.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitPërzgjedhja e hoteleve gjatë krizës së tërmetit dhe pandemisë, kush humbi e kush fitoi  

Përzgjedhja e hoteleve gjatë krizës së tërmetit dhe pandemisë, kush humbi e kush fitoi  

ESMERALDA KETA

Një grup prej 17 hotelesh në Durrës akomoduan në vijimësi, të pastrehët nga tërmeti i 26 nëntorit dhe të riatdhesuarit gjatë pandemisë, që me vendim qeverie duhet të karantinoheshin për dy javë. Akomodimi gjatë pandemisë, u mbulua kryesisht nga shteti me një faturë mbi 70 milionë lekë. Kjo përzgjedhje u pa si klientelizëm nga disa biznese “simotra” e që sot përballjen me një krizë të shumëfishtë, pasojat nga tërmeti dhe nga pandemia. Ndërsa mes komunitetit të operatorëve turistikë, ka prej tyre që argumentojnë se disa biznese refuzuan të përfshihen.


Kur masat në të vetmen portë të lënë hapur për të hyrë në Shqipëri ngjanin më të rrepta se askund, karantinimi i kujtdo që kthehej nga zonat e kuqe u la në ndërgjegjen e të riatdhesuarve. Duke filluar që nga data 11 mars, kur u vendos “lockdown-i” si pasojë e pandemisë nga SARS-COV-2 e deri më 18 prill, në aeroportin e Rinasit, për thuajse një muaj e vetmja masë sigurie ishte matja e temperaturës nga ekspertë.

Vetëm pasi në vend shpërthyen debatet se po futen “bomba virusesh”, kryesisht për qytetarët që riatdhesoheshin nga rajoni i Lombardisë në Itali, qeveria shqiptare u kujtua se nuk duhet ta linte karantinimin në vullnetin e të riatdhesuarve.

Në 16 prill qeveria e bëri të detyrueshëm karantinimin me anë të një vendimi, ndërkohë që avioni i parë me të riatdhesuar ishte ulur në pistën e Rinasit më 28 mars.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, e cila u kujdes për të gjithë procedurën, deri në fund të qershorit u riatdhesuan rreth 10 mijë shtetas shqiptarë. Por vetëm 30% e tyre ose 2960 persona i janë nënshtruar procedurës së karantinimit të detyrueshëm nëpër strukturat hoteliere, për 14 ditë.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit, si struktura e përcaktuar që do ndiqte akomodimin e të riatdhesuarve nëpër hotele, e pyetur për “Faktoje”, sqaron:

“Përsa i përket numrit total të të riatdhesuarve, llogaritja është bërë në bazë të netëve të fjetjes dhe rezulton në 41 438 netë fjetje për të gjithë personat e akomoduar në të 17 hotelet (për zonën e Durrësit) me të cilat Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka lidhur marrëveshje”.

Sipas kësaj agjencie, për secilin prej të akomoduarve, në përmbushje të detyrimeve ligjore, është përgatitur dosja personale, ku janë të evidentuara të dhënat e personit, fotokopje e pasaportës dhe bileta e udhëtimit, e cila vërteton datën e hyrjes në territorin shqiptar.

Në të njëjtën shkresë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e pyetur për “Faktoje”, sqaron se fondi i derdhur në llogari të këtyre strukturave hoteliere është mbi 70 mln lekë.

“Pagesa për akomodimin e përkohshëm është 2.500 lekë në ditë për person, përfshirë TVSH-në, nga të cilat 1.700 lekë paguhen nga buxheti i shtetit dhe 800 lekë nga personi i riatdhesuar, sipas vendimit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Fatura totale për të gjithë procesin është 70,444.600 lekë.”- sqaron AKB.

Sipas VKM-së, nr.311, e datës 16.04.2020, akomodimi i përkohshëm i të gjithë të riatdhesuarve në strukturat hoteliere do të zgjaste 14 ditë dhe do të mbikqyrej nga disa institucione.

Në nenin 3 të rregullores që shoqëron këtë VKM, saktësohej se ‘akomodimi i përkohshëm ishte ‘all inclusive’ dhe përfshinte: fjetje; 3 (tre) vakte ushqim; drita; ujë; ngrohje; siguri; pastrim. Vlera e pagesës, sipas përcaktimit të pikës 3, të këtij neni, nuk mund të jetë më e madhe se 2 500 lekë në ditë për person, përfshirë TVSH-në’.

