Pretendimi: Roveri hënor i Apollo 17 ishte shumë i madh për të hyrë në modulin hënor
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————-
Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon një imazh i cili, në një përpjekje për të nënvizuar ‘gënjeshtrat e NASA’, vë në dyshim se si roveri hënor i misionit hapësinor Apollo 17 ka arritur të futet në modulin hënor.
Një kërkim i shpejtë në kanalin e Youtube të NASA do të kishte sqaruar këto dyshime menjëherë. Në dy video të botuara që në 2013 në këtë kanal, tregohet me anë të animacionit se si roveri nxirret nga moduli duke u shpalosur, dhe futet në modul duke u palosur.
Një skemë e sekuencës së lëshimit të roverit nga misioni Apollo 15 gjithashtu shpjegon se si roveri shpaloset, duke nisur nga shasia dhe gomat e prapme deri tek ulëset të cilat shpalosen nga astronauti.
Dokumentat e publikuara nga NASA shpjegojnë se roveri hënor nisi të zhvillohej që nga maji 1969, dhe për herë të parë udhëtoi në hapësirë gjatë misionit Apollo 15 nga 26 korriku deri më 7 gusht 1971. Kompanisë së njohur Boeing iu besuar detyra për të zhvilluar këtë projekt kompleks dhe pas shumë provash inxhinierët novatorë të saj ndërtuan katër rovera. Secili prej tyre u përdor për Apollo 15, 16 dhe 17, ndërsa roveri i fundit u çmontua dhe u përdor për pjesë këmbimi pas anulimit të misioneve të vazhdueshme njerëzore në Hënë.
Roveri ishte tepër kompakt, duke u palosur në vetëm 1.5 me 0.5 metra për t’u vendosur në modulin e uljes hënore. Pas hapjes arrinte një gjatësi 3.1 metra dhe gjerësi 2.3 metra. Korniza e aliazhit të aluminit përbëhej nga 2,219 montime tubash të salduara në një shasi 3-pjesëshe.