Përleshjet në Iran ndahen si protesta kundër luftës në Izrael

6

Pretendimi: Kjo video tregon protesta të vazhdueshme në Tel Aviv për ndalimin e luftës me Iranin

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Një video që ka marrë mbi 800 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon “protesta të vazhdueshme në Tel Aviv për ndalimin e luftës me Iranin.”

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një version më i gjatë i videos së mësipërme është postuar fillimisht në Instagram më 27 janar 2026, gati një muaj përpara nisjes së luftës mes Izraelit dhe Iranit, më 28 shkurt.

Postimi shoqërohet me përshkrimin: “18 dhjetor, IRIB, Mashhad”, duke iu referuar degës së transmetuesit shtetëror të Iranit (IRIB) në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i vendit.

“Të shtëna kundër civilëve përpara ndërtesës së transmetimit shtetëror në Mashhad, Iran. Forcat e sigurisë së Republikës Islamike hapën zjarr me municion të vërtetë ndaj njerëzve të paarmatosur, duke vrarë dhe plagosur disa civilë”, thuhet në përshkrimin e videos.

Megjithëse nuk mundëm të gjejmë vendin e saktë ku është regjistruar video, pasi funksioni i Google Street View nuk funksionon në afërsi të Qendrës së Transmetimit Khorasan Razav, selisë së IRIB në Mashhad, mund të konfirmojmë se regjistrimi është bërë në Iran, pasi një tabelë e madhe me shkrim persisht është e dukshme në fillim të videos. Dhe në fund, mund të shihen detajet e një targe iraniane, me formatin dhe karakteret specifike për targat e vendit, te ndryshme nga ato në Izrael.

Ka patur vërtet protesta kundër luftës në Izrael. Ditët e fundit, mediat ndërkombëtare kanë raportuardemonstrata të pakicave në Tel Aviv kundër luftës në Iran. Megjithatë, agresioni kundër vendit persian në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara është mbështetur nga të gjitha partitë hebraike në Parlamentin izraelit, përfshirë kundërshtarët politikë të Netanyahut, dhe sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e qytetarëve e mbështesin atë.