëse në përfundim të të cilave konkludon se mosfunksionimi i aplikacionit privoi qyetarët nga një mënyrë shumë efikase komunikimi me policinë.

“Mosfunksionimi i aplikacionit “Komisariati Dixhital” pas korrikut të vitit 2022 dhe mos veprimi për rivendosjen e tij në punë, ka privuar qytetarët përdorimi i një kanali komunikimi me policinë i cili pa dyshime kishte avantazhe për ta, për thjeshtësinë në përdorimin e tij.”- Raporti i KLSH

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Komisariati Digjital ka qënë një aplikacion i sukseshëm pasi gjatë tre viteve 2020 – 2022 janë bërë 145 074 raportime nga qytetarët për shkelje të ndryshme ligjore. Më shumë se gjysma e këtyre denoncimeve është bërë në drejtorinë e policisë Tiranë.

KLSH ka lënë dhe një rekomandim për Policinë e Shtetit për ta kthyer në funksion këtë aplikacion brenda datës 30 qershor të këtij viti.

“Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit, së bashku me Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të analizojnë pasojat e shkaktuara si rezultat i mosfunksionimit të aplikacionit “Komisariati Dixhital”, si dhe rrugët alternative për rikthimin e tij në funksion. Brenda datës 30.06.2024”- Raporti i KLSH.

Eskperti i sigurisë Fatjon Softa sqaron se është e paqartë pse një mjet kaq efikas në duart e qytetarëve nuk është rikthyer në funksion.

“Aplikacioni komisariati digjital duhet të rikthehet në punë pasi ishte një mjet i rëndësishëm në dorën e qytetarëve për të komunikuar me policinë dhe shumë efektiv. Ai u ndërpre fillimisht në sistemin ios, më pas atë android dhe është e paqartë përse nuk riaktivizohet. Qytetarët do të kishin mundësi të denonconin në kohë reale dhe duke ruajtur anonimatin” Fatjon Softa Eskpert Sigurie.

Retrospektivë

9 vite më parë, Ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri prezantoi një dritare nga ku policia do të komunikonte me qyetarët, komisariatin digjital. Me anë të aplikacionit qytetarët do të kishin mundësi të denonconin paligjshmërinë më shpejt, duke ruajtur anonimatin dhe reagimi i policisë do të ishte i menjëhershëm.

“Prezantojmë para jush Komisariatin Digjital që është polici inteligjent në dorën tënde. Një instrument i fuqishëm që nëpërmjet një kliku mund të ndash informacion me policinë, mund të bësh një denoncim dhe të presësh që po me të njëjtën shpëjtësi policia të gjenden në vendin ku ti denoncon.”- Saimir Tahiri, ministër i brendshëm (në 2015).

Dy muaj pas prezantimit kryeministri dhe ministri i brendshëm e konsideruan aplikacionin një histori suksesi. 27 korrikun e 2015 u publikua se 45 mijë qyetarë kishin shkarkuar aplikacionin në telefonat e tyre se dhe 14 mijë raportime ishin bërë në 10 javët e para.

Ju e dini se sa e vështirë ka qenë qasja e individit tek institucionet, tek Policia e Shtetit. Sa e vështirë ka qenë marrëdhënia ndërmjet denoncuesit dhe punonjësit të Policisë që e priste. Detyroheshe të shkoje tek institucioni, detyroheshe të prisje me orë të tëra, detyroheshe të flisje me njerëz që shpesh herë përgjigjeshin pa etikë ose në mënyrë jo korrekte, me njerëz që ndoshta nuk vepronin në kohë.“Komisariati Dixhital” i jep zgjidhje këtyre fenomeneve, por mbi të gjitha është i pakorruptueshëm.– Saimir Tahiri, ministër i brendshëm,

“14 mijë denoncime në 10 javë, një shifër fantastike për të besuar se ky aplikacion është histori suksesi dhe për të garantuar historinë e suksesit që po shkruan përditë policia e shtetit ka ende një hapësirë të madhe për t’u përmirësuar.”– Edi Rama, Kryeministër

Përfundim

Komisariati digjital nuk është rikthyer në funksion prej korrikut 2022, pavarësisht premtimit të ministrit të brendshëm Taulant Balla.

E vetmja zgjidhje në këtë rast, për eskpertët është investimi në teknologji në mënyrë që policia shqiptare t’i afrohet sadopak standardeve me të cilat punojnë homologet e saj europiane, atje ku ne duam të aderojmë.  

“Policia ka nevojë për investime në teknologji për t’u afruar me ato të vendeve të Bashkimit Evropian. Italia ka futur inspektorin digjital, këtu nuk ekziston si koncept. Në Shqipëri mjetet teknologjike që përdoror policia nuk kanë sisteme verifikimi dhe kërkimi në kohë reale. Mbetet vetëm salla operative dhe komunikimet janë vetëm me anë të telefonit.” – Fatjon Softa Eskpert Sigurie.

Që policia është larg zhvillimeve teknologjike e pranoi ministri Taulant Balla në të njëjtën ditë që kërkoi që komisariati digjital të këtë rol parësor në komunkimin me qytetarët.

“Në kohën kur qeveria po punon për të futur Inteligjencën Artificiale në platformën e-albania, në procesin e integrimit europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e revolucionit digjital, policia e shtetit nga një pararojë deri para pak kohe në digjitalizim siç ishte dikur, është kthyer në bishtin e fundit të kavallit sot.”- Taulant Balla, Ministër i Brendshëm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img