.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëPrej muajit qershor personeli mjekësor i “Shefqet Ndroqit” nuk e merr bonusin e premtuar!

Prej muajit qershor personeli mjekësor i “Shefqet Ndroqit” nuk e merr bonusin e premtuar!

Ndërsa situata e pandemisë nga COVID-19, ishte ende në fillesat e saj, kryeministri Rama u zotua se të gjithë mjekët dhe infermierët, që do të gjendeshin në vijën e parë të luftës me virusin e  ri, do të përfitonin një bonus prej 1 mijë eurosh ‘deri në mbarim të situatës’. Anëtarë të tjerë të personelit mjekësor, sanitaret dhe shoferët e ambulancave të angazhuar në këtë front, do të shpërbleheshnin me një bonus prej 500 eurosh. Çfarë ka ndodhur gati 6 muaj pas kësaj deklarate të kryeministrit?

“Faktoje” u përpoq të komunikojë me zyrën e kryeministrit Rama duke i risjellë në vëmendje premtimin e kryeministrit dhe duke e pyetur nëse ishte shpërndarë bonusi i premtuar sipas kategorive dhe periudhës së cituar prej tij gjatë mbledhjes së qeverisë në muajin mars.

Pa dhënë asnjë përgjigje mbi pyetjet e shtruara në kërkesën për informacion, zyra e kryeministrisë ia delegoi pyetjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila deri në momentin e publikimit të këtij arktikulli, nuk ka reaguar.

Por Faktoje, bazuar në praktikën e saj të punës, I kishte nisur ndërkohë një kërkesë të detajuar për informacion kësaj ministrie. Por edhe për këtë kërkesë nuk kemi një përgjigje, ndonëse afati ligjor është tejkaluar.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojties Sociale:

Hapi I radhës ishte komunikimi me anëtarët e Komitetit të Ekspertëve COVID-19 Pëllumb Pipero dhe Skënder Brataj, të cilët i pyetëm nëse në dijeninë e tyre, kishte personel mjekësor I cili nuk kishte përfituar nga bonusi. Përgjigje morëm vetëm prej mjekut Pëllumb Pipero I cili tha shkurtimisht se besonte se të gjithë e kishin marrë bonusin , por pa shtuar asnjë informacion tjetër.

Përmes një denoncimi të bërë në “Faktoje”, mësuam se mjekët e urgjencës paraspitalore të sanatoriumit, “Shefqet Ndroqi”, një prej spitaleve që po mban peshën kryesore për trajtimin e të prekurve më rëndë me covid, nuk kanë përfituar nga bonusi I premtuar, që prej muajit maj. Aktualisht në këtë spital japin shërbimin 15 infermierë, 12 mjekë dhe 15 shoferë. Mjekë, infermierë dhe shoferë të këtij spitali të cilët dëshirojnë të mbeten anonimë u shprehën se muajin maj e kanë marrë të përgjysmuar, ndërsa për muajt qershor dhe korrik nuk e kanë marrë bonusin, edhe pse përballja me situatën nga covid-19 dy muajt e fundit ka ardhur duke u vështirësuar për shkak shtimit të të prekurve.

“Ne kërkuam dhe patëm një takim me drejtorin e spitalit I cili na tha se do të kërkonte një interpretim ligjor për këtë çështje, por nuk morëm asnjë përgjigje. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi në frontin e parë të luftës me COVID-19 nga i cili deri tani janë infektuar 5 persona nga personeli ynë mjekësor. Dy mjekë, dy infermierë dhe një shofer i cili ndërroi jetë.”-u shpreh për “Faktoje” mjeku N.C .

Ata i kanë  dërguar një ankesë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kryeministrit Rama,  por nuk kanë marrë një përgjigje.

Ankesa:

Përmes drejtorisë së spitalit, stafit I është argumentuar reduktimi I bonusit dhe më pas ndërprerja e tij, me një urdhëresë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojties Sociale. Sipas këtij dokumenti, bonusi jepet sipas ditëve të angazhimit dhe spitali “Shefqet Ndroqi” ka qenë aktiv deri në 18 maj si spital Covid-19.

Vendimi:

Por sipas VKM-së të datës 10.3.2020 Kryeministri Rama vendosi dhënien e bonusit  si një pagesë fikse. Duke u bazuar në këtë vendim shoferët e “Shefqet Ndroqit” na treguan se puna e  tyre ka vazhduar rregullisht edhe pas datës 18 maj pasi pacientët që ata transportonin i dërgonin në spitalin infektiv. Më tej ata shtuan se spitali është rihapur si spital Covid-19 në fillim të muajit korrik , muaj në të cilin dhe numri i  të infektuarve filloi të rritej më shumë sesa ajo që u njoh si piku i pandemisë në muajin mars 2020.

Personeli mjekësor I spitalit “Shefqet Ndroqi” ka dërguar një tjetër ankesë Ministres Ogerta Manastirliu dhe Kryeministrit Edi Rama, një muaj pas të parës, por edhe këtë herë thonë se nuk morën asnjë përgjigje.

Në mungesë të një përgjigjeje nga institucionet e qeverisë, personeli mjekësor iu drejtua me një letër Avokatit të Popullit ku shpreh shqetësimin për mosdhënien e bonusit që u takon.

Përgjigjja që i është dhënë avokatit të Popullit nga Ministria e Shëndetësisë ka në përmbajtje thuajse të njëjtin argumentim, përmes urdhëresës së nxjerrë më herët nga kjo ministri, ku sqarohet se shpërblimi bëhet në bazë të orëve të angazhimit.

Që prej muajit korrik  spitali “Shefqet Ndroqi” i specializuar për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive, është duke përballuar si spitali Covid-2 fluksin e shtuar të të prekurve dhe me komplikacione nga koronavirusi. Nisur nga deklarata Kryeministrit Rama dhe të dhënave që “’Faktoje” disponon, vendosëm që deklaratën ta kategorizojmë Gjysmë Të Vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img