.

.

BallinaPertejPrej 2015-s asnjë maturant me 10-të absolute

Prej 2015-s asnjë maturant me 10-të absolute

JURGEN BAME & ANXHELA RUÇI 

Çfarë po ndodh me arsimin në Shqipëri? Këtë vit nga 35 mijë maturantë, vetëm 12 janë vlerësuar me 9.8 dhe mbi 5 mijë nuk kanë arritur të marrin provimet.

……………………………………………………………………….

Nga 35 mijë nxënës që iu nënshtruan provimeve të maturës shtetërore, asnjëri nuk arriti të dalë shkëlqyer në të gjitha lëndët e testuara. Vetëm 12 maturantë kanë arritur një mesatare 9.8 në provime, ndërsa rreth 14% e tyre rezultojnë ngelës.

Në dymbëdhjetëshen e më të mirëve, të cilët kanë shpërndarje në qytete të ndryshme të vendit, 2 janë djem dhe 10 të tjerat vajza.

Të dhënat që “Faktoje” siguroi nga Qendra e Shërbimeve Arsimore(QSHA) tregojnë se në pesë vitet e fundit asnjë maturant nuk ka mundur të përfundojë të gjitha provimet me notë maksimale 10.

Prej vitit 2015 që “Faktoje” ka marrë në shqyrtim nuk rezulton asnjë maturant me 10 absolute, të paktën numri i të vlerësuarve me notë mesatare 9.8-9.9 në atë vit ishte 60 maturantë. Sivjet ky numër është 5 herë më i ulët.

 

 Shkaqet që kanë sjellë nivel të ulët të maturantëve

“Faktoje” pyeti A. H mësuese letërsie prej 20 vitesh në një nga gjimnazet e Tiranës e cila përmend disa faktorë kryesorë që sollën këtë rënie të rezultateve të maturantëve.

“Një nga shkaqet kryesore është niveli i ulët i mësuesve që dalin nga fakultetet e mësuesisë, kurikula e të cilëve nuk i përshtatet më nevojave të kohës dhe nuk është në të njëjtin hap me kurrikulen e re që implementohet në arsimin e mesëm.”

Sipas mësueses A.H, tekstet janë me gabime, përfshirë edhe ato në përkthim, çdo vit ndryshojnë autorët e teksteve dhe informacioni nuk shkon i saktë te nxënësit.

“Janë adoptuar kurikula nga Anglia përshembull, ndërkohë që fëmijët tanë deri në një fazë të cilkit të studimeve, kanë mësuar me libra të autorëve shqiptarë”-shprehet e shqetësuar A.H.

Të njëjtat probleme përmend edhe Dr. Ndriçim Mehmeti, ekspert në fushën e arsimit duke shtuar edhe një  tjetër shqetësim, atë për mungesën e mjeteve didaktike dhe laboratorëve si dhe kushtet e mësimdhënies.

Eksperti i arsimit ilustron me një shembull nivelin e nxënësve në dy lëndët bazë siç është matematika dhe gjuha shqipe.

“Kurrikula e re, nuk ndihmon në rritjen e cilësisë por në rënien e saj. Le të marrim lëndën e matematikës. Specialistët e kësaj lënde, thonë se nxënësit që përfundojnë sot gjimnazet, nuk mund të vijojnë dot as ekonomikun, pasi dijet e marra në matematikën e gjimnazit janë të niveleve të ulëta. Gjuha dhe Letërsia u ndanë. Dhe ndoshta u bë shumë mirë, por në rezultatet e nxënësve ky ndryshim nuk ka treguar impakt pozitiv.”

Dr. Ndriçim Mehmeti ka një rekomandim për mënyrën sesi mund të rritet niveli i nxënësve që lënë bankat e shkollës dhe u drejtohen univeristeteve.

“Duhet një vullnet politik që sot mungon, një platformë gjithëpërfshirëse për arsimin për 30 vitet e ardhshme. Platforma të miratohet në parlament me konsensus dhe asnjë parti të mos bëjë ndryshime sa herë që vjen në pushtet. Duhen stimuluar me paga të larta mësuesit, duhen modernizuar shkollat, metodat e mësimdhënies, mjetet ndihmëse, pra me pak fjalë e gjithë infrastruktura fizike e njerëzore dhe mbi të gjitha një drejtim vizionar i arsimit.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img