.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriPremtimi ende i pambajtur për maternitetin e ri të Kukësit

Premtimi ende i pambajtur për maternitetin e ri të Kukësit

Materniteti i ri i Kukësit ende nuk ka hapur dyert për pacientët, ndonëse prej vitesh zyrtarët kanë deklaruar se ai do të ishte gati së shpejti. Ky shërbim që mbulon përvec Kukësit edhe Hasin e Tropojën, vazhdon të ofrohet në maternitetin e vjetër, me kushte jashtë standardeve.  Mjekë në maternitetin e vjetër të spitalit të Kukësit bëjnë të ditur se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 517 lindje, ku vihet re një rënie krahasuar me vitin paraardhës.

Në qershor të vitit 2019, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu inspektoi punimet për rehabilitimin e kompleksit spitalor në Kukës, ku njoftoi edhe ndërtimin e Maternitetit të ri në këtë qytet.

“Me këtë investim transformues, që në fazën e parë, përfundon edhe materniteti i ri i qytetit, me 43 shtretër, me aparatura të teknologjisë së lartë, i cili do të jetë pjesë e kompleksit spitalor, për të garantuar që nënat dhe fëmijët të marrin shërbimin shëndetësor me standardin më të mirë, afër vendbanimit”, deklaroi ministrja Manastirliu.

Për sa i përket investimeve për maternitetin, Manastriliu inspektoi punimet në muajin prill të vitit 2022, por u kujdes të mos jepte afate për përfundimin e tij.

Në prill të vitit 2022 edhe kryeministri Edi Rama premtoi se materniteti i Kukësit do të hapte dyert së shpejti.

Kur kanë kaluar më shumë se tre vite nga nisja e punimeve për ndërtimin e maternitetit të ri të Kukësit, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren, në më 16 janar.

Nga komunikimi me banorë të zonës na u bë e ditur se materniteti i ri nuk ishte hapur ende, edhe pse punimet për rikonstruksionin e të gjithë godinës së spitalit Rajonal të Kukësit kanë nisur që në vitin 2019. Ky shërbim vazhdon të ofrohet në maternitetin e vjetër i cili mbulon përveç bashkisë Kukës, edhe Hasin e Tropojën. Pacientet bënë të ditur se godina ka rreth 50 vite që shërben si maternitet dhe lagështira është e pranishme kudo.

Materniteti i vjetër në Kukës, 16 janar 2023

Materniteti i vjetër në Kukës, 16 janar 2023

E pyetur nga Faktoje, shefja e shërbimit në Maternitetin e Kukësit, Venezie Doçi tha se brenda muajit prill të këtij viti pritet që të transferohen në maternitetin e ri.

“Këtu kushtet le të themi janë optimale, kemi ngrohje. Sigurisht që spitali i ri është më komod, kemi edhe shërbimet e tjera afër”, u shpreh ajo.

Materniteti i vjetër në Kukës, 16 janar 2023

Mjekja theksoi se mesatarisht në këtë spital bëhen 5-6 lindje në javë. “Gjatë vitit 2022 kishim 517 lindje, ndërsa në vitin 2021 u bënë 611 lindje. Ka një rënie të lindjeve, sepse edhe njerëzit kanë ikur”, tha shefja e shërbimit të maternitetit.

Në lidhje me fazën e punimeve dhe kur pritet të jetë gati për pacientet materniteti i ri, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë së Kukësit. Jemi në pritje të një përgjigje nga këto institucione, duke respektuar afatet ligjore për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë Kukës

Ndërkohë ne bëmë një verifikim në terren për të parë se në çfarë faze janë punimet për maternitetin e ri.

Godina e spitalit Rajonal Kukës, që do shërbejë si maternitet, 16 janar 2023

“Puna ka nisur që në vitin 2019, është bërë rinovim i gjithë godinës. Ka dhe një pavion për t’u bërë dhe më pas do të vihen pajisjet”, -thanë burime për Faktoje.

Mirëpo, banorët shprehen se nuk kanë asnjë informacion kur pritet që materniteti i ri të vihet në funksion.

Spitali Rajonal Kukës, 16 janar 2023

Rehabilitimi i kompleksit spitalor të Kukësit, pjesë e së cilit është edhe materniteti, është një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 3 milionë euro.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img