Një deklaratë e përbashkët skeptike ndaj emergjencës klimatike të planetit, e nënshkruar nga mbi një mijë profesionistë të fushave të ndryshme, po i jep entuziasëm teorive konspirative edhe në Shqipëri. Duke verifikuar më tej dokumentin zbulohet se bëhet fjalë për një peticion dhe jo për një studim të mirëfilltë shkencor.
Granit Sokolaj
“Trillimi politik që njerëzit shkaktojnë të shumtën ose të gjithin ndryshimin klimatik dhe pretendimi se shkenca që qëndron pas këtij nocioni është ‘e vendosur’, i është dhënë një goditje e egër nga publikimi i ‘Deklaratës Botërore të Klimës (WCD)’ të nënshkruar nga mbi 1100 shkencëtarë dhe profesionistë. Nuk ka asnjë emergjencë klimatike”…, shkruhet në postimin e 20 gushtit të “Rezistenca”, një faqe në Facebook me mbi një mijë ndjekës dhe që promovon kryesisht teza konspiracioniste. Postimi, i ndarë (share) nga 18 ndjekës në profilet e tyre, vijon më tej me akuza ndaj shkencëtarëve dhe gazetarëve të klimës, të cilët kanë ngritur një alarm të pabazuar në fakte.
Postimi në faqen “Rezistenca” në Facebook
“Faktoje” nuk e pati të vështirë për të verifikuar më tej dhe rrëzuar lehtësisht “faktet shkencore” të këtij dokumenti ndërkombëtar. Në fakt, për lexuesin mesatar të lajmeve, mesazhi i peticionit mund të duket i arsyeshëm – një dozë e shëndetshme skepticizmi në një debat që prek të gjithë.
E quajtur Deklarata Botërore e Klimës dhe e nënshkruar nga “mbi 1,100 shkencëtarë dhe profesionistë”, në fakt dokumenti i publikuar nga “Rezistenca” është një peticion i një fraksioni të komunitetit shkencor, i cili shfaqet i shqetësuar se debati rreth ndryshimit të klimës është larguar nga provat empirike dhe është bërë shumë politik.
Pavarësisht listës së gjatë të mbështetësve me tituj e grada që tingëllojnë mbresëlënës, deklarata nuk është ajo që duket në pamje të parë. Gazetarët e “Indicate Climate News”, fituese e çmimit Pulitzer, zbulojnë se nënshkruesi kryesor i saj, një fizikant fitues i çmimit Nobel i quajtur Ivar Giaever, fitoi këtë cmim prestigjioz, së bashku me një shkencëtar tjetër, në vitin e largët 1973, për zbulimin e tunelit elektronik në superpërçuesve. Pra ai nuk ka ndonjë ekspertizë në studimin e ngrohjes globale. Nënshkruesit e tjerë të peticionit, janë profesionistë të fushave të ndryshme si inxhinierë, gjeologë, kimistë dhe vetëm 20 prej tyre klimatologë apo meteorologë.
Për më tepër, aktivistët dhe gazetarët e klimës po zbulojnë këto ditë në rrjet se një pjesë e mirë e nënshkruesve të deklaratës dhe grupi që qëndron pas peticionit – Fondacioni i Inteligjencës Klimatike, ose CLINTEL – ka lidhje të dokumentuara me paratë e naftës dhe interesat e karburanteve fosile.
Postimi i gazetarit të klimës, Dave Vetter: 8 prej firmosësve janë punonjës së kompanisë SHELL
Në fakt, termi rreshtim “masiv” i shkencëtarëve, kur bëhet fjalë vetëm për një mijë profesionistë, mund të konsiderohet mbivlerësim. Një studim i vitit 2013 zbuloi se rreth 97 për qind e autorëve të kërkimeve mbi ndryshimin e klimës ishin në një mendje: ndryshimi i shpejtë i klimës po ndodh përtej asaj që do të konsiderohej si rezultat i shkaqeve natyrore, dhe njerëzit janë kryesisht përgjegjës. Më tej, në vitin 2021, një studim tjetër, ky i botuar në revistën “Environmental Research Letters”, analizoi 88,125 studime mbi ndryshimin e klimës dhe zbuloi se 99.9 përqind e tyre dolën në të njëjtin përfundim si studimi i 2013-ës.
Gazetarë pro-klimës në vende të ndryshme po konstatojnë së fundi një lidhje të grupeve që shpërndajnë në rrjet sulme ndaj shkencës së klimës me aktivistët e zëshëm kundër masave kufizuese të ndërmarra nga qeverisë gjatë pandemisë së Covid. Në fakt, administrata e Donald Trump ishte shumë me ndikim në fushatat e saj për të kthyer si pandeminë ashtu edhe ndryshimin klimatik në çështje kryesore të luftës kulturore në SHBA. Tashmë që presidenti Biden nënshkroi “Aktin e Reduktimit të Inflacionit”, duke sinjalizuar një ndryshim historik në orientimin e politikave të energjisë dhe mjedisit të SHBA-së, ka të ngjarë që edhe shumë sulme të mëtejshme të iniciohen prej këtyre grupimeve që ndjehen të kërcënuara nga ky ndryshim.