FLAVJA KENGA
Në të gjithë Shqipërinë niveli i zhurmave është jashtë normave të Bashkimit Europian, por Tirana kryeson si qyteti më i zhurmshëm, nga monitorimi i cili mund të realizohet me çdo pajisje elektronike që mund të shkarkojë një audiometër. Sipas këtyre matjeve, niveli i ndotjes akustike shkon deri në 80-90 decibel gjatë ditës dhe 60-70 gjatë natës; ndërkohë që normat e Bashkimit Europian janë 55 decibel gjatë ditës dhe 45 decibel gjatë natës.
Pikat më të ‘ndotura’ akustikisht në Tiranë janë kryqëzimi te “Vasil Shanto”, ku niveli i zhurmës së trafikut rrugor është 81.2 decibel, kryqëzimi te “Zogu i Zi”, “Ushtari i Panjohur”, “Stacioni i Trenit”, “Lapraka” dhe “Unaza e Re”.
*Pamje nga Google për trafikun në disa nga nyjet kryesore të trafikut në Tiranë në datën 05/11/2021 ora 11:40
Kontribuesit kryesorë në shtimin e kësaj ndotjeje janë automjetet që qarkullojnë dendur në këtë zonë. Në zonën e Unazës së Re, ndotja akustike është rënduar edhe për shkak të ndërhyrjes në infrastrukturë, që nisi me shembjen e ndërtimeve pa leje.
Si na dëmton ndotja akustike!
Ndotja akustike është rritja e nivelit të zërit (zhurmave) në një mjedis të çfarëdoshëm deri në një masë të tillë që ndikon negativisht shëndetin e dëgjimit dhe fuqinë perceptuese të njeriut.
Njëkohësisht, ndotja akustike shkakton çrregullime psikologjike e fizike dhe ndikon në uljen e rendimentit në punë. Bashkim Mema, specialist tashmë në pension tregon pwr dy lloje ekspozimesh, njëri është urban dhe tjetri ai profesional. Më problematiku rezulton të jetë ekspozimi urban. Kjo, pasi në rastet e ekspozimit profesional që është ai kur një punonjës përballet me një zhurmë që shkon edhe më lart se 85 decibel, ai merr masa duke reduktuar orët e punës, duke përdorur kufje dhe normalisht deri diku është më i kontrolluar. Ndërsa ekspozimi urban është i vështirë të shmanget.
Zhurmat që shkaktojnë shqetësime psikologjike janë përcaktuar ato niveli i të cilave varion nga 55 deri 65 decibel, zhurmat shqetësuese janë ato ndërmjet 55-90 decibel dhe zhurmat që janë mbi 90 decibel janë përcaktuar si zhurma që shkaktojnë çrregullime fiziologjike.
Vetë, Bashkim Mema jeton pranë zonës së Unazës së re, gjatë natës ka gjithnjë lëvizje makinash dhe ato janë shumë shqetësuese.
Në zonën e Unazës së re, shpejtësia e qarkullimit të makinave duhej të ishte jo më shumë se 30 km në orë, por pikërisht në oraret kur njeriu duhet të çlodhet automjetet duke përfituar nga pakësimi i numrit të makinave dhe këmbësorëve rrisin shpejtësinë.
Ndërkohë në zona të tjera si ish-blloku, ndotja akustike mbetet po aq problematike, për shkak të muzikës së lartë në lokalet e shumta qe frekuentohen kryesisht nga grupmoshat e reja. Nevila Shehu që jeton në zonën e ish-Bllokut shprehet se, situata tashmë prej pandemisë është disi më e qetë, oraret e muzikës janë kufizuar dhe pas mesnate, është thuajse qetësi. Megjithatë, para kësaj ore ka shumë lëvizje dhe shpeshherë nëse dëshiron të qetësohesh, është e pamundur.
Në Shqipëri mungon një qendër e cila do duhej të merrej me matjet e vazhdueshme dhe të nxirrte statistika vlerësuese të situatës në mënyrë që të organizohen dhe masat parandaluese dhe mbrojtëse.
Tanimë ka vetëm një grup të posaçëm që mblidhet në situata të jashtëzakonshme siç mund të jenë shpërthimet e mëdha që mund të sjellin trauma në vendin ku ndodhin.
*Pamje nga trafiku në Zog të Zi
*Pamje nga trafiku në Don Bosko
*Pamje nga trafiku në zonën e ish-Stacioni i trenit
Zhurma profesionale po shton të “prekurit” nga dëmtimet e ndotjes akustike
Sipas statistikave të CDRA pjesa më e madhe e rinisë nga mosha 18-30 vjeç dhe e të diplomuarve, ekzaktësisht 90% e tyre punojnë në call center dhe sipas analizave tw tjera të realizuara, këta punonjës shfaqin probleme me dëgjimin. Ndotja që shkaktohet në këto mjedise hyn në atë që quhet ndotje profesionale e cila fillon të bëhet e dëmshme dhe shqetësuese në momentin kur i kalon 85 decibel dhe kur ekspozimi ndaj saj është afatgjatë. Normalisht për këtë duhen marrë masa, të cilat do të ishin reduktimi i orëve të punës.
Shumë persona që punojnë në call center kanë hasur probleme në sistemin e dëgjimit. Edona Xhafa operatore në call center, ankohet se dëgjimi i saj është reduktuar me 30%, dhe i është këshilluar të reduktojë kohën e punës.
*Sallë Call Center (foto ilustruse)
Mjekja ORL Rexhina Rama shprehet se rënia e dëgjimit hyn te çështjet madhore të shëndetit publik duke u renditur si patologjia e tretë më e zakonshme pas artritit dhe sëmundjeve të zemrës. Te të rriturit shkaqet kryesore të rënies së dëgjimit janë zhurmat dhe plakja. Zhurmat e ulin nivelin e dëgjimit nëse janë të larta dhe të vazhdueshme. Sidomos në profesione të tilla si: ushtria, minierat, fabrikat, bujqësia, transporti dhe klubet e natës.
Vitet e fundit një grup me risk të lartë për të patur rënie dëgjimi janë punonjësit e call center, kryesisht mosha të reja të cilët janë përballur me rënie dëgjimi si pasojë e ekspozimit për një kohë të gjatë ndaj zhurmave. Rrezik i madh është dhe shoku akustik i cili është ekspozimi i menjëhershëm ndaj tingujve të lartë.
Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur dëgjimin?
Këshilla për parandalimin
- Mbroni veshët në vendin e punës. Vendosja e tapave të degjimit mund të mbrojë veshët nga tingujt e lartë.
- Kufizoni kohën e eskpozimit.
- Testoni dëgjimin rregullisht. Testimi i rregullt mund të zbulojë me herët rënien e dëgjimit.