Më 17 prill, me anë të vendimit nr. 14, qeveria miratoi listën e 12 strukturave hoteliere që do të ktheheshin në karantinë. Kjo listë u përditësua më datë 23 prill kur u shtuan edhe 5 struktura të tjera hoteliere dhe sërish me datë 29 prill ku u shtuan edhe 8 struktura të tjera, në zonën e Korçës, Gjirokastrës dhe Pogradecit.

Lista e strukturave hoteliere të përzgjedhura nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit për t’u kthyer në karantinë është evidentuar nga Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) dhe Unioni Turistik Shqiptar (UTSH), ndërkohë që pagesat janë kryer nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Në listën që kjo agjenci i vuri në dispozicion të “Faktoje”, vihet re se një pjesë e hoteleve që u kthyen në karantinë dhe përfituan nga fondet e karantinës, ishin të njëjtët që strehuan të dëmtuarit nga tërmeti dhe përfituan edhe nga ky fond.

Konkretisht strukturat akomoduese “Bonita”, “Kolaveri”, “Fafa”, “Eter”, “Dolce Vita” dhe Hotel “Casa” u përzgjodhën në të dy emergjencat që kaloi vendi ynë.

Po ashtu në listën e hoteleve që u kthyen në karantinë gjatë pandemisë janë edhe hotelet “AS (Albanian Star)”, “Ibiza”, “Sun”, “Horizont” të cilat janë pjesë e “Harmonia hotels group”, nën logon e të cilit figurojnë edhe në listën e strukturave të përzgjedhura për të strehuar të dëmtuarit nga tërmeti.

Ky grup hotelesh sipas deklaratave të opozitës jashtë-parlamentare njihen ndryshe edhe si hotelet e deputetit socialist Sadri Abazi.

Nga verifikimi në QKR, këto struktura hoteliere nuk rezultojnë të jenë në emrin e deputetit socialist Abazi, por opozita këmbëngul në bindjen e saj.

“Unë kam denoncuar gjatë muajit dhjetor se Sadri Abazi, po shembte një shtesë prej dy katesh pa leje, menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit. Madje e takova Sadriun tek hotel “Horizont” se po e ndiqte punën nga afër dhe në një lidhje telefonike tek News 24 ai ka deklaruar se hoteli nuk ka dëmtime; nëse nuk do të ishte i tij, përse do të dilte?” – thotë ish-deputeti Luçiano Boçi.

Edhe Xhemal Gjunkshi, ish deputet i opozitës, denoncoi gjatë muajit prill, klientelizmin e qeverisë sipas tij, ndaj deputetit socialist Sadri Abazi. Më 19 prill ai publikoi një video ku dukeshin dhjetëra qytetarë të riatdhesuar përpara një hoteli, ndërsa i kërkonin llogari qeverisë se përse nuk vë në përdorim strukturat publike, por paguan privatët.

“Për të karantinuar bashkëqytetarët e kthyer nga jashtë, Edi Rama paguan deputetin e vet milioner Sadri Abazi për hotelet e tij, në vend që të përdorë Konvaleshencën në Durrës. Qeveria duhet t’u thotë qytetarëve pse nuk shfrytëzon konvaleshencën si karantinë për qytetarët e kthyer nga jashtë? Pse bën marrëveshje të pista në kohën më të vështirë për qytetarët për të mbushur xhepat e sadriabazëve të tij?”- shkruan Gjunkshi, në rrjetin e tij social, Facebook.

Në fakt ky rast është referuar edhe në raportin e Institutit të Studimeve Poltike, i cili monitoroi procesin e konfliktit të interesit të parlamentarëve, për periudhën janar-prill 2020.

