Edhe këtë sezon veror autoritetet paralajmëruan dënime të ashpra ndaj shkelësve që cënojnë sigurinë e pushuesve në bregdet. Verifikimet e Faktoje tregojnë se pavarësisht disa gjobave, perimetri i sigurisë në disa plazhe shkelet, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Afrovita Hysaj
Në hyrje të sezonit veror, ish ministri i Brendshëm Taulant Balla, paralajmëroi ndëshkime të ashpra për të gjithë shkelësit e perimetrit të sigurisë në bregdet.
‘Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare janë në çdo moment në krye të detyrës për të ofruar ndihmë. Operatorët turistikë, duhet të kuptojnë që nuk mund të dalin në lundrim të pacertifikuar dhe se në çdo rast masat ndëshkimore do të jenë të ashpra dhe mjetet detare do të bllokohen sipas ligjit. Nuk mund të rrezikohet kurrësesi nga papërgjegjshmëria jeta e pushuesve’, deklaroi më 1 maj Balla, teksa përshëndeste Policinë Kufitare dhe Rojen Bregdetare për shpëtimin e 11 turistëve në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt.
Verifikim
Në mbyllje të muajit gusht, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim lidhur me sigurinë e pushuesve në disa plazhe. Në Vlorë, vendqendrimi i mjeteve lundruese ndodhet pranë kalatës së portit të mallrave, ndaj dhe plazhi në këtë zonë është i ndaluar.
Por, në plazhe të tjera si ai i Karaburunit apo Sazanit, destinacione të shumicës së mjeteve lundruese nga Vlora, nuk kanë vendqendrime të përcaktuara. Në këto plazhe mjetet lundruese gjendet pranë pushuesveqë lahen në det, duke përbërë rrezik.
E njëjta panoramë të shfaqet në plazhet e Radhimës, më tej Dhërmiut dhe një pjesë të mirë të rivierës- kryesisht plazhet e mbyllura.
Pamjet më poshtë janë xhiruar në Porto Palermo, në zonën ku njihet si vendqëndrim i mjeteve lundruese, por që njëkohësisht ka leje edhe për përdorim plazhi. Kështu, pushuesit në këtë plazh duhet të notojnë pranë mjeteve lundruese, duke rrezikuar jetën.
Nga vëzhgimet në terren, krahas mungesës së vendqendrimeve për këto mjete, një tjetër problematikë lidhet me zbatimin e korridoreve për daljen e mjeteve lundruese.
Ndëshkime për shkelësit
E gjithë vija bregdetare Vlorë – Sarandë, kontrollohet nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin që dispozicion 18 mjete lundruese Jet Ski të Njësisë Policore Detare dhe 6 mjete lundruese B.P.
Nga fillimi I vitit e deri në fund të korrikit janë kontrolluar dhe verifikuar 4791 mjete lundruese, nga të cilat 133 mjete lundruese janë bllokuar dhe gjobitur- për tu liruar pas shlyerjes së gjobave.
Policia e Kufirit ka vendosur 133 masa administrative, por nuk jep asnjë informacion mbi numrin apo personat e proceduar penalisht për shkelje të ligjit detar.
Edhe drejtoria vendore te Policisë Vlorë, në komunikatat e bëra publike për periudhën Janar- korrik tregon dhjetra raste të personave të cilët abuzojnë jo vetëm duke shkelur kufirin e lundrimit me mjete lundruese por duke rrezikuar edhe jetën e pushuesve. Mirëpo, në Prokurori nuk janë referuar të gjithë rastet.
Kullat e vrojtimit bosh
Në mungesë janë dhe vëzhguesit bregdetar, veçanërisht në plazhet publike. Ndërsa në plazhet private, zbulohet praktika e regjistrimit fiktiv (kryesisht vetë pronarët) në rolin e vëzhguesve, por kullat e vrojtimit mbeten bosh.
‘Roje nuk kam parë fare, asnjëherë nuk e kemi parë.’- thotë një pushuese në Vlorë
Referuar të dhënave nga Policia, gjatë këtij sezoni ka pasur 6 viktima në plazhe- shtetas që janë mbytur apo kanë humbur jetën për shkak të problemeve kardiake.
Leneda Halili, trajnuese e vrojtuesvë të plazheve thotë se Vlora edhe këtë vit është përballur me mungesa të theksuara të vrojtuesve.
‘Interesi nga të rinjtë e qytetit të Vlorës për të ushtruar profesionin sezonal të vrojtuesit të plazhit mbetet i ulët. Janë rreth 35 persona të cilët deri më tani janë trajnuar për të ushtruar rolin e vrojtuesit të plazhit.’
Më tej ajo shton se për këtë arsye, bizneset gjejnë zgjidhje fictive.
‘Në Vlorë vazhdon tendenca që për vrojtues plazhi trajnohen pronarët e bizneseve, subjekteve private vetëm për të plotësuar dokumentacionet e shfrytëzimit të hapësirës publike si plazh.’ – thotë Halili.
‘Shumica e vrojtuesve të trajnuar janë për punësim jashtë vendit, sepse në vendet e Bashkimit Europian ata paguhen shumë më tepër, pra marin Certifikatën dhe ikin jashtë’- argumenton ajo.
Edhe pse është një detyrim ligjor, bregdeti i Jugut në pjesën më të madhe të plazheve ka mungesë të kufizueseve të notit.
‘Nuk ka shirita, mirë do të ishte të kishte.’ – thotë një pushues në Vlorë.
Mungesa e kufizuesve të notit në det vihet re brenda në qytet por edhe në periferi të Vlorës. Verifikimet tregojnë se vetëm 40% e plazheve e respektojnë këtë detyrim.
Përfundim
Nisur nga verifikimet e kryera, deklaratën e ish ministrit të brendshëm Taulant Balla, mbi perimetrin e sigurisë në plazhe do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.