Pretendimi: Përmbytjet në Spanjë u shkaktuan nga programi maroken i farëzimit të reve
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————-
Një postim në rrjete sociale pretendon se “arsyeja më e mundshme dhe më bindëse për katastrofën në Valencia është programi prej 10 milion eurosh i Marokut për të provokuar shi në mënyrë artificiale duke mbarsur retë me avionë që bombardijnë elementë kimikë në to, në disa zona të agrikulturës kundër thatësirës.”
Si pjesë e politikave ujore të Marokut, i cili po përballet me mungesën e ujit, qeveria e vendit në të vërtetë po aplikon një program për mbjelljen e reve, i njohur si Al-Ghaith. Programi nisi në 1984 pas vitesh thatësire dhe aktualisht përfshin tre qendra kryesore në Beni Mellal, Azilal dhe El Hajeb. Përgjatë viteve, këto operacione kanë ndihmuar në mbështetjen e sektorit bujqësor, i cili është tejet i varur nga shiu, veçanërisht në malet e Atlas. Sipas Ministrisë së Pajisjeve dhe Ujit, këto qendra do të dyfishohen në numër deri në fund të vitit 2025.
Megjithatë, mbjellja e reve nuk ka fuqinë të shkaktojë ngjarje ekstreme të motit.
Megjithëse programe të mbjelljes së reve janë zbatuar nga qeveri të ndryshme të botës që në vitet 1950, efektiviteti i kësaj teknike në nxitjen e reshjeve mbetet i debatuar. “Deri më tani,” thotë ekologu Rob Jackson nga Universiteti i Stanford, “të bësh që të bjerë shi është ende më shumë art sesa shkencë.”
Shkencëtarët e klimës pohojnë se mbjellja e reve thjesht nuk është një teknologji aq e avancuar sa të shkaktojë përmbytje apo ndryshime klimaterike.
“Teknika më e zakonshme – në fakt e vetmja teknikë e modifikimit të motit në përdorim të gjerë – është mbjellja e reve në një përpjekje për të rritur nivelin e reshjeve. Teknologjia është mjaft rudimentare, dhe rezultatet janë shumë të lokalizuara,” tha një zëdhënës i Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane për Reuters.
Steven Siems, bashkëkryesues i Ekipit të Ekspertëve të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) për Modifikimin e Motit, tha se “nuk është aspak e mundur që përpjekjet tona të sotme të qëllimshme për modifikimin e motit të jenë përgjegjëse për ndryshimet tona të paqëllimshme në klimë përmes emetimeve të gazeve serrë. Çdokush që propozon ndonjë gjë të tillë është krejt injorant sa i përket shkencës si të ndryshimit të klimës si të modifikimit të motit.”
Përmbytjet e tetorit 2024, nga më vdekjeprurëset në historinë e Spanjës, u shkaktuan nga reshje të rrëmbyeshme. Sipas një analize të shpejtë paraprake nga shkencëtarët e nismës World Weather Attribution, ndryshimet klimatike janë “shpjegimi më i mundshëm” për intensitetin e reshjeve. Ata zbuluan se ngrohja globale, e nxitur nga ndotja nga karburantet fosile, i bëri reshjet e rrëmbyeshme që goditën Spanjën rreth 12% më të rënda dhe dy herë më të mundshme.
Një studim nga Climate Central gjeti se ndryshimi i klimës gjithashtu i bëri temperaturat e ngrohta të Oqeanit Atlantik që nxitën shiun e dendur 50 deri në 300 herë më të mundshme.
Oqeanet më të nxehtë i japin më shumë energji stuhive, sepse ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, duke e thithur atë si sfungjer për ta shtrydhur më pas në formën e shiut të rrëmbyeshëm.
“Në kontekstin e ndryshimeve klimatike, këto lloj reshjesh intensive të rralla dhe të jashtëzakonshme do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive dhe, për rrjedhojë, më shkatërruese”, tha Ernesto Rodríguez Camino, nga Shoqata Spanjolle Meteorologjike.