Të martën u njoftua se GJKKO, me kërkesë të SPAK-ut, ka dhënë 24 masa sigurie për stafin e UBT-së, si të dyshuar për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderët.
Përpos faktit se si keqpërdorimi i fondeve publike dhe procedurave të prokurimit po bëhet një problem i përsëritur duke prekur në këtë rast edhe universitetet publike, aksioni i sotëm nxori edhe një tjetër problematikë të ndërlidhur fillimisht me atë të një përplasje të mundshme mes kryeministrit Edi Rama dhe SPAK mbi mënyrën se si do trajtohen cështjet e korrupsionit sot e në vijim, si dhe fenomeneve të tjera nga ai i cenimit të autonomisë universitare, ndikimi i politikës tek hetimet e deri tek precedenti që mund të krijohet se si zyrtarë të nivelit të lartë para së të raportojnë para institucioineve të drejtësisë apo të respektojnë etikën institucionale “falen” para partisë në pushtet.
“Sy më sy”
Gjatë një ekspozeje të gjatë në rubrikën “Sy me Sy”, Kryeministri Edi Rama theksoi sërish se lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i SPAK-ut ishin rezultat i vullnetit politik të Partisë Socialiste. Ai kritikoi ata që përpiqen ta paraqesin situatën si një luftë të përgjithshme kundër të gjithëve dhe theksoi jo pa qellim se SPAK-u nuk është më nën asistencën e drejtpërdrejtë të SHBA-ve, pasi ato kanë ndryshuar qasjen e tyre. Ai kujtoi gjithashtu synimin e opozitës për të shkrirë SPAK-un, ndërsa ai dhe partia e tij mbeten garantët e mbështetjes për këtë institucion. Sipas tij, SPAK-u ka ende nevojë për kritika konstruktive, por do të vazhdojë të funksionojë me mbështetjen e shumicës së popullit shqiptar përmes Partisë Socialiste.

Rama
Pa u shpërndarë mirë qëndrimi i tij për SPAK, Rama njoftoi në platformën X për një tjetër aksion të SPAK “pa gjyq” sipas tij dhe se si nesër grupi Parlamentar i PS do të dëgjonte rektorin e UBT-së, Fatbardh Sallaku, me kërkesën e këtij të fundit, për një “keqkuptim” të madh në gjithë këtë proces, duke kërkuar për pasojë një dëgjesë publike. Por jo, para medias përmes një konference për shtyp, para organeve të drejtësisë ndoshta, apo fundja një takimi me rektoratin, por në një mbledhje partie, konkretisht grupi parlamentar i PS-së.

“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit” – Edi Rama në X
(Në të majtë, ne foto: Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku)
Rama e ka relativizuar jo pak këtë aksion kur thotë ndër radhë se janë 24 masa sigurie për më pak se 30 milion lekë, apo kur kjo ngjarje sipas tij ndodh në një moment historik për UBT.
“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030”, shkruan Rama.
Por ndryshe nga sa raportonte kryeministri, Prokuroria e Posaçme doli mbasdite me një deklaratë zyrtare mbi aksionin e zhvilluar ku ishin të përfshirë në hetim deri dy zv-rektorët, dy pedagogë dhe stafi administrativ. Shkeljet sipas SPAK kanë ndodhur vetëm tre vite më parë dhe deri në këtë fazë të hetimit, sipas Prokurorisë, “janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë”.

Hetimet
SPAK raporton se, “gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; R.K., dhe I.K., me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, B.B., me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI) ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.T., me detyrë Administrator i UBT-së.
Veprimet e kundraligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet e kundraligjshme të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave. Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, të cilët, kanë krijuar kushte dhe favorizuar në shpalljen fitues në këto procedura prokurimi, operatorët ekonomik “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.
SPAK nënvizon gjithashtu se, “gjatë hetimit ka rezultuar se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike apo termat e referencës dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit janë kryer nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomik fitues”.
Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, SPAK njofton se, “operatorët ekonomik fitues kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu”.
Cenimi i pavarësisë
Ndërkohë, politologu Afrim Krasniqi e cilëson raportimin e Rektorit të UBT-së tek mbledhja e grupit si “absurde dhe shkelje kushtetuese/ligjore si nismë, si deklarim, si praktikë dhe si akt politik e parlamentar”. Sipas tij, ky është akt minues ndaj drejtësisë, rolit kushtetues të Kuvendit dhe parimit të ndarjes dhe balancës së pushteteve. “Edhe pse shpesh na thuhet se për këtë në botë bëhen edhe filma, ky është një prej rasteve tipike ku asnjë skenarist dhe regjisor nuk do guxonte ta bënte. Natyrisht edhe asnjë politikan i përgjegjshëm, shtetar apo jurist. Në aspektin ligjor ky është akt kundër dhënies së drejtësisë, pengim i drejtësisë dhe presion politik e në konflikt interesi”, thotë ai
Sipas Krasniqit, nuk mundet që një parti të marrë rolin e Gjykatës së Apelit dhe as të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

“Komisioni ‘Xhafa’ në Kuvend do të jetë nesër në mbledhjen e grupit, dhe nëse hesht/aprovon edhe këtë herë, duke pranuar akte të tilla populiste e propagandisitike të denja për kohën e Koçi Xoxes” Afrim Krasniqi
“Nuk mundet që një rektor i një institucioni të pavarur të japë sqarime e llogari jo në universitet, jo në Konferencën e Rektorëve, jo para organeve të drejtësisë, por në mbledhjen e një partie politike. Nuk ka praktikë të ngjashme në asnjë vend të BE dhe në asnjë vend demokratik në botë kur partia mbledh deputetët për të kryer hetime dhe gjykuar një vendim në proces të organeve të drejtësisë”, thotë Krasniqi.
“Zoti Rama dhe PS nuk mund të përcaktojnë prokurorin dhe gjyqtarin, aktet e tyre dhe vendimet e GJKKO, provat dhe masat penale, – duke ofruar një model negativ dhe minues për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe sloganin e tyre për Shqipërinë në BE më 2030”, vijon ai. Krasniqi i kthehet në këtë rast një debati të vjetër:
“Komisioni ‘Xhafa’ në Kuvend do të jetë nesër në mbledhjen e grupit, dhe nëse hesht/aprovon edhe këtë herë, duke pranuar akte të tilla populiste e propagandisitike të denja për kohën e Koçi Xoxes, i mbetet të dorëhiqet dhe të pranojë atë që tashmë njihet, strategjinë elektorale për të minuar hetimet VIP të drejtësisë dhe kontrollin përmes presionit të organeve të reja antikorrupsion, sidomos SPAK dhe GJKKO”