BallinaPremtimePremtimet shtohen por kalldrëmet e Gjirokastrës mbeten ende të pashtruara

Premtimet shtohen por kalldrëmet e Gjirokastrës mbeten ende të pashtruara

ANXHELA RUÇI

Kalldrëmet e Gjirokastrës janë karakteristikë dhe pjesë e identitetit të këtij qyteti. Prej disa muajsh “Qafa e Pazarit” është kthyer në një kantier ndërtimi ku po punohet për restaurimin e kalldrëmeve, instalimin e  një sistemi të mbrojtjes nga zjarri, kanalizimet për ujrat e përdorur e ata të shiut dhe ndriçimin e kësaj zone.

Gjatë një turneu që qeveria ndëmori në Gjirokastër nën siglën e “Rilindjes Urbane“, deputetja e Partisë Socialiste për këtë qark Mirela Kumbaro, premtoi se punimet në  “Qafën e Pazarit” do të përfundonin përpara sezonit turistik.

Para sezonit do të përfundojë pjesa e kalldrëmit, me qëllim që të mos pengojë sezonin turistik“,- tha Kumbaro gjatë inspektimit në  “Qafën e Pazarit”.

Po si është situata në qytetin e gurtë ndërkohë që sezoni turistik është çelur?

Bashkia e Gjirokastrës tha për “Faktoje” se sezoni turistik 2019 është çelur në 8 maj, me sloganin “Eja në Gjirokastër 2019” . Edhe pse kjo bashki e ka çelur zyrtarisht sezonin turistik, punimet në zonën më të frekuentuar të qytetit ende vazhdojnë. Turistët vendas dhe të huaj, që kanë zgjedhur si destinacion të tyre Gjirokastrën, në zonën e Pazarit përballen me punime të vazhdueshme dhe me kalldrëme të pashtruara.

Ministria e Kulturës në përgjigjen zyrtare për “Faktoje” tha se punimet vazhdojnë dhe sipas zbatimit të projektit, kjo zonë pritet të rehabilitohet brenda muajit shtator të po këtij viti.

Më herët ka pasur denoncime se shtrimi i kalldrëmit në zonën e pazarit nuk po bëhej me cilësi dhe se pas rishtrimit të kalldrëmit në disa zona, pati edhe probleme (Lexo këtu). Kujtojmë që zona e cila po restaurohet, është pjesa më kyçe e qytetit duke qenë se “Qafa e Pazarit” është rruga lidhëse me kalanë e qytetit dhe zonat e tjera të cilat janë destinacioni kryesor i turistëve.

Zyrtarisht jemi në sezon turistik dhe puna për shtrimin e kalldrëmeve në Gjirokastër vazhdon. Ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, nuk e mbajti premtimin se në këtë periudhë kohore puna do të kishte përfunduar. “Qafa e Pazarit” është pothuajse  pa identitet duke marrë parasysh vlerën që kanë kalldrëmet në këtë zonë muzeale.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img