Pretendimi: Këto video tregojnë përmbytjet e vitit 2025 në Texas, ShBA
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Një sërë klipesh, të montuar në një video të vetme, po qarkullojnë në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, me pretendimin se tregojnë përmbytjet katastrofike që pa shteti amerikan Texas në fillim të korrikut 2025.
Më shumë se 120 persona, përfshirë të paktën 27 vajza dhe kujdestarë nga një kamp veror për të rinj, u vranë ndërsa përmbytjet katastrofike përfshinë Texasin gjatë festës së 4 korrikut 2025.
Megjithatë, klipet që përmban video e mësipërme janë të vjetra dhe nuk kanë lidhje me katastrofën në Texas.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e parë është postuar në Instagram të paktën që më 3 korrik 2025, përpara se të ndodhte përmbytja në Texas.
Videoja e dytë, që tregon makina të marra nga ujërat e rrëmbyeshme, daton të paktën që më 3 dhjetor 2023. Ajo është përshpejtuar dhe përmbysur. Sipas një postuesi në platformën X dhe Times of India, pamjet tregojnë ciklonin Michaung duke u përshkuar me shpejtësi lagjen Chennai, Indi.
Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti se video e tretë është postuar në internet të paktën që 10 muaj më parë, përpara se të ndodhte përmbytja në Texas.
Po me Google Lens, Faktoje gjeti se video e radhës ishte postuar në mediat spanjolle në 2024 si pamje nga përmbytjet e tetorit 2024 në Valencia, Spanjë.
Video e radhës është postuar që në 2022 në Facebook nga media amerikane ABC Neës, dhe tegonte “një autobus që mbushej me ujë në një periferi pranë kryeqytetit të Francës” ndërsa “reshjet e dendura të shiut në Paris dhe përreth tij shkaktuan përmbytje në rajon” në Gusht 2022.
Video e fundit rezulton të jetë mbi 10 vjeçare, postuar në Youtube më 21 maj 2011 me përshkrimin “Tërmeti i Madh i Japonisë Lindore: Momenti i cunamit në Ishinomaki, Prefektura Miyagi.”
Kështu, si përfundim, ndryshe nga ç’pretendohet, asnjë nga klipet në videon e mësipërme nuk tregon përmbytjet që ndodhën në Texas, ShBA, gjatë 4 korrikut 2025.