Pretendimi: Kjo foto tregon një unazë StarGate që u vodh nga CIA gjatë luftës në Irak

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Foto e çfarë duket si një portë rrethore e vendosur brenda një dhome po qarkullon në hapësirat konspiracioniste me pretendimin se ajo është një “unazë Anunnaki StarGate, e cila u vodh në Irak nga CIA naziste gjatë Luftës në Irak.”

Në të vërtetë, imazhi i mësipërm tregon një set filmik nga seriali fantastiko-shkencor amerikan Stargate Universe. Më poshtë gjeni një krahasim pamor mes imazhit që qarkullon në rrjet dhe një skene nga seriali, që tregon se është i njëjti set.

Më specifikisht, struktura në foto shfaqet në episodin 15 të sezonit të dytë të këtij seriali, siç mund të shihet edhe në këtë klip. Episodi u transmetua fillimisht më 4 prill 2011.

Ajo është një ‘portë yjore’ (Stargate) në planetin Langara.  Brenda universit të serialit, porta yjore është një lloj portali teletransportues që lejon udhëtimin e shpejtë mes dy pikave të largëta në univers. Me anë të kësaj pajisjeje, personazhet e serialit arrijnë të vizitojnë planete aliene pa patur nevojë për anije kozmike.