“Gjatë miratimit të masave të jashtëzakonshme (COVID-19), stafi i ISP mori denoncime dhe mblodhi të dhëna mbi mundësinë e gjendjes në konflikt interesi të një deputeti, i cili i votoi aktet në komision dhe në parlament, ndërkohë që nga raportimet mediatiake rezultoi se, bazuar në aktet e miratuara nga Kuvendi, qytetarët e kthyer nga shtetet e tjera janë strehuar kryesisht në hotele që janë pronë e deputetit.  ISP kërkoi më shumë informacion nga ministritë e linjës dhe institucionet vendore, por situata e krijuar pamundësoi marrjen e informacionit zyrtar brenda muajit prill.” – thuhet në raportin e ISP. (fq. 12)

Në faqen zyrtare të “Harmonia Hotels Group” listohen edhe strukturat hoteliere që ajo ka nën ombrellë, ndërsa theksohet se është një kompani e krijuar në vitin 2012 duke u kthyer në lider në fushën e turzimit.

Kristit, student në Francë, iu desh të kthehej në Atdhe mes sakrificash, më 24 prill. **Kristi (emri nuk është i vërtetë), i cili nuk dëshiron të identifikohet, u karantinua për 14 ditë në mjediset e hotel “Fafa” në Durrës.

Në dilemë se më kë do ta ndante dhomën, ai arriti të rakordohej me tre shokë dhe u kthyen së bashku nga Franca.

“Ardhja për në Shqipëri nuk ka qenë aspak e lehtë, mezi gjetëm biletat, mezi arritëm të rakordoheshim me shokët se problem ishte edhe me kë do të qëndronim në dhomë…dhe për të prerë biletën duhet që më parë të kryhej pagesa për krevatin e hotelit, që ishte 7 euro dita. Në total unë pagova diku te 100 euro për të gjitha ditët e qëndrimit në hotel. Në fund gjithçka shkoi mirë dhe ne të tre qëndruam së bashku në një dhomë.”- na rrëfen Kristi.

Me lehtësimin e masave anti-covid edhe për shkak të kurbës së qëndrueshme të pandemisë në vend, nga data 14 maj qeveria mori vendimin për të hequr krejtësisht masën e karantinimit në strukturat hoteliere, në përputhje me vetëdeklarimin në formularin e veçantë që plotëson çdo person.

Luani ka një market dhe një hotel të vogël buzë detit, por kriza nga tërmeti e më pas nga pandemia, ia ka vështirësuar mbijetesën. Për të do të kishte qenë mundësi e artë akomodimi i të riatdhesuarve në hotelin e tij, sipas skemës së përdorur nga qeveria.

“Kam 8 dhoma, pse tek ne nuk mund të flinin ata që vinin për karantinë? Kështu edhe ne do të kishim marrë pak frymë, se jemi në zgrip!”- thotë Luani, i cili duket se do e ketë të vështirë të ringrihet në këtë situatë.

“Ne kemi nevojë të punojmë të gjithë, jo të punojnë dy dhe 100 të tjerë të vdesin!”- na thotë ai indinjuar dhe pa shpresë kur llogarit të ardhurat e pamjaftueshme.

Dyshues se ka pasur favorizime në përzgjedhjen e strukturave hoteliere, janë edhe biznese të tjera që operojnë përgjatë vijës bregdetare të Durrësit dhe Golemit. Ndonëse ata refuzojnë të idenifikohen, pasi i druhen një konflikti me këto biznese “se ata kanë miq kudo”, na rrëfejnë se kjo ishte koha për mbështetje dhe jo për klientelizëm.

“Durrësi më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje, këta të gjitha lekët e tërmetit i çuan në një dorë, dhe po kështu bënë edhe me pandeminë. Po ne të tjerët? Këtu në Durrës nuk janë vetëm 10 hotele që morën lekë edhe për pandeminë edhe për tërmetin. Të gjithë mund të punojmë!” – na thotë administratori i një prej hoteleve që zhvillon prej shumë vitesh aktivitetin në këtë zonë.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, Agjencia Kombëtare e Bregdetit mohon të ketë pasur klientelizëm.

“Procedurat janë standarde dhe AKB ka respektuar të gjithë kuadrin ligjor në fuqi”- thuhet në përgjigjen zyrtare, të siguruar për “Faktoje”.

E megjithatë duket se procedurat lënë shteg për paqartësi, por edhe qëndrime të kundërta mes vetë përfaqësuesve të komunitetit të operatorëve turistikë.

Kliton Gërxhani, zëvendëskryetar i Shoqatës Shqiptare të Tur-Operatorëve dhe agjencive turistike, argumenton se fakti që vetëm disa hotele dalin në të dy skemat e mbështetjes financiare, ngre hije dyshimi.

“Në të gjithë këtë vijë bregdetare të Durrësit e Golemit, kemi së paku 400 struktura hoteliere dhe së paku 200 prej tyre kanë më shumë se 20 dhoma secili, të gjithë të gatshëm për të punuar. Duhet të kishte një shpërndarje më të drejtë në mënyrë që në këto ditë të vështira të mund të punojnë të gjithë. Unë e shoh me skepticizëm faktin që në të dy emergjencat na dalin vetëm disa hotele!” – thotë ai.

Sipas Gërxhanit, nuk është një kriter i drejtë as fakti që strukturat hoteliere duhet të jenë pjesë e shoqatës.

“Ka plot hotele që nuk janë dhe as duan të jenë pjesë e ndonjë shoqate, përse duhet të penalizohet për këtë?” – pyet ai.

Zak Topuzi, kreu i shoqatës së hoteleri-turzmit i hedh poshtë këto pretendime. Ai thotë se ata nuk kanë pasur nevojë të përzgjedhin apo seleksionojnë hotele, pasi kishte klientë për të gjithë.

“Kush ka pasur dëshirë të përfshihet ka aplikuar direkt dhe është përzgjedhur, pasi kishte shumë të riatdhesuar. Nuk ka pasur favorizime, madje një pjesë e hoteleve kanë punuar vetëm për të ndihmuar procesin, pasi nuk kishte ndonjë fitim duke qenë se bëhet fjalë për një kosto prej vetëm 25 eurosh.” – thotë Topuzi.

Por Gërxhani këtë shifër nuk e lexon si modeste, aq më tepër në një periudhë krizash si kjo.

“Le të mos harrojmë se në një dhomë janë 3 persona, dhe 75 euro dhoma në një kohë kur nuk ishte sezon dhe aq më tepër në këtë situatë ekonomike, nuk janë aspak keq.” – thotë ai.

Për Flora Xhemanin, eksperte e turzimit, ky sektor është në fije të perit.

“Të vështirë do ta kenë të gjithë. Pyetja që na mundon është: sa prej tyre nuk do t`ia dalin dot? Ekspertët e ekonomisë kanë parashikuar se së paku 30% nuk do t`ia dalin dot. Ndër të vegjlit mund të mbijetojnë bizneset familjare që nuk kanë pagesa të shtuara, mjedise me qira, kredi të papaguara, investime të lëna në mes.”-argumenton Xhemani.

E pyetur për “Faktoje” se si e shikon ajo përzgjedhjen e të njëjtave struktura hoteliere në bregdetin e Durrësit për të dy krizat, ajo shprehet:

“Fakti që nuk mund të zgjidhen të gjitha, krijon gjithmonë vend për abuzime. Mendoj se ministria ose strukturat qeveritare, mund ta kishin shmangur krejtësisht këtë debat që u krijua mes ‘humbësve’ dhe ‘fituesve’, duke i strehuar të riatdhesuarit aty ku kishte bërë gati godinat para pandemisë, pra tek Kovaleshenca shtetërore.

Rasti i tërmetit ndryshon pasi qeveria nuk kishte zgjidhje tjetër më të mirë dhe nuk bëhej fjalë për përzgjedhje; sa kohë u përdorën ato hotele që rrinë hapur edhe në dimër. Të tjerët donin kohë të viheshin në punë”- shpjegon ekspertja Xhemani.

Për Eduart Xhepën,  kreun e shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Durrës, njëkohësisht zotërues i një strukture hoteliere, një pjesë e bizneseve, kanë refuzuar vetë të përfshihen në këtë skemë, ndonëse bizneset e Durrësit janë në kufij të mbijetesës.

“Hotelet që strehuan të dëmtuarit nga tërmeti janë për t’u falenderuar se hapën dyert pa e ditur që shteti mund t’i kompensonte diçka, ndërsa në rastin e pandemisë shumica e hoteleve nuk donin të ktheheshin në karantinë pasi kishin frikë jo vetëm nga virusi, por edhe nga prishja e imazhit.” – përfundon Xhepa.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img