Pretendimi: Kjo video tregon anijet e një flote që transporton ndihma humanitare dhe aktivistë pro-palestinezë për në Gaza

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një flotë të madhe anijesh që po transportojnë ndihma në Gaza.

Postimi me gjasa i referohet Global Sumud Flotilla, një iniciativë ndërkombëtare detare e udhëhequr nga shoqëria civile, e nisur në mesin e vitit 2025, me qëllim thyerjen e bllokadës izraelite të Gazës.

Grupi fillestar prej rreth 20 anijesh u nis nga Barcelona më 1 shtator, dhe mbërriti në brigjet e Tunizisë më 7 shtator. Ato u bashkuan me 20 anije të tjera në Siçili duke u drejtuar drejt Mesdheut lindor. Flota përbëhet kryesisht nga anije me vela, megjithëse marrin pjesë edhe disa anije më të mëdha.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje zbuloi se video ishte postuar më parë më 1 shtator nga tabloidi shtetëror kinez Global Times.

“Më 1 shtator në mesditë, ndalimi i peshkimit gjatë verës në Bohai dhe Detin e Verdhë përfundoi, anijet e peshkimit përgjatë bregdetit të provincës Shandong filluan të lundronin në të njëjtën kohë,” thuhet në përshkrimin e videos.

Kina kufizon aktivitetet e peshkimit në kohë të caktuara të vitit për të mbrojtur ekosistemet ujore të vendit, për të parandaluar peshkimin e tepërt dhe për t’u dhënë popullatave të peshqve mundësinë për t’u riprodhuar.

Klipe të ngjashme janë publikuar nga faqja e lidhur me transmetuesin shtetëror kinez CGTN, China Plus Culture, në një postim të 3 shtatorit mbi fundin e ndalimit katërmujor të peshkimit veror.

“Më shumë se 30,000 anije peshkimi u nisën nga portet përgjatë Detit të Verdhë dhe Detit Bohai, në veri të gjerësisë gjeografike 35 gradë, pasi ndalimi katërmujor i peshkimit veror përfundoi zyrtarisht në mesditë më 1 shtator, duke shënuar fillimin e një sezoni të ri për mijëra komunitete bregdetare,” thuhet në postim.

Një inspektim i klipeve tregon se anijet valëvisin flamuj të kuq të ndezur që i ngjajnë flamurit kombëtar të Kinës, jo flamurit palestinez të zi, të bardhë dhe të gjelbër.

Fotot e Global Sumud Flotilla të shkrepura nga AFP ndërsa ishte e ankoruar në Tunizi tregojnë se anijet janë të zbukuruara me flamuj palestinezë, ndryshe nga anijet në videon e mësipërme.

Anijet, pjesë e Global Sumud Flotilla, mblidhen në portin tunizian të Bizertes, përpara nisjes së planifikuar për në Rripin e Gazës për të thyer bllokadën e Izraelit ndaj territorit palestinez më 13 shtator 2025. (AFP / FETHI BELAID)

Ofensiva e Izraelit ka vrarë të paktën 64,871 palestinezë, kryesisht civilë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.

Në gusht 2025, si rezultat i konfliktit, OKB shpalli zyrtarisht zi buke në dhe përreth qytetit të Gazës, ku jetojnë rreth 1 milion njerëz. Megjithatë, Izraeli mohon ekzistencën e zisë së bukës në Gaza.