Portalet po përdorin emra të mjekëvë të njohur dhe intervista të sajuara me ta, për të shitur preparate të caktuara. “Faktoje” konstatoi se së fundmi është përdorur emri i mjekes infeksioniste Monika Dede, për të shitur një produkt për trajtimin e parazitëve.
Portalet kanë ofruar një kurë për parazitët, që sipas këshillave janë shkaktarët kryesore të lythave në trup. Për ta bërë më të besueshme këtë këshillë mjekësore, rekomandimi shoqërohet si një rekomandim i mjekes infeksioniste Monika Dede.
“Nëse keni lytha në qafë, sqetulla dhe vendet e tjera – parazitët po ju hanë nga brenda!”-shkruan portali “Jetesë e Shëndetshme”.
Postimi është shpërndarë edhe në Facebook, nga një faqe që mban emrin “Giggle Box 65”, linku i së cilës të dërgon në intervistën me mjeken Monika Dede.
Screenshot, postimi i portalit “Jetesë e Shëndetshme”
“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit. Fillimisht bëmë një kërkim në lidhje me mjeken e përdorur, doktoreshë Monika Dede. Gjatë një kërkimi në internet rezulton se mjekja Monika Dede është vërtetë specialiste e sëmundjeve infektive. Artikulli pretendon se ajo është mjeke në Institutin e Parazitologjisë, por në Shqipëri nuk ekziston një shërbim i tillë.
“Faktoje” kontaktoi mjeken infeksioniste Monika Dede, e cila theksoi se foto është marrë pa miratimin e saj nga interneti dhe intervista është e sajuar.
“Konfirmoj se nuk kam patur asnjë komunikim të tillë. Mesa duket kanë marrë foton pa dijeninë time dhe e kanë sajuar intervistën për një preparat që nuk e njoh fare”, bëri të ditur mjekja infeksioniste.
Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portale të caktuara dizinformojnë lexuesit, duke përdorur intervista të rreme për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin