Katër vite më parë, u firmos ‘besëlidhja’ politike për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Por marrëveshja me 12 pika u shkel që në krye të herës dhe sot ajo ngjan shumë idilike për t’u realizuar. Teksa mbeti pa zgjidhje depolitizimi i administratës zgjedhore apo vota e emigrantëve, diskursi është zhvendosur te konflikti brenda PD-së së copëzuar, që e bën të pamundur uljen në tryezë konstruktive dhe dakordësinë për reformën zgjedhore. Nëse zgjedhjet e përgjithshme mbahen në pranverë 2025, koha në dispozicion për gjetjen e konsensusit mbi reformën zgjedhore mund të mos mjaftojë dhe mosdakordësia të kthehet në një rreth vicioz për vendin.

Esiona Konomi 

Në mbrëmjen e vonë të 5 qershorit 2020, ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca duartrokitën të çliruar firmosjen e një marrëveshjeje në Këshillin Politik për reformën zgjedhore. 

SHBA dhe BE kishin përmbyllur kështu mbi 5 muaj negociata të udhëhequra nga vetë ata, në një format ekstra-parlamentar që bënte bashkë në një tryezë Partinë Socialisteqë përfaqsohej nga Damian Gjiknuri, opozitën e re parlamentare përfaqësuar nga Rudina Hajdari dhe opozitën e cila kishte djegur mandatet në Kuvend dhe përfaqësohej nga Oerd Bylykbashi për PD-në dhe Petrit Vasili për LSI-në (sot Partia e Lirisë). 

Këshilli Politik ishte një “formulë diplomatike” për të dalë nga ngërçi politik dhe për të bërë një reformë zgjedhore të gjithëpranuar, duke përfshirë edhe ata aktorë që ishin jashtë institucioneve, por që përfaqësonin një realitet politik të rëndësishëm. 

Marrëveshja (në anglisht) me 12 pika e Këshillit politik, firmosur më 5 qershor 2020
Marrëveshja (në anglisht) me 12 pika e Këshillit politik, firmosur më 5 qershor 2020

4 vjet më pas, të njëjtat ambasada kërkojnë sërish të njëjtën gjë: një reformë elektorale, gjithëpërfshirëse. Situata insitucionale është ngjashëm e komplikuar, për të mos thënë edhe më shumë se përpara 4 vjetësh, por me një specifikë tjetër. Në krye të kësaj pune, për PS-në është sërish Damian Gjiknuri, ndërsa për opozitën, Enkelejd Alibeaj. Por ky i fundit gëzon vetëm mbështetjen e një grupi të vogël brenda pakicës parlamentare. Mbi 40 deputetë të opozitës kërkojnë që atë karrige ta marrë Oerd Bylykbashi. 

“Nuk mundet që kolegët të sillen sikur e kanë ende besimin tonë. Ua dhamë besimin, tani e kanë humbur. Nuk mundet që peshën e përfaqësimit të opozitës ta kenë ata me 7 deputetë, dhe jo ne që jemi rreth 50 deputetë”-tha Gazment Bardhi në Kuvend të premten e 19 janarit. 

Së fundmi, palët janë riaktivizuar për një reformë zgjedhore, por ajo po pengohetnga  konflikti i brendshëm i Partisë Demokratike dhe qasja e mazhorancës ndaj kësaj krize. 

“Beteja e gjelave të opozitës bëhet jo për votimin në komisionin e reformës! Është betejë mes tyre se cili do administrojë të drejtën e vetos që gëzojnë bashkëkryetarët e Komisionit. Sa herë të thërrasë mbledhje Alibeaj, ne do paraqitemi në mbledhje. Fizikisht!”-tha anëtari socialist i këtij komisioni, Toni Gogu. 

Grisja e marrëveshjes së 2020-s

Me gjithë bujën që shkaktoi, marrëveshja e firmosur thuajse 4 vjet më parë nga Gjiknuri, Bylykbashi, Hajdari dhe Vasili, nuk u zbatua në një masë të konsiderueshme. 

Për Faktoje verifikuam 12 pikat e dokumentit të firmosur në vitin 2020, nga të cilat rezulton se janë zbatuar vetëm 2 prej tyre, konkretisht: dakordësitë për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje dhe marrëveshja për ristrukturimin e KQZ-së. 

Nga ana tjetër, palët kanë shkelur si fillim angazhimin e përbashkët për të mos bërë asnjë ndryshim në rregullat zgjedhorë “pa miratimin paraprak të Këshillit Politik”, nuk kanë integruar në ligj dakordësinë për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe ndryshe nga angazhimi i marrë në dokumentin e bashkëfirmosur, Këshilli Politik nuk u mblodh më pas asaj kohe. 

Depolitizimi i administratës zgjedhore

Depolitizimi i administratës zgjedhore, që do të thotë numëruesit dhe komisionerët nuk përcaktohen më nga partitë politike, është një rekomandim i hershëm i OSBE-ODIHR dhe një prioritet i shpallur i Partisë Socialiste.

Fakti që nuk është bërë në 30 vjet, nuk do të thotë që nuk duhet ta bëjmë tani”,-tha kryetari i PS-së,Edi Rama në 4 qershor 2020, vetëm një ditë përpara firmosjes së paktit politik. 

Në marrëveshjen e 5 qershorit 2020, kjo ishte një nga pikat më të vështira të marrëveshjes. Pas shumë negociatash, PS hoqi dorë nga kërkesa në fjalë, duke rënë dakord me opozitën që kjo formulë të aplikohej për zgjedhjet e vitit 2025. 

Formula e firmosur në marrëveshje, përkatësisht në pikat 4 dhe 5 ishte kjo: 

“4.Grupet e numërimit: Dy grupe zyrtarësh jo-politikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetri ndihmon dhe ndërrojnë rolet me çdo kuti votimi. Anëtarët e tjerë do të jenë ose dy monitorues një nga pushteti e një nga opozita , ose një monitorues nga secila prej katër partive kryesore parlamentare nga zgjedhjet e 2017”.

“5.Qendrat e votimit: Dy anëtarë të komisioni me të drejta dhe përgjegjësi të kufizuara për monitorim dhe të drejtë kontestimi, njënga pushteti dhe një nga opozita, dhe tre të emëruar me lotari nga KQZ, nga të cilët vetëm një do tëveprojë si kryetar dhe merr vendime. Dy të tjerët do të shërbejnë si asistentë, pa të drejtë vote”.

Në pikën e fundit të marrëveshjes me 12 pika, e cila ekziston vetwm nw anglisht, specifikohej se këto formula,  nuk do të aplikoheshin për zgjedhjet e pritshme parlamentare dhe lokale (2021, 2023) dhe se do të hynin në fuqi për zgjedhjet e vitit 2025. 

Megjithëse po bëhen 4 vjet nga ajo marrëveshje, palët nuk kanë depozituar asnjëherë në Kuvend, ndonjë projektligj qoftë edhe të një anshëm që vë në jetë këtë formulë. 

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor menjëherë pas kësaj marrëveshjeje, nuk i integruan këto pika, me mundësinë e hyrjes në fuqi në vitin 2025.

Nga qershori 2020 e deri më sot, në Kuvend janë depozituar 5 kërkesa për korrigjimin e Kodit Zgjedhor, por asnjëra prej tyre nuk reflekton marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik. 
Nisma te ndryshme te depozituara ne Kuvend per ndryshime ne Kodin Zgjedhor.PNG

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke iu referuar rekomandimeve të ODIHR, konsideron se administrimi i zgjedhjeve në nivele të dyta dhe të treta nga administratorë zgjedhorë të caktuar, apo të përzgjedhur vetëm nga partitë politike, “ka cënuar standardin” teknik të përgatitjes dhe zhvillimit të proceseve zgjedhore, si dhe besimin në to. 

KQZ çmon se konsiderimi pozitiv i këtij rekomandimi duke zhveshur partitë,të paktën pjesërisht,nga e drejta absolute për të caktuar administratorët zgjedhorë në nivelet e dyta dhe të treta të administrimit, do të ndihmonte në krijimin e një trupe administratorëshprofesionistë, të mirëtrajnuar dhe me integritet,”-thotë për Faktoje Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. 

“Vrasja e 5 qershorit”

Në marrëveshjen gjithëpërfshirëse gjendet edhe një pikë e cila kishte për qëllim “besëlidhjen” mes 4 palëve se rrugës nuk do ta “tradhëtonin” këtë dakordësi. 

Në pikën 10 shkruhet: 

“Përshtatja: Për të gjitha propozimet e dakordësuara  do të hartohen amendamente ligjore që do të rivlerësohen e kontrollohen nga Këshilli Politik, në mënyrë që  të reflektojnë marrëveshjen PARA se ajo të kalojë në Parlament dhe PA ndryshime apo amendamente të tjera. Në rast të korrektimeve teknike, ato duhet të aprovohen nga Këshilli Politik, PËRPARA votimit”.

Ky paragraf u zbatua pjesërishtnë 21 korrik 2020. Kodi Zgjedhor integroi marrëveshjen, por 9 ditë më pas, socialistët, në dakordësi vetëm me “opozitën e re”, pa konsensus me PD dhe LSI qëkishin djegur mandatet, ndryshuan Kushtetutën, duke hapur listat, ku qytetarit i jepej e drejta të votonte edhe partinë, edhe një të kandidat të preferuar brenda listës së partisë. Lëvizja e re po ashtu ndryshoi formulën e koalicioneve, për të cilën PD dhe LSI nuk ishin dakord dhe nuk u përfshinë në dialog.

“Vetëm Edi Rama është i aftë që të bëjë një marrëveshje për të prishur një marrëveshje tjetër. E deklaroi pas 5 qershorit se do ta griste marrëveshjen dhe këtë e bëri fakt,”-tha Oerd Bylykbashi, një prej bashkëfirmëtarëve të marrëveshjes së shkelur.

Këshilli Politik u harrua

Në fund të marrëveshjes që kishte për “kumbarë” dy ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri, spektri politik vendas binte dakord edhe për “masa shtesë”, konkretisht vijimi i mbledhjeve dhe bisedave politike në këtë format gjithëpërfshirës, të quajtur Këshill Politik. 

“11.Masa shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë me mirëbesim dhe do të përpiqet të gjejëzgjidhje të pranueshme riciprokisht ku dhe kur është e mundur për të adresuar rekomandimet kryesore të ODIHR në lidhje me: blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe adminsitratës, burimet shetërore dhe financiare, keqpërdorimin e adminsitratës, bashkëpunimin me grupet kriminale, lirinë apo fshehtësinë e votës  apo manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore”. 

E vërteta është, se këto rekomandime, ODIHR i ka rivendosur si prioritet edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2023, por Këshilli Politik nuk u mblodh më, as për këto çështje, as për të tjera. 

Asnjëra prej palëve nuk ka artikuluar ndonjëherë mbledhjen apo dialogun në këtë format, pavarësisht zotimit të mësipërm për të vijuar diskutimin në mirëbesim e për të gjetur zgjidhje. 

Rekomandimet e ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023

Pasojat…

Teksa palët kanë rindezur përpjekjet për reformë elektorale, vendi ështëthuajse një vit larg zgjedhjeve parlamentare.

Kuadri ligjor në fuqi ka probleme dhe vakuume të cilat duhet të plotësohen. Udhëzimet shumëvjeçare të arbitrit të gjithëpranuar, OSBE-së, nuk janë reflektuar dhe kjo citohet në raportin e fundit të kësaj organizate për zgjedhjet e përgjithshme në vend.  

“Kuadri ligjor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e paadresuara të ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias, si dhe një sërë paqartësish dhe mospërputhjesh.Ndryshimet në ligj duhet të paraprihen nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës konsultimi, dhe të miratohen përpara zgjedhjeve të ardhshme”. (Lexoni KËTU rekomandimet e plota të ODIHR”

I shqetësuar për vonesën e kësaj reforme, shprehet edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili u kujton partive se duhet të përmbushin detyrat, teksa zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen mes 15 marsit dhe 15 majit 2025. 

Është me rëndësi që të gjitha ndryshimet e mundshme në legjislacionin zgjedhor të realizohen jo më vonë se një vit përpara datës kur mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë”,-nënvizon Ilirjan Celibashi. 

Kreu i KQZ-se Ilirjan Celibashi.jpg
Kryekomisioneri për Zgjedhjet Ilirjan Celibashi

Ish-anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi i tha “Faktoje” se 1 vit, është pak që KQZ-ja të jetë cilësisht gati. 

“Nëse do të aplikohen metoda të reja që do të përfshijnë adminsitratën publike, mësuesit apo profesionistë të tjerë të lirë në rolin e komisionerit në qendër votimi apo si numërues, KQZ-së i duhet dhënë një kohë e mjaftueshme për të marrë masat. Ky institucion duhet t’i ketë të qarta rregullat dhe nuk duhet të vihet përpara surprizave që nuk i lejojnënjë përgatitje cilësore”,-argmenton Skënderi. 

Eksperi Zgjedhor Bledar Skenderi.jpg
Bledar Skënderi, ish anëtar i KQZ

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve iu ka dërguar një shkresë  9 kryetarëve të partive parlamentare, duke iu kujtuar se ligji zgjedhor ka probleme serioze që vijnë nga disa vendime detyruese që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, si: rishikimi i formulës së shpërndarjes së mandatit të deputetit njohur si herësi; vota e emigrantëve; depolitizimi i administratës zgjedhore; financimi i fushatave; zgjerimi i skemës së votimit dhe numërimit elektronik; etj. 

Shkresa e Celibashit per partite politike.PNG

Shkresa e kryekomisionerit Celibashi dërguar partive parlamentare

Nga verifikimi i kryer, bazuar në informacionin e grumbulluar dhe opinionin e ekspertëve të çështjeve zgjedhore, do ta konsiderojmë Premtim të Pambajtur, angazhimin politik të 4 viteve më parë për garantimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të gjithëpranuar. 

*Shkrimi është pjesë e thirrjes për konkursin kombëtar të shkrimeve fact-checking

Çmimi i parë do të vlerësohet me çmimin “Fatos Baxhaku”