Pretendimi: Videoja tregon kontrollet që policia bën në transportin publik në Berlin
Përfundimi: Jashtë konteksti
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon një situatë të tensionuar brenda një treni në Gjermani, ku udhëtarët duken duke ngritur duart në ajër, ndërsa policia e armatosur rëndë hyn në vagon.
Përshkrimi i videos që qarkullon në gjuhën shqipe është: “Berlin – kontrolle në transportin publik”, duke lënë të kuptohet se kjo është një praktikë e zakonshme apo e përsëritur e autoriteteve në mjetet e transportit publik në Berlin.
Me një kërkim në rrjet përmes Google Reverse Image Search, Faktoje arriti të verifikojë burimin dhe kontekstin e videos përmes mediave gjermane dhe gjeti se ky në fakt nuk ishte një kontroll rutinë, por një aksion special policor i zhvilluar më 4 korrik 2025 në stacionin Wannsee të linjës S-Bahn në Berlin, pas një denoncimi për një person të armatosur në tren.
Sipas raportimit të mediave gjermane, një dëshmitar kishte njoftuar policinë se kishte parë një person me armë në një nga vagonët e linjës S7 që udhëtonte drejt Potsdamit. Pas kësaj, policia federale dhe ajo e landit ndërhynë me forca të shumta dhe armë automatike për të siguruar trenin dhe për të arrestuar të dyshuarin. Në videon e plotë të publikuar nga mediat dallohet momenti kur pasagjerët evakuohen në panik dhe disa ngrejnë duart në shenjë bindjeje ndaj urdhrave të policisë.
Pas ndërhyrjes, rezultoi se alarmi ishte i rremë. I dyshuari ishte një person i veshur për një festival dhe arma që mbante ishte një lodër që ngjante shumë me një armë të vërtetë. Ai u ndalua, por më pas u lirua, dhe autoritetet po shqyrtojnë nëse do të ngrihen akuza për shkelje të ligjit mbi armët apo ndonjë kundërvajtje tjetër. Pretendimi se videoja paraqet një kontroll të zakonshëm të transportit publik në Berlin është i pavërtetë dhe i nxjerrë jashtë kontekstit. Shpërndarja e kësaj videoje me përshkrime të pasakta mund të kontribuojë në dezinformim dhe nxitje të panevojshme të frikës.