Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që rrëzohet në tokë nga protestuesit

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon kryeministrin izraelit Netanyahu që rrëzohet përdhe në mes të një turme protestuesish.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në X/Twitter më 21 shtator 2025.

Sipas përshkrimit në hebraisht, video tregon një turmë protestuesish që i bllokojnë hyrjen në një event të partisë në pushtet Likud deputetit Eli Dellal.

Një video e incidentit e xhiruar nga një kënd tjetër u postua nga po e njëjta llogari. Personi që ra në videon e mësipërme dhe personeli i policisë i pranishëm atje janë qartë të dukshëm. Nga kjo video është e qartë se personi në video nuk është kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Deputeti Eli Dellal (majtas) është burri që shfaqet në video, jo Netanyahu (djathtas)

Sipas raportimevemedia izraelite, më 20 shtator 2025, një aktivitet u organizua në Kfar Saba, Izrael, nga partia Likud për të festuar Vitin e Ri Izraelit. Jashtë sallës së aktiviteteve, disa parti opozitare dhe organizata antiqeveritare, përfshirë të afërm të pengjeve, demonstruan duke kërkuar një marrëveshje armëpushimi me Gazën dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Raportimet thonë se kur deputeti i Likud Eli Dallal u përpoq të kalonte përmes protestuesve, protestuesit e rrethuan atë. Kur situata u nxeh, oficerët e policisë të pranishëm u përpoqën ta largonin Dallal nga vendi i ngjarjes. Në këtë kohë, Dallal humbi kontrollin dhe ra përtokë.