Pretendimi: Sasi peshku me parazitë dhe mishi me salmonelë janë futur në tregun shqiptar

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————-

“Peshk me parazit dhe mish me salmonelë në treg!” ngre alarmin titulli i portalit Gazeta Reforma në një artikull të 14 marsit 2025.

Në brendinë e tij, artikulli flet për “985 kg açuge e kriposur me praninë e parazitit të rrezikshëm L3 Anisakis dhe 4,516.75 kg fileto derri të kontaminuar me bakterin Salmonella spp.”

Është e vërtetë se, sipas një përgjigje që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) i ka kthyer Ora News, në Shqipëri kanë hyrë këto sasi të kontaminuara, të cilat ishin zbuluar nga kontrollet në terren.

Megjithatë, këto produkte nuk janë shpërndarë për konsumatorin në tregun shqiptar nga faktet e deritanishme.

Sipas AKU, açuget e importuara “nuk janë futur në prodhim dhe nuk janë hedhur në tregun vendas.” Burime të mëtejshme të Autoritetit kanë sqaruar se bëhet fjalë për një importues që përpunon açuget në territorin shqiptar dhe i paketon ato për t’i eksportuar sërish në vendet e BE-së. Ky produkt është bllokuar dhe pritet të asgjësohet në territorin e Shqipërisë.

Njësoj, edhe mishi i derrit i kontaminuar me Salmonella spp nuk është hedhur në treg por “qëndron e bllokuar në ambjentet e subjektit me destinacion asgjësimin ose tregtim në subjekte të cilat mund të plotësojnë kriteret për trajtimin e produktit për përpunim të mëtejshëm nga një trajtim që eleminon rrezikun në fjalë